Google ADS

Ish-polici dënohet me burgim me kusht pasi arrin marrëveshje me prokurorinë

19:08 | 23 Tetor 2017
M. A.

Ish-zyrtari policor, Driton Krasniqi, i cili akuzohej për keqpërdorim të detyrës zyrtare, të hënën, është dënuar nga Gjykata Themelore në Prizren, me pesë muaj burgim.

Por, ky dënim nuk do të ekzekutohet nëse i njëjti brenda dy vjetësh nuk kryen vepër të re penale.

Gjykata këtë dënim e ka shqiptuar duke u bazuar në marrëveshjen për pranimin e fajësisë të arritur në mes Prokurorisë Themelore në Prizren dhe të akuzuarit Krasniqi.

Prokurori i rastit, Genc Nixha, ka thënë se marrëveshja është lidhur me vullnet të palëve dhe e njëjta është e bazuar në ligj, andaj ka kërkuar që e njëjta të pranohet nga gjykata.

Po ashtu edhe mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Arben Ramadani, ka kërkuar që marrëveshja e arritur mes klientit të tij dhe organit të akuzës, të pranohet nga gjykata, duke shtuar se marrëveshja ka mbështetje ligjore dhe se është arritur me vullnet të lirë të palëve.

Kryetarja e trupit gjykues, Raime Elezi, ka pranuar marrëveshjen dhe të akuzuarit ia ka shqiptuar dënimin prej pesë muajsh burgim me kusht, i cili ishte paraparë me marrëveshje. Po ashtu, e ka obliguar që të paguajë shpenzimet procedurale prej 200 eurosh.

Ndryshe, në këtë rast, përveç të akuzuarit Driton Krasniqi, kanë qenë të akuzuar edhe Besim Muqaj dhe Burak Qilinger, por dy të fundit kanë pranuar fajësinë gjatë gjykimit të parë.

Driton Krasniqi, akuzohej se më 9 maj 2015, në cilësinë e zyrtarit policor, pas një marrëveshje paraprake me Besim Muqajn, ka përpiluar një raport të aksidentit për automjetin e aksidentuar më herët, me qëllim që Muqaj të përfitojë 15 mijë euro nga kompania e sigurimit “Siguria”.

Sipas aktakuzës, Besim Muqaj, ka inskenuar një aksident komunikacioni, pastaj ka lajmëruar policinë se gjoja ka pësuar aksident me automjetin “Golf 4”, të cilin e drejtonte Burak Qilingeri, me qëllim të përfitimit të kompensimit nga kompania e sigurimit.

Ndërsa, Burak Qilingeri, akuzohej se pas një marrëveshje paraprake me të akuzuarin Besim Muqaj, është pajtuar që me automjetin e tij të inskenohet aksidenti, duke dhënë deklaratë me shkrim në polici, se kinse aksidentin e kishte shkaktuar ai.

Gjykata Themelore në Prizren, më 29 prill 2016, ka shpallur të pafajshëm Driton Krasniqin, ndërsa Besim Muqajn e ka dënuar me tre muaj burgim efektiv, të cilin dënim ia ka zëvendësuar me dy mijë euro gjobë.

Po ashtu, ka dënuar edhe Burak Qilingerin me dënim me burgim prej dy vjetësh, me kusht që brenda tre vjetësh të mos kryejë vepër tjetër penale.

Mirëpo, më 7 korrik 2017, Gjykata e Apelit, ka pranuar ankesën e organit të akuzës dhe rastin e ka kthyer në rigjykim vetëm sa i përket të akuzuarit Krasniqi, me arsye se nuk është vërtetuar saktë gjendja faktike.

Apeli po ashtu, ka ndryshuar dënimin ndaj Burak Qilingerit, të cilin e ka dënuar me tre muaj burgim, i cili dënim nuk duhet të ekzekutohet nëse ai nuk kryen vepër të re penale brenda një viti.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme