Në Gjykatën Themelore në Prishtinë ka vazhduar gjykimi lidhur me vrasjen e politikanit serb, Oliver Ivanoviq. Ish-kryetari i Komunës së Leposaviqit, Dragan Jabllanoviq, në cilësinë e dëshmitarit, ka thënë se nuk di asgjë në lidhje me vrasjen e Ivanoviqit, sipas tij populli fliste se Lista Serbe po i bënte presion.
Në këtë rast, për përfshirje në vrasjen e Ivanoviq e cila kishte ndodhur në janar të 2018-ës, po akuzohen Marko Roshiq, Nedelkjo Spasojeviq, Dragisha Markoviq, Zharko Jovanoviq, Silvana Arsoviq dhe Rade Basara.
Dëshmitari Dragan Jabllanoviq duke u përgjigjur në pyetjet e prokurorit special Burim Çerkini, ka thënë se nuk di asgjë për vrasjen e Ivanoviqit dhe se për vrasjen e tij e kishte kuptuar përmes medieve.
Ai ka thënë se gjatë viteve 2017-2018, ka qenë kryetar i komunës së Leposaviqit, ndërsa në fund të dhjetorit tha se ka bërë pranim-dorëzimin e detyrës, e më pas ishte angazhuar si këshilltar i Listës Serbe.
Tashmë të ndjerin Ivanoviq, dëshmitari tha se nuk e kishte njohur personalisht dhe se me të ishin takuar vetëm një herë në një emision të një televizioni privat.
Ai ka deklaruar se gjatë vitit 2017, ishte penguar fushata e tij elektorale nga Lista Serbe e cila sipas tij nuk iu kishte lënë qasje në medie, si dhe i kishin kërcënuar përmes personave të caktuar- aktivistë të kësaj partie, me qëllim të pengimit të aktivitetit të tyre politik.
Jabllanoviq ka përmendur se disa persona të cilët e kishin penguar atë që të mos ketë qasje në zyrën e tij dhe se këta persona i kishin thënë se ishin paguar nga 1 mijë euro që ta pengonin.
Prokurori special Burim Çerkini e ballafaqoi me deklaratën e dhënë në prokurori, në të cilën kishte deklaruar se gjatë kësaj fushate Milan Radojçiq i kishte paguar këta persona.
Lidhur me këtë, dëshmitari ka thënë se ata persona nuk e kishin përmendur se kush i kishte paguar, ndërsa i pyetur se përse e kishte përmendur emrin e Milan Radojçiq, ai ka thënë se nuk e kishte lexuar deklaratën që e kishte dhënë.
Ai është pyetur edhe për rastin e djegies së veturës së tani të ndjerit Ivanoviqit në vitin 2017, ku dëshmitari për këtë rast tha se ka dëgjuar përmes medieve dhe i njëjti ka thënë se pas këtij rasti të gjithë në Leposaviq e kishin ndjerë veten të pasigurt.
Ndërsa, i njëjti në prokurori kishte deklaruar se pasi kontaktoi me të ndjerin Ivanoviq, i cili ishte ankuar se është një politikan i urryer dhe se ka presione, e që sipas dëshmitarit, të gjithë e kishin ditur se ky presion i kishte ardhë nga Lista Serbe dhe Milan Radojçiq.
“Nuk e di si ka ardhur deri te kjo, ne kemi biseduar me Oliverin edhe para dhe pas emisionit, është publike se kush ka bërë presion dhe këtë gjithë e dimë. E di se populli fliste që është Lista Serbe që po i bën të gjitha këto presione”, ka thënë dëshmitari, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Pasi dëshmitari Jabllanoviq ka hezituar për tu përgjigjur se a ka qenë në dijeni se Milan Radojçiq ka pasur lidhje me policët në veri, prokurori Cerkini e ballafaqoi me deklaratën e dhënë në prokurori, në të cilën kishte deklaruar se të gjithë eprorët e policisë janë në bashkëpunim të ngushtë me Milan Radojçiq dhe se njëri prej tyre është i akuzuari Zheiko Bojiç, i cili gjendet në arrati.
“Ku e di unë, në çdo fushatë Radojçiqi ka shkuar me Listën Serbe dhe ne nuk kemi ekzistuar fare”, është përgjigjur dëshmitari.
Në seancën e së martës ka dhënë dëshminë edhe dëshmitarja Radmilla Rajqiq, e cila ka deklaruar se në dhjetor 2018 ishte ftuar në polici për të dhënë deklaratë për vrasjen e djalit të tij, por jo për vrasjen e Ivanoviqit.
Prokurori e pyeti dëshmitaren në lidhje me deklaratën e dhënë në prokurori, në të cilën kishte përmendur ekzistimin e disa grupeve në veri, prej të cilëve kishte përmendur edhe disa nga të akuzuarit në këtë çështje penale.
“Unë këta policët që janë këtu nuk e njoh asnjërin fare dhe as që i kam përmendur në deklaratat e mia këta, unë kam pasur vërejtje në kryesorët që kanë qenë atje dhe vërejtjet e mia kanë qenë të drejtuara drejt atyre dhe jo drejt policëve të tjerë”, ka thënë dëshmitarja.
Prokurori Cerkini ia rikujtoi deklaratën në polici, në dhjetor 2018, ku në pyetjen se çka mendon për vrasjen e Ivanoviqit, ajo kishte deklaruar se vrasja e tij vjen nga grupi i udhëhequr nga Milan Radojçiq, pjesë e të cilit janë edhe Zheiko Bojiç dhe Rade Basara.
“Ky është veç mendimi im, nuk jam unë e sigurt se këta e kanë kryer vrasjen, se po të isha i sigurt do t’i kisha akuzuar. Nuk më kujtohet se kam thënë saktësisht kështu, por nuk kam kurrfarë provash por vetëm kam dëgjuar thashetheme të qytetit”, ka deklaruar dëshmitarja.
Ajo shtoi se nga të akuzuarit i njeh vetëm Marko Roshiq, Silvana Arsoviq dhe Rade Basara, të cilët tha se e kanë udhëhequr hetimin e vrasjes së djalit të saj.
Për shkak se dëshmitarja është pyetur në lidhje me një deklaratë që ka dhënë për rastin e djalit të saj e jo për vrasjen e Ivanoviqit, ka reaguar avokati Faruk Korenica, i cili e mbron të akuzuarin Nedelkjo Spasojeviq, pasi sipas tij deklaratat e kësaj dëshmitareje duhet të veçohen nga shkresat e lëndës.
Por këtë propozim e ka kundërshtuar prokurori Cerkini, ndërsa trupi gjykues i udhëhequr nga gjykatësi Valon Kurtaj kanë refuzuar këtë propozim me arsyetimin se vendimin e shkallës së parë lidhur me kundërshtimin e provave ka vendosur edhe Gjykata e Apelit.
Seanca e radhës pritet të mbahet më 28 shkurt 2022.
Eman Rrahmani tregon si qëndrojnë punët e “Familjes”, ia kth...
Gresa: Moderimi më pëlqen, ama në televizion nuk ma kanë dhë...
Mbyllet pjesa e parë në Gjilan, Llapi në epërsi ndaj Dritës
Begaj mbyll takimet për datën e zgjedhjeve: Opinionet udhëhi...
Ukraina thotë se goditi një depo nafte dhe objektiva të tjer...
Lushtaku viziton ish-krerët e UÇK-së në Hagë: Do të kthehen ...