Vëllavrasja në Kosovë kishte arritur kulmin. Gjakmarrja dhe ngatërresat mes familjeve shqiptare po e shkatërronin popullin shqiptar të Kosovës, por po ia lehtësonin Serbisë punën për mbajtjen nën okupim dhe shkatërrimin e dalëngadalë.
Kjo ishte parë si urgjencë për themelimin e Lëvizjes për Pajtimin e Gjaqeve.
Profesorë, studentë, e ish-të burgosur politikë të asaj kohe, ishin bërë bashkë për të themeluar këtë lëvizje, për ta shpëtuar popullin nga humnera në të cilën po zhytej.
Fadil Shabani nga Skenderaj, mësues i pensionuar, i cili ka shërbyer në arsim për 42 vjet, kishte qenë njëri nga bashkëpunëtorët e Lëvizjes për Pajtimin e Gjaqeve.
Ekskluzivisht për Arbresh.info, Shabani rrëfen sesi ka filluar pajtimi i gjaqeve dhe si kishin arritur të zgjidhnin ngatërresat, duke filluar nga disa familje në fshatin e tij.
Ai tregon si kishte vendosur t’i bashkëngjitet kësaj lëvizje që kishte në krye figura të mëdha si: Anton Çetta, Fehmi Agani dhe Zekrija Cana.
Kjo lëvizje, sipas tij, ishte më shumë se një thirrje për pajtim – ishte një sfidë ndaj pengesave për zhvillimin dhe lirinë e popullit të Kosovës.
“Në vitet e 90-ta ka qenë një aktivitet gjithpopullore, një dëshirë që gjakmarrjet, hakmarrjet të zhduken në popullin tonë. Kishte shumë, ishte një pengesë për zhvillim, për lirinë tonë. Ajo historikisht na ka pengu, na ka lënë pasoja të rënda. Në vitet e 90-ta, duke ju falënderua doktor Fehmi Aganit, Zekrija Canës dhe Anton Çettës, të cilët kanë qenë protagonistët kryesor të asaj lëvizje dhe në një kohë të shkurtër kanë arritur një sukses të jashtëzakonshëm, duke pajtuar me mijëra gjaqe, mijëra ngatërresa”, thotë Shabani.
Shabani, thotë se kishte fatin që ishte punëtor i arsimit dhe me kolegët e tij kishin vendosur t’a përqafonin iniciativën e Anton Çettës, duke marrë parasysh që edhe në fshat, bashkësi lokale kishin ngatërresa dhe familje që ishin në gjak mes vete.
“Kemi qenë ne katër punëtor të arsimit dhe të fshatit aty që s’kanë qenë punëtor të arsimit, por kolegë të gjeneratës tonë, me përjashtim dy-tre vjet diferencë në moshë, kemi shkuar në të gjitha familjet ku ka pasur ngatërresa, gjaqe, e probleme të natyrave të ndryshme, në mënyrë që t’i pajtojmë njëherë e përgjithmonë dhe ta ndalim këtë dukuri të shëmtuar, se e urrej shumë, dukuri negative, që janë pengesë e zhvillimit të kombit”, shprehet ai.
Por, një nga sukseset e iniciatorëve të pajtimit të gjaqeve, ku kishte marrë pjesë edhe vetë Shabani, ishte falja e gjaqeve mes 12 familjeve brenda një dite.
“Fati e deshti që angazhimi jonë u pagua, duke i pajtuar të gjitha, ka ndodhur gjashtë gjaqe, që i bie 12 familje i kemi pajtuar brenda një dite. Me numër nuk e di saktësisht, por nëpër fshatrat e bashkësisë lokale të Likovcit, Aqareve, Pllozhinë, Rezallë, Resnik, Kopiliq, e kështu me radhë në të gjitha fshatrat, kemi arrit me i pajtu”, tregon ai.
Ai ndjehet krenar është për kontributin e dhënë në arsim, por sidomos që ishte pjesë e iniciativës për pajtimin e gjaqeve.
“Kemi gjetur mirëkuptim te popullata, ishte ajo përkrahja në nivelin qendror krye me Anton Qetën, kemi pasur aty këtu ndoshta ngecje e vështirësi, mirëpo në fund kur arrihet rezultati ato harrohen. Jam krenar që krahas arsimit, kam punuar edhe në aktivitete të tjera, siç është pajtimi i gjaqeve, jam krenar që i kam shërbyer atdheut, edhe ushtarë kam qenë. Asgjë nuk i kam marr siç thonë katunarqe” sa çon miza” këtij populli, këtij vendi, vetëm çka i kam dhënë.
Në atë kohë, ai rrëfen se edhe dajtë e tij ishin në ngatërresë me një familje për një rast të plagosjes. Por, që edhe ajo ngatërresë ishte zgjidhur dhe ai vetë kishte shkuar për të kërkuar pajtimin mes familjeve.
“Në gjak i kisha edhe dajtë, ata nuk e kishin me humbje të jetës, por me plagosje. Tash kur i pajtuam ato familjet që kishin raste, se daja pak ishte i prekur me atë rast (rastin e tij), mirëpo kur e pa se ata falen gjaqe të ndryshme, të moshave të ndryshme dhe të dhimbshme si të gjitha gjaqet dhe humbjet e jetëve janë të dhimbshme. Ajo ka qenë një kënaqësi, një arritje e madhe, sepse kur të kupton vendi yt, rrethi yt shoqëror, kur të respekton ndihesh më i kënaqur, më i lumtur, sepse ti nuk i ke tradhtuar, nuk i ke zhgënjyer asnjëherë”, rrëfen Shabani.
E rëndë ishte sipas tij, të shkosh tu kërkosh familjeve të falin gjakun e djalit, vëllaut, babës, apo edhe vajzës së tyre. Por, faljen e gjakut të djalit të tij e ka bërë edhe vetë Shabani rreth dy dekada pas lëvizjes që i ishte bashkuar.
“Se me ardh me ta shtri dorën, me ta fal gjakun e vajzës, djalit, se thonë evladi është bojashkë e zemrës, unë këtë e kam përjetu edhe vetë. I kam tejkalu me ndihmën e shokëve, kur kam pas rastin e dhimbshëm, edhe unë e kam ndje nevojën edhe arsyen që të jem një nga ata që kanë fal gjakun. E dhimbshme është, por kur te shohësh perspektivën dhe të mirën që e ke bë, ja vlen”, rrëfen Shabani.
Asnjëherë s’ i kishte shkuar mendja që do të vinte dita që edhe ai të falte gjakun e djalit të tij që si pasojë e një ngatërrese me disa fëmijë kishte mbetur i vdekur në vitin 2015. Ai është krenar për këtë veprim, duke shtuar se Zoti ia ka shpërblyer me një familje të madhe e të shëndoshë.
“Unë e kam fal gjakun e djalit, tani si shkak i atij rasti të parë, edhe djali i dytë më ka shku
14 vjeçar, mirëpo Zoti më ka shpërblyer me nipa e mbesa. Sot vetëm nga unë dhe bashkëshortja ime jemi diku afër 30 anëtarë të familjes. E te kisha marr një hap të kundërt, mu hakmarrë, atëherë isha dal edhe prej rrugës së Zotit, edhe këta çka jena kanë dikush në burgje, e keqja s’ndalet, s’ka fund”, thotë Shabani.
Duke ditur vuajtjet e popullit shqiptar ndër shekuj, Shabani ka kritika ndaj udhëheqësve të luftës së fundit në Kosovë, ndaj udhëheqësve politikë, kuadrove dhe politikës shtetërore në përgjithësi, se nuk është bërë sa duhet për formimin e shtetit.
“Duke qenë i tillë, shpeshherë ndoshta jam shpreh i ashpër që e kanë pas karakterin e kritikës ndaj udhëheqësve të luftës, ndaj udhëheqësve politikë, e kuadrove, politikës shtetërore, se nuk është që kanë punu gjithçka keq, se kanë punu edhe mirë, aktet të rëndësishme të shtet formimit, luftës dhe përndjekjes së armikut nga këtu, mirëpo gjithherë duke e mëndu atë mundësinë çka kanë mund me bë mirë, po me doket që pak nuk i kanë përfillë fort rregullat e shtet formimit. Nuk kanë ditë, apo mungesa e traditës për shtet, apo diçka tjetër, unë gjithsesi i referona lakmisë”, shprehet ai.
Ai citon edhe një thënie të njeriut të mençur dhe pleqnar i shquar nga Drenica, Xhemail Abrisë.
“Se kur i kanë thënë Xhemail Abrisë,”Mixha Xhemail a prish kajta burrin, ka thënë jo. Ai që është burrë nuk e prish kurrgjë, as kajta, se nuk e pranon”, shprehet Shabani.
Ndryshe, Lëvizja për Pajtimin e Gjaqeve ishte themeluar më 2 shkurt të vitit 1990.Duke konsideruar se e ka arritur qëllimin e saj, faktikisht e përfundon misionin e saj në njëvjetorin e nismës, më 2 shkurt 1991. Kjo lëvizje kishte arritur të shënonte 2511 pajtime, prej tyre, 1169 ishin gjaqe; 477 plagosje, ndërsa 865 ngatërresa.
Pajtime gjaqesh, ngatërresash, ndërhyrje në konteste të ndryshme dhe pleqësime të çështjeve të caktuara janë shënuar edhe pas kësaj date nga një grup veprimtarësh, kryesisht profesorë të Universitetit të Prishtinës të tubuar rreth prof. Anton Çettes. /Arbresh.info/ Rita Jakupi/
E përlotur, Jonida Vokshi rrëfen humbjen e babait: Pati sëmu...
Moti në Kosovë për pesë ditët e ardhshme
Peci: Nuk mundeni me më ndal as me ujë, as me plumba – veç p...
Haradinaj: Edhe sa shifra qindmijëshe e milionëshe duhet të ...
Papa Françesku kërkon të hetohet nëse në Gazë po kryhet gjen...
Plagoset me armë 32-vjeçari shqiptar në Itali