Ish-ushtari i UÇK-së rrëfen një moment qesharak dhe të rrezikshëm që kishte me dëshmorët Zahir Pajaziti dhe Edmond Hoxha

14:16 | 24 Maj 2023
L G

I mbijetuari i masakrës së Dubravës dhe ish-ushtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Selim Lokaj, thotë se përveç tmerrit që ka përjetuar, kujton edhe raste qesharake që i kishin ndodhur gjatë luftës në Kosovë.

Ai rrëfen një moment qesharak kur ishte shumë afër që aksidentalisht ta vrasë shokun e tij të burgut, Hasan Zenelin.

Lokaj rrëfen  se ky moment interesant i kishte ndodhur në bjeshkët e Deçanit, kur duke bërë roje për të mos i lejuar ushtarët serbë që të kalojnë kah aksioni i UÇK-së, pa e ditur se janë ata, ka qenë duke i vrarë Zahir Pajazitin, Edmond Hoxhën dhe Hasan Zenelin, raporton Arbresh.info.

Ai rrëfen për Arbresh.info atë moment, sa të rrezikshëm, aq edhe qesharak.

“Ishte 28 gushti i 1996-ës, kishim marrë si direktivë sulmimin e një celule të ushtrisë serbe në të ashtuquajturën bjeshkët e Deçanit apo të Junikut. Isha me tre nxënësit e mi, unë si më i moshuar e mora prej shokëve direktivën se “Profesor, je i vjetër, neve na duhet aksion i shpejtë, andaj s’ki nevojë me ardhë atje po veç rrinë në këtë pikë që mos me leju me ardhë dikush tek ne”. Ata më thanë se edhe nëse është civil, nuk duhet me e leju me ardhë. Për civilët, më thanë se për me i ndal është mirë me i lutë, e pastaj me gjuajt në ajër për t’i frikësuar, në mënyrë që të kthehen. E ndeza cigaren, u shtriva dhe po i dëgjoj fërkemet dhe i shoh tre persona dhe thashë “i lumi unë më erdh rasti”. Ishin në uniformë. E mora gatishmërinë dhe mendova se ata janë ushtarë serbë.

Rrëfimi i tij vazhdon.

Për fat të mirë, sipas tij, ata kishin folur shqip dhe kjo kishte qenë arsyeja pse ai nuk kishte qëlluar në drejtim të tyre.

Një nga ta tha, “ E kemi dikën shumë ngat se po vjen era duhan”. Unë jam largu në atë moment dhe ata u kthyen. Pra unë nuk gjuajta sepse i dëgjova tek flisnin shqip. Më pas në burgun e Mitrovicës së Sremit, Hasan Zeneli më tha: “Baca Lok, i keni do bjeshkë shumë të mira. I thashë “qysh po e din?”. Më tregoi dhe më tha se ka qenë dikur ka fundi i gushtit duke ecur në ato bjeshkë. I thashë: “po kush ke more qaj zagar aq i mirë që e ndjeu erën e duhanit”. Ky më tha: Kuku, ku po e din? I thashë me shaka: “Vallahin s’e kam dit se je ti, se moti do ta kisha hekë kasavetin”. Atëherë u vërtetua se ka qenë ky, Zahir Pajaziti dhe Edmond Hoxha”, rrëfen Lokaj për Arbresh.info.

Lokaj ka qenë bashkëluftëtar i Sali Cekajt, qysh prej fillimeve të aktiviteteve të ilegales fillimisht, e më pas edhe të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ndërsa shoku i tij i burgut, Hasan Zeneli, ka qenë krahu i djathtë i luftëtarit të paepur të lirisë, “pushkës së parë” të Kosovës, Zahir Pajazitit./Arbresh.info/Emir Abduramani/

Të ngjashme