Në seancën e parë të shqyrtimit gjyqësor, ish-ministrja Dhurata Hoxha, Ekrem Tahiri, Fitim Mustafa dhe Gëzim Dushi janë deklaruar të pafajshëm për akuzën për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Deklarimi i tyre ka ndodhur të premten në Gjykatën Themelore në Prishtinë, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Më pas është dhënë fjala hyrëse nga palët në procedurë, të cilën shumica nga ta e kanë dorëzuar me shkrim dhe më pas e kanë elaboruar.
Prokurorja Iliriana Çollaku-Tafa ka deklaruara se gjatë këtij shqyrtimi gjyqësor dhe nga provat materiale të propozuara do të vërtetohen veprat penale që iu vihen në barrë të akuzuarve dhe të njëjtit do të shpallen fajtor.
Gjithashtu, sipas një shkrese zyrtare të lexuar nga kryetari i trupit gjykues, gjykatëse Vesel Ismaili përfaqësuesja e palës së dëmtuar, Nexhmije Karaqi, e ka përkrahur fjalën hyrëse të prokurores dhe iu ka bashkëngjitur ndjekjes penale.
Në anën tjetër, mbrojtësi i të akuzuarës Hoxha, avokati Florent Latifaj ndër të tjera ka thënë se gjatë këtij shqyrtimi gjyqësor do të vërtetohet se tërë fushata zgjedhore është paguar nga mjetet monetare personale të të mbrojturës së tij, si dhe nga partia saj politike.
Ndërkaq, mbrojtësi i të akuzuarit Mustafa, avokati Arbër Jashari ka thënë se nga provat që do të administrohen vërtetojnë se mbrojturi i tij në asnjë rrethanë nuk i ka tejkaluar kompetencat e tij si dhe nuk ka ra ndesh me etikën e punës nuk ka dhënë ndonjë kriter shtesë.
Avokati Rrezon Hoxha, i cili zëvendëson me autorizim mbrojtësen e të akuzuarit Dushi, avokaten Kosovare Kelmendi, ka thënë se i përkrah kolegët e tij, pasi që pretendimet e tyre janë të argumentuara dhe ka propozuar që në fund të këtij shqyrtimi gjyqësor të mbrojturin e tij ta liroj na akuza.
Po ashtu, mbrojtësi i të akuzuarit Tahiri, avokati Driton Muharremi ka thënë se dëshmitarët e propozuar nga Prokuroria nuk provojnë asgjë në raport me të mbrojturin tij të gjitha janë thashetheme.
Tutje avokati ka thënë se gjatë këtij shqyrtimi gjyqësor do të shihet se buxheti i Kosovës nuk është dëmtuar, duke shtuar se rezervon të drejtën që në faza të më vonshme t’i propozojnë provat si mbrojtje.
Seanca e radhës për këtë çështje do të mbahet më 16 janar 2023.
Ish-ministrja Hoxha akuzohet se kishte përdorë kontratën e MIE-së për të promovuar fushatën në zgjedhjet parlamentare të vitit 2019, përderisa kjo kontratë shërbente për të informuar qytetarët rreth procesit të liberalizimit të vizave.
Sipas aktakuzës së ngritur më 12 maj 2022, Dhurata Hoxha ngarkohet se në cilësinë e ministres së MIE-së kishte nënshkruar kontratën për Shërbime të Informimit Publik për nevoja të MIE dhe operatorin ekonomik “PR Solution”.
Në aktakuzë thuhet se edhe pse ky aktivitet i prokurimit kishte qëllim të informonte qytetarët për procesin e liberalizimit të vizave dhe marrëveshjen e stabilizim-asocimit (MSA), e pandehura Hoxha në kundërshtim me ligjin, si ministre kishte shfrytëzuar këtë duke promovuar fushatën e saj zgjedhore si deputete në zgjedhjet parlamentare të mbajtura më 6 tetor 2019.
Tutje thuhet se promovimi ishte realizuar me publikimin e banerëve, videove që vinin në pah të pandehurën Hoxha, e në kundërshtim me parimet dhe kushtet e kësaj kontrate, duke i mundësuar të pandehurës përfitim të padrejtë në dëm të buxhetit të Kosovës, në shumën prej 143 mijë e 447 euro e 80 centë.
I pandehuri Fitim Mustafa akuzohet se në cilësinë e zyrtarit përgjegjës i Prokurimit të MIE-së, me dashje kishte keqpërdoruar detyrën zyrtare pasi kishte kontraktuar dy operatorë ekonomikë, “PR Solution” dhe N.Sh “2B”, të përzgjedhur fillimisht nga Komisioni i Vlerësimit si OE që kishin plotësuar kriteret sipas dosjes së tenderit për aktivitetin e prokurimit “Kontrata për shërbime të informimit publik për nevojat e MIE-së”, duke e vënë kriter shtesë të papërcaktuar në dosje të tenderit, e duke ndikuar kështu në mënyrë të kundërligjshme të eliminohet OE, i cili kishte ofruar çmimin për rreth 192 mijë e 700 euro më të ulët në një tender me kriter çmimin më të ulët, ndërsa me kontratën në fjalë të shpërblehej OE “PR Solution”.
Me këtë, ekziston dyshimi i bazuar mirë se i pandehuri Mustafa ka kryer veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar, nga neni 414, par.2 të Kodit Penal.
I pandehuri Gëzim Dushi akuzohet se në cilësinë e zyrtarit për komunikim dhe informim në MIE, në periudhën kohore gusht 2019- janar 2020, duke qenë menaxher i kontratës: “Shërbime të informimit publik për nevojat e MIE-së”, me dashje nuk kishte zbatuar dispozitat ligjore për menaxhimin e drejtë të kësaj kontrate, me qëllim që të përfitonte e pandehura Dhurata Hoxha.
Sipas aktakuzës, i pandehuri kishte lejuar të pranoheshin shërbimet dhe të kryheshin pagesa edhe pse ishte në dijeni se shërbimet e pranuara nuk ishin shërbime konform kushteve të kontratës dhe se ishte në dijeni se shërbimet e pranuara që përfshinin publikimin e banerëve, artikujve dhe video-spoteve që vënin në pah të pandehurën Dhurata Hoxha për zgjedhjet parlamentare të 6 tetorit 2019, në të cilat kishte kandiduar edhe e pandehura Hoxha.
Me këtë, ekziston dyshimi i bazuar mirë se ka kryer veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar, nga neni 414, par.2 të KPRK-së.
I pandehuri Ekrem Tahiri ngarkohet se nga muaji gusht deri në tetor 2019 në cilësi të bashkëpronarit dhe drejtorit të kompanisë “PR Solution” Shpk, kompania e të cilit kishte hyrë kontratë me MIE me qëllim të informimit të qytetarëve rreth proceseve të ndryshme të veprimtarisë së MIE-së, me dashje nuk i kishte kryer në përputhje me kontratën edhe pse ishe në dijeni se shërbimet e kryera nuk ishin shërbimet të ofruara konform kushteve të kontratës sipas dosjes së tenderit.
Me këto veprime, ekziston dyshimi i bazuar mirë se ka kryer veprën penale të ndihmës në kryerjen e keqpërdorimit të detyrës zyrtare, ndërsa Prokuroria ka pushuar hetimet ndaj tij për veprën penale të mashtrimit.
Prokuroria Speciale ka kërkuar që të pandehurve Dhurata Hoxha, Gëzim Dushi dhe Fitim Mustafa t’iu ndalohet ushtrimi i funksioneve në administratës publike.
Kurse, ndaj secilit të pandehur ka kërkuar nga gjykata të shqiptojë dënimin plotësues urdhrin për kompensimin e dëmit të buxhetit të Kosovës.
Ndryshe, Hoxha për akuza për korrupsion është duke u akuzuar edhe një rast tjetër.
Siguria e Gjermanisë nuk ka prioritet për Trumpin
Dymbëdhjetë ushtarë britanikë lëndohen në një aksident trafi...
Man Utd synon një shkëmbim të madh të lojtarëve me Juventusi...
38-vjeçari gjendet i vdekur në Shëngjin
Ushtria urdhërohet “të qëllojë menjëherë”, teksa mbështetësi...
Sot në Kamenicë zbulohet shtatorja e heroit Metush Krasniqi