Google ADS

Ish-ministri Nenad Rikallo dënohet me 3 vjet burg

10:40 | 1 Qershor 2023
K.B

Gjykata Themelore në Prishtinë ka njoftuar se ish-ministri serb i Bujqësisë, Nenad Rikallo, është dënuar me 3 vjet burg.

Në njoftimin e Gjykatës thuhet se ai është dënuar lidhur me akuzat për korrupsion.

Kurse, ish-sekretari i përgjithshëm i kësaj ministrie, Kapllan Halimi, u dënua me 2 vite e 6 muaj burgim efektiv.

Sipas aktgjykimit, ish-ministri Nenad Rikalo dhe ish-sekretari Kapllan Halimi, shpallen fajtorë për pikën 1 të aktakuzës. Me këtë, Rikalo dënohet me 3 vite burgim efektiv, kurse Halimi me 2 vite e 6 muaj burgim.

Të akuzuarit Shefki Zeqiri, Ekrem Gjoka, Lindar Krasniqi, Shkelzen Morina, Leon Thaçi dhe Albana Zeqiri, lirohen nga akuza, pasi që nga provat e administruara nuk është vërtetuar se janë përfshirë në kryerjen e veprës penale për të cilën janë akuzuar sipas aktakuzës.

Njoftimi i plotë i Gjykatës Themelore në Prishtinë:

Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykimin në çështjen penale kundër tetë të akuzuarve

Prishtinë 01 Qershor 2023 – Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special ka shpallur aktgjykimin PS.nr.74/19 në çështjen penale kundër të akuzuarve N.R, K.H, SH.Z, E.Gj, SH.M, L.TH, L.K dhe A.Z.

I akuzuari N.R është shpallë fajtor dhe është dënuar me burgim në kohëzgjatje prej 3 (tre) vite për veprën penale Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar në bashkëkryerje nga neni 422 paragrafi 1 dhe paragrafi 2 nënparagrafi 2.1 dhe 2.2 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, si dhe i shqiptohet edhe dënim plotësues, e që të akuzuarit N.R i ndalohet ushtrimi i funksioneve në administratën publike ose në shërbimin publik në kohëzgjatje prej 3 (tre) viteve, pas mbajtjes së dënimit me burgim të shqiptuar si në këtë aktgjykim.

I akuzuari K.H është shpallë fajtor dhe është dënuar me burgim në kohëzgjatje prej 2 (dy) vite e 6 (gjashtë) muaj për veprën penale Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar në bashkëkryerje nga neni 422 paragrafi 1 dhe paragrafi 2 nënparagrafi 2.1 dhe 2.2 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, si dhe i shqiptohet edhe dënim plotësues, e që të akuzuarit K.H i ndalohet ushtrimi i funksioneve në administratën publike ose në shërbimin publik në kohëzgjatje prej 3 (tre) viteve, pas mbajtjes së dënimit me burgim të shqiptuar si në këtë aktgjykim.

Detyrohen të akuzuarit që ti paguajnë shpenzimet e procedurës penale edhe atë: për ekspertizën financiare në mënyrë solidare shumën prej 2000 (dymijë) €uro, për shpenzimet e paushallit gjyqësor secili veç e veç në shumën prej 500 (pesëqind ) €uro, si dhe në emër të programit për kompensimin e viktimave të krimit secili veç e veç shumën prej 100 (njëqind) €uro, të gjitha këto në afat prej pesëmbëdhjetë (15) ditëve nga dita e plotfuqishmërisë së këtij Aktgjykimi.

E dëmtuara Avokatura Shtetërore e Kosovës pranë Ministrisë së Drejtësisë së Republikës së Kosovës në Prishtinë, për realizimin e kërkesës pasurore – juridike udhëzohet në kontest të rregullt juridiko-civil.

Të akuzuarit SH.Z, E.Gj, SH.M, L.TH, L.K dhe A.Z janë liruar nga akuza për shkak se nga dëgjimi i dëshmitarëve, ekspertit dhe provave të administruara gjatë shqyrtimit gjyqësor nuk është vërtëtuar se të akuzuarit kanë kryer veprën penale Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar në bashkëkryerje nga neni 422 paragrafi 1 dhe paragrafi 2 nënparagrafi 2.1 dhe 2.2 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

E dëmtuara Avokatura Shtetërorë e Kosovës pranë Ministrisë së Drejtësisë së Republikës së Kosovës në Prishtinë, për realizimin e kërkesës pasurore – juridike udhëzohet në kontest të rregullt juridiko-civil.

Kundër këtij aktgjykimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë./Arbresh.info/

 

Të ngjashme