Google ADS

Islami: E gjithë kjo iniciativë e Serbisë është luftë për dominim në Ballkan

13:11 | 22 Shtator 2024
E.H

Ditë më parë, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, njoftoi nënshkrimin e marrëveshjes për shërbimin e detyrueshëm ushtarak për një periudhë prej 75 ditësh.

Kjo ngjarje ka ngjallur reagime të shumta dhe ka tërhequr vëmendjen e veçantë nga shqiptarët që jetojnë në Luginën e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit, duke e konsideruar se ky rikthim do të çojë në shpërngulje masive të rinjve shqiptarë nga Lugina e Preshevës

Ish-kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Luginën e Preshevës, Ragmi Mustafi, ka shprehur shqetësimin se rikthimi i shërbimit të detyrueshëm ushtarak në Serbi do të përkeqësojë më tej marrëdhëniet ndërmjet shqiptarëve të Luginës dhe autoriteteve serbe.
Mustafi në një deklaratë për Arbresh.info thekson se shqiptarët e Luginës historikisht e kanë refuzuar këtë detyrim për shkak të diskriminimit të vazhdueshëm dhe mungesës së sigurisë.

“Rikthimi i shërbimit të detyrueshëm ushtarak në Serbi pritet të përkeqësojë më tej marrëdhëniet ndërmjet Serbisë dhe shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Shqiptarët e Luginës e kanë refuzuar historikisht këtë detyrim për shkak të diskriminimit të vazhdueshëm dhe mungesës së sigurisë. Përballja me një detyrim të tillë në një vend që ka një të kaluar të përgjakshme me shqiptarët vetëm sa do të rrisë tensionet etnike dhe ndjenjat e mosbesimit, duke shkaktuar pasoja të në stabilitetin rajonal”, thotë ai.

Ai potencon se rinia shqiptare nuk është e gatshme të përballet me këtë detyrim, duke e parë atë si një kundërpërgjigje ndaj diskriminimit historik dhe trajtimit të pabarabartë nga ana e Serbisë.

“Rinia shqiptare nuk është e gatshme të përballojë këtë detyrim, duke qenë se refuzimi i shërbimit ushtarak është një kundërpërgjigje ndaj diskriminimit historik dhe trajtimit të pabarabartë nga ana e Serbisë. Shqiptarët e Luginës nuk mund të pranojnë të kryejnë shërbim ushtarak në një shtet ku ndihen të margjinalizuar dhe të diskriminuar. Një ushtri e cila ka kryer krime kundër njerëzimit në Kosovë e krime kundër shqiptarëve në Luginën e Preshevës. Një ushtri të cilën e luftuan ushtria Çlirimtare për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë. Në këto kushte, pritet që shqiptarët e Luginës ta refuzojnë këtë detyrim. Sepse mbi të gjitha janë të gatshëm të iu bashkohen Forcës së Sigurisë së Kosovës aty ku edhe i rrah zemra”, shton ai.

Tutje, Mustafi shprehet se shqiptarët e Luginës nuk kanë asnjë garanci për sigurinë e tyre nëse do të pranojnë të shërbejnë në ushtrinë serbe, duke e quajtur të nevojshme që Serbia të garantojë të drejtat themelore të shqiptarëve dhe të krijojë kushte të barabarta për të gjithë qytetarët e saj.

“Shqiptarët e Luginës së Preshevës nuk kanë asnjë garanci për sigurinë e tyre nëse do të marrin pjesë në ushtrinë serbe. E janë të freskëta kujtimet kur ktheheshin në arkivol nga Armata Popullore e Jugosllavisë. Kur vriteshin në rrethana të pa shpjegueshme vetëm se ishin shqiptarë. Politikat serbe ndaj shqiptarëve nuk kanë qenë asnjëherë në përputhje me standardet e barazisë dhe demokracisë, dhe në një kontekst të tillë, nuk ka besim se ata do të trajtohen me dinjitet dhe drejtësi. Serbia duhet të garantojë të drejtat themelore të shqiptarëve dhe të krijojë kushte të barabarta dhe të drejta për të gjithë qytetarët e saj”, përfundon ai.

Islami: E gjithë kjo iniciativë e Serbisë është luftë për dominim në Ballkan

Nga ana tjetër, eksperti për çështje të sigurisë, Avni Islami, e konsideroi rikthimin e shërbimit ushtarak si një strategji të orientuar drejt destabilizimit të vendeve të tjera.

Ai thekson se ky veprim, pavarësisht kostove, është i fokusuar në politika sulmuese dhe nuk ka karakter mbrojtës.

“Çështjen e rikthimit të detyrimit ushtarak nga ana e shtetit serb është ngjarje në vete ku pavarësisht kostos që i kushton ajo është e orientuar kryesisht në politikat sulmuese pra nuk ka politika mbrojtëse sepse Serbia nga askush nuk rrezikohet përveç se është e interesuar t’i destabilizoj vendet e tjera. Marrë parasysh aleancat veriatlantike unë nuk pres që të ketë ndonjë ndikim dhe pavarësisht armatimit dhe armatosjes enorme në raport me vendet e Ballkanit rikthimi im detyrueshëm duket se më tepër ka një karakter në rrafshin gjeopolitik strategjik. Kjo nuk është e orientuar kryekëput nga Lugina e Preshevës për numër të caktuar të rekrutëve shqiptar sepse Serbia në aspektin gjeostrategjik dhe gjeopolitik apetitet e saj dhe kërkesat e saj janë më të mëdha.

Islami e përshkruan rikthimin e detyrimit ushtarak në Serbi si një “kurs disa javor” për njohjen dhe përdorimin e armëve

“Kjo është një kurs disa javor dhe jo siç ishte më parë me shërbim ushtarak njëvjeçar etj, por është një kurs që e kanë për obligim secila gjenerata dhe secili komunitet. Unë nuk shoh ndonjë problem edhe për shqiptarët edhe pse është një vendim politik dhe nuk mendoj që do të paraqes ndonjë eskalim të situatës për shqiptarët sepse thjeshtë ato janë kurse”, thotë ai.

Islami ka theksuar se nëse rikthehet detyrimi ushtarak në Serbi, ata që nuk e përmbushin këtë detyrim do të përballen me pasoja juridike

Megjithatë, ai nuk pret që kjo situatë të ketë ndonjë ndikim të madh për të rinjtë e Luginës së Preshevës.

“Nëse vërtetë bëhet detyrim atëherë pasojat juridike do ti ketë secili që nuk shkon, pavarësisht kësaj nuk pres që të ketë ndonjë ndikim për të rinjtë e Luginës së Preshevës sepse forma e rekrutimit ose e aftësimit ushtarak është kurse disa javore, ku mësohesh për përdorimin e armëve. Unë nuk shohë ndonjë problem të përgjithshëm . pavarësisht brengave që mund të jenë unë nuk pres që të ketë probleme për ata të rijnë. Ky nuk është shërbim ushtarak është kurs disa javor mbi njohurit bazike sepse rekrutimi ushtarak ka një kosto të lartë ku edhe ashtu janë deklaruar organet e Serbisë që të ketë disa kurse obligative lidhur me mbrojtjen dhe përdorimin e armëve. E gjithë kjo iniciativë e Serbisë është e lufta për dominim në Ballkan”, përfundon ai.

Ndryshe, në Serbi shërbimi i detyrueshëm ushtarak u hoq më 1 janar 2011, që atëherë vetëm ata që duan, shkojnë vullnetarisht në ushtri.

Vendet evropiane që nuk e kanë hequr shërbimin e detyrueshëm ushtarak janë Zvicra, Norvegjia, Danimarka, Finlanda, Austria, Turqia, Estonia, Rusia, Bjellorusia, Ukraina, Greqia dhe Qipro./Arbresh.info/Edona Krasniqi/

Të ngjashme