Ish-Nënkryetari i AAK’së: Ramushi në pozitë të rëndë për fajin e PDK’së

13:01 | 1 Korrik 2017
Arbresh.info

Një ish-udhëheqës dhe themelues i AAK’së thotë se Ramush Haradinaj është në pozitën më të rëndë për të formuar Qeverinë. Krejt fajet, sipas tij, i ka PDK’ja, e cila ka mashtruar partnerët e mëparshëm, LDK e AKR. Maloku thotë se rrëzimi i Fatmir Sejdiut e Isa Mustafës si dhe mashtrimi i Pacollit kanë bërë që Haradinaj ta ketë tepër të vështirë krijimin e Qeverisë. Maloku thotë se PAN’it i duhen edhe 12 deputetë për mos mbetur peng të Listës Srpska.

Njëri prej themeluesve të AAK’së, Naim Maloku thotë se Ramush Haradinaj është në pozitën më të rëndë si mandatar për formimin e Qeverisë për fajin e PDK’së.

Sipas tij, Partia Demokratike e Kosovës ka ndërtuar qasje mashtruese ndaj partnerëve të deritashëm të koalicionit qeverisës. Dhe, kjo po i shkakton telashe Kryetarit të AAK’së.

Në këtë situatë, Maloku thotë se Haradinaj e ka tepër të vështirë të ndërtojë raporte bashkëpunimi me Partinë e Isa Mustafës dhe Behgjet Pacollit për shkak se të dy këta liderë partish janë mashtruar nga PDK’ja.

Maloku thotë se PDK deri më tash ka mashtruar Fatmir Sejdiun duke përkrahur rrëzimin e tij, Isa Mustafën, poashtu, duke përkrahur rrëzimin e Qeverisë si dhe Pacollin duke mos mbajtur fjalën për partneritet strategjik.

“Thaçi dhe PDK kanë mashtruar së pari Fatmir Sejdiun. Prej atëherë Kosova është në krizë politike. Tash edhe me Isa Mustafën, posa u bë Thaçi President, PDK e minoi marrëveshjen”, ka deklaruar Maloku, të shtunën, për Express.

Fatmir Sejdiu ishte rrëzuar nga pozita e Presidentit pasi disa deputetë të AAK’së kishin çuar në Gjykatë Kushtetuese lëndën e tij me arsyetimin se po mbante në mënyrë kundërkushtetuse edhe pozitën e Shefit të LDK’së. Përsëri PDK përkrahu një mocion të opozitës për të rrëzuar Qeverinë e udhëhequr prej Kryetarit të LDK’së, Isa Mustafa.

Sipas Malokut, këto dy situata, kanë bërë që LDK as të mos e konsiderojë fare ofertën e Haradinajt për koalicion.

Maloku thotë se PDK e kishte mashtruar Pacollin dhe AKR’në prej momentit kur kishte lidhur koalicion, duke ia marrë Ministrinë e FSK’së që udhëhiqej prej Agim Çekut. Ky i fundit ishte bërë deputet në koalicion me AKR’në si Kryetar i Partisë Social Demokrate.

“Kjo mënyrë e qasjes së PDK’së e ka rëndu shumë Ramushin në krijimin e Qeverisë. Zyrtarët e PDK’së janë treguar mashtrues e rrenca”, ka shtuar ai.

“Qasjen mashturse dhe rrenën duhet ta ndryshojë”, thotë ai.

Sipas Maloku, zgjedhjet e fundit, s’e kanë nxjerrë asnjë fitues, por kanë mundësuar Haradinajt të bëhet Shef i Qeverisë, duke bërë koalicione paszgjedhore.

“Ramushi është në pozitën më të rëndë të mundshme. E ka marrë përgjegjësinë për ndërtimin e Qeverisë. E ka partner një koalicion një parti që i ka rrejt e mashtru partneret tjerë. PDK e ka ndërtuar në rrena, mashtrime e ndërskamca e paguan Ramushi. E ka situatën të rëndësuar”, ka shtuar ai.

Maloku thotë se për ndërtimin e Qeverisë së re duhet të jenë edhe të paktën 12 deputetë të tjerë në mënyrë që gjithçka të mos mbetet në vendimmarrjen e Listës Sprska.

“Mendoj se qasja duhet të ndryshojë e krijimit të Qeverisë. Duhet të shkohet në marrëveshje me partnerët tjerë e jo me marrë deputetë. Ajo nuk është qasje e mirë. Udhët të shkohet me marrëveshje. Janë dy partnerë tjerë. LDK e VV. Çdo qeveri që krijohet në baza të partneriteti është më e qëndrueshme”, ka shtuar ai.

Zgjedhjet janë mbajtur më 11 qershor derisa ende nuk janë certifikuar rezultatet që e kanë nxjerr PAN’in fituese.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme