Ish-luftëtari i UÇK-së demanton Haradinajn dhe Gucatin: Nuk jam ndaluar nga policia shqiptare, ka dy ditë që gjendem në pushime

15:48 | 2 Gusht 2020
Arbresh.info

Ish-luftëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Murtez Kastrati ka demantuar ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj-Stublla, dhe kryetarin e Organizatës së Veteranëve të Luftës së ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucati, rreth ndalimit të tij nga autoritetet e Shqipërisë pas kërkesës së Serbisë përmes Interpolit.

Kastrati në një prononcim dhënë për arbresh.info ka thënë se nuk ka pasur asnjë ndalesë nga policia shqiptare.

Kastrati ka shtuar se ka dy ditë që ndodhet në Shqipëri për pushime dhe nuk ka pasur asnjë problem.

“Unë qe dy ditë jam në pushime. Jo jo nuk kemi pas asnjë ndalim, jo unë ka dy ditë që jam në pushime”, ka thënë ai.

Ndërsa, rreth deklaratave të Haradinajt dhe Gucatit ka thënë se nuk është në dijeni

“Jo unë jam në pushime dhe nuk mund të them asgjë nëse jam të vërteta apo jo sepse nuk e di”, ka përfunduar ai prononcimin dhënë për arbresh.info.

Ndryshe pasditen e sotme lajmin për ndalimin e Kastratit nga policia e Shqipërisë e ka bërë të ditur kryetari i organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati.

Ai përmes një postimi në facebook ka shkruar se ndalesa ka ardhur pasi shteti serb ka dërguar emrin e tij dhe shumë ish pjesëtarëve të UÇK-së në Interpol.

Madje Gucati ka kërkuar nga ish-luftëtarët e tjerë të mos kalojnë kufirin e Kosovës për të mos i pritur i njëjti fat si i Murtez Kastratit.

“Veterani i UÇK-së Murtez Kastrati nga Lipjani sot është ndaluar nga policia e Shqipërisë pasi që shteti Serb ka dërguar emrin e tij dhe shume ish pjestarëve të UÇK-së në Interpol, nga burimet që kemi marrë Serbia këto ditë ka bërë një listë të re me emra të ish pjestarëve të UÇK-së, ju bëjmë apel bashkluftëtarëve që këto ditë mos të lëvizin dhe të mos dalin në shtetet tjera, Shteti i Shqipërisë duhet sa me parë ta liroje Murtez Kastratin dhe të mos i marrë parasysh asnjëherë veprimet dhe listat e dërguar në Interpol nga Serbia, deri sa do të vazhdojnë kështu duke u maltretuar në këtë formë njerëzit që dhanë çdo gjë që ne sot ta kemi shtetin, veteranët ende nuk janë në gjendje të lëvizin të lirë, Qeveria e Kosovës sa me parë duhet të marrë masa në këtë drejtim dhe të mos kemi më raste të tilla!”, ka shkruar Gucati.

Veterani i UÇK-së arrestohet në Shqipëri pasi Serbia e futi në Interpol

Ndërsa pas rret dy orësh ka reaguar ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj-Stublla.

Ajo përmes një postimi në facebook ka shkruar se Kastrati është liruar teksa ka kërkuar që kërkesat e Serbisë përmes INTERPOL-it të azhurnohen nga autoritet e Shqipërisë

“Me të lexuar njoftimin nga z. Hysni Gucati, rreth ndalimit të ish luftëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, z.Murtez Kastratit, kam kontaktuar menjëherë homologun shqiptar z.Gent Cakaj, i cili ka vepruar shpejtë dhe ka sqaruar që z. Kastrati është ndaluar për verifikim dhe liruar para 2 orësh.
Është e papranueshme se si Serbia shtiret ndërkombëtarisht për kinse ‘konstruktivitet’ ndaj Kosovës, ndërsa posa mbyllen dyert e të ashtuquajturit dialog, vazhdon veprimet ilegale kundër Kosovës.Kërkesat e Serbisë përmes INTERPOL-it duhet të azhurnohen nga autoritet e Shqipërisë, dhe të reflektojnë realitetin politik e ligjor të Kosovës. Do të angazhohemi bashkë me organizatat e dala nga lufta që menjëherë Qeveria, respektivisht MPJD dhe MPB e Republikës së Kosovës, t’u vë në dispozicion autoriteteve të Shqipërisë, listat e veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, ka shkruar Haradinaj./arbresh.info/

Lirohet veterani i UÇK-së që u ndalua nga Policia e Shqipërisë

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme