Ish Ministri Hasani deklarohet pas lirimit nga detyra

10:51 | 7 Shtator 2018
M. A.

Kanë kaluar dy ditë që prej se Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani u lirua nga detyra e tij nga partia prej nga vjen, por ende nuk dihet arsyeja se pse erdhi deri te kjo. Vetëm sot ish Ministri Hasani është deklaruar për largimin e tij nga pozita.

Ish Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani vetëm sot është deklaruar lidhur me lirimin e tij nga pozita e ministrit, ndonëse ka dy ditë që më nuk e ushtron atë pozitë.

Ministri kishte qëndruar i heshtur, ndërsa sot përmes një statusi në Facebook tha se është munduar të mos bëjë kompromis me të keqen.

Hasani përmes një statusi në Facebook ka shkruar se është të jesh ministër në vende të tjera është privilegj, por jo edhe në Kosovës, duke aluduar kështu se është penguar gjatë kryerjes së detyrës.

“Ditën që i jam futur politikës dhe jam emëruar ministër e kam pasur të qartë se do të jetë një rrugëtim i vështirë. Atë ditë jam zotuar para familjes sime, para miqve dhe njerëzve të këtij vendi se nuk do të bëj kompromis me të keqen. E kam pranuar këtë detyrë për të punuar për të mirën e njerëzve të këtij vendi”, ka shkruar Hasani.

Tutje, Hasani vetëm ka treguar për punën që ka bërë si Ministër në MTI dhe ka falenderuar të gjithë për bashkëpunimin.

Ky është statusi i plotë i tij:

E ndjej për obligim dhe të nevojshme që t’ua jap një sqarim pas ngjarjeve të fundit.

Siç e dini unë më nuk jam pjesë e Qeverisë së Kosovës, konkretisht Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë. Të jesh ministër i shtetit tënd është nder e privilegj, … por jo në rrethana të tilla si në Kosovë.

Ditën që i jam futur politikës dhe jam emëruar ministër e kam pasur të qartë se do të jetë një rrugëtim i vështirë. Atë ditë jam zotuar para familjes sime, para miqve dhe njerëzve të këtij vendi se nuk do të bëj kompromis me të keqen. E kam pranuar këtë detyrë për të punuar për të mirën e njerëzve të këtij vendi.

Shpresoj se gjatë kohës sa kam drejtuar me MTI-në, kam arritur tu them stop të këqijave, të kem arritur që të rregulloj segmente të rëndësishme që prekin jetën e qytetarëve të Kosovës, që prodhuesve vendor tu kem ofruar mbështetjen e duhur institucionale dhe rregullimin e infrastrukturës ligjore.

E krejt punët e mira që kemi bërë në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë gjatë këtij viti, nuk mund të mendoheshin pa punën profesionale dhe me përkushtim të të gjithë stafit të kësaj ministrie.

Dua t’i falënderoj të gjithë kolegët në MTI, drejtorët e departamenteve, kryeshefat, stafin tim për punën e palodhshme. Bashkë me njerëzit e zellshëm të MTI-së përgjatë një viti kemi bërë punë që nuk janë bërë për një kohë të gjatë. Andaj, u jam mirënjohës secilit veç e veç.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme