Sekretari i Përgjithshëm i PDK-së, Uran Ismaili i cili mandatin e kaluar ka udhëhequr Ministrinë e Shëndetësisë, vlerëson se Qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti ka neglizhuar marrjen e masave të rrepta, duke lejuar qarkullimin e lirë të personave që kanë ardhur nga vendet me rrezik të lartë, me coronavirus dhe siç thotë ai, ky dështim rezultoi në shpërndarjen e virusit në komuna të ndryshme.
Nëpërmjet faqes së tij në Facebook, Ismaili ka renditur hapat që Qeveria Kurti nuk i ka bërë ende, e duhet t’i ndërmarrë urgjentisht.
Postimi i plotë i Uran Ismailit:
Numrat flasin qartë se nuk ka nevojë për panik, por për kujdes dhe veprime.
Deri më tash, në gjithë botën, janë shënuar mbi 159 mijë raste të prekura me Coronavirus, nga të cilat rreth 76 mijë raste janë shëruar dhe afër 78 mijë raste janë ende aktive.
Si qytetarë, secili e kemi obligim dhe detyrë ta ruajmë veten, të respektojme distancen sociale që ta ruajmë njëri-tjetrin, të dashurit tonë, e sidomos ata me moshë të shtyrë. Roli i secilit individ është i rëndësishëm dhe duhet të vendosim a dëshirojmë të jemi pjesë e problemit apo e zgjidhjes.
Qeveria ka neglizhuar marrjen e masave të rrepta, duke lejuar qarkullimin e lirë të personave që kanë ardhur nga vendet me rrezik të lartë. Ky dështim rezulton në shpërndarjen e virusit në komuna të ndryshme.
E di se në një klimë të rënduar, si kjo që kemi tash me Coronavirus, është shumë e vështirë të depërtojë e vërteta, sepse më me dëshirë priten lajmet e mira sesa që pranohen informatat e sakta dhe kritikat e sugjerimet.
Por, unë do të vazhdoj të flas edhe më tutje për mënyrën se si duhet vepruar në këtë situatë, që të mund të shpëtohen jetë njerëzish dhe që Kosova të ketë pasoja sa më të vogla shëndetësore dhe ekonomike.
Pra, edhe një herë, këta janë hapat që Qeveria Kurti nuk i ka bërë ende, e duhet t’i ndërmarrë urgjentisht.
1. KUFIZIM TË PERSONAVE. Nuk është se po e kërkoj sot. E kam kërkuar edhe para tri javësh, në Komisionin Parlamentar për Shëndetësi, kur Coronavirusi kishte prekur Evropën. Nuk është bërë një gjë e tillë dhe ky ishte gabim. Është e domosdoshme që personat të cilët vijnë nga shtetet tjera – të vihen në karantinë dhe t’u ofrohet mbështetje. Po ashtu, menjëherë të identifikohen personat që potencialisht kanë pasur kontakt me të prekurit nga virusi dhe edhe ata të vendosen në vetë-izolim të detyrueshëm dhe t’u ofrohet mbështetje. Kështu, pamundësohet përhapja e sëmundjes. Qeveria duhet ta përmirësojë këtë gabim, urgjentisht.
2. TESTIMET AGRESIVE. Të fillohet testim agresiv, i shpeshtë, në mënyrë që të identifikohen qytetarët potencialisht të prekur nga virusi, për ta thyer kështu zinxhirin infektues. Qeveria të mos e bëjë gabimin e dytë. Ka raste kur jo Pacienti 0 (pacienti i parë që identifikohet me virus), por Pacienti 31 ka qenë shpërndarësi masiv i virusit, siç ka ndodhur në Korenë e Jugut. Prandaj, Qeveria duhet të krijojë mundësi për testimin agresiv dhe të zbulohen e izolohen rastet. Secili rast mund të jetë Pacienti 31. Testimi agresiv shpëton jetë.
3. MBROJTJE PËR PERSONELIN MJEKËSOR. Personeli mjekësor duhet të mbrohet. Me çdo mjet. Ata janë pjesa më vitale në këtë luftë, në bashkëpunim me qytetarët. Qeveria duhet të veprojë sa më parë për t’u krijuar atyre kushtet e duhura për punë.
Shoqata “Bereqeti” hap dyert në Lipjan, Tërnava:...
Rusia mohon të jetë e përfshirë në dëmtimin e kabllove në De...
Komiteti Ndërministror për të Drejtat e Fëmijëve mbajti taki...
Kosova në vazon e katërt në shortin e kualifikimeve për Kamp...
Hapet selia e re e Shoqatës Humanitare Bamirësie “Bereqeti”
“M’shurdhofsh”, reagimi epik i Xuxit ndaj Burimit