Gjykata Themelore në Prishtinë e ka aprovuar pjesërisht kërkesëpadinë ish-guvernatorit të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Hashim Rexhepi, i cili kishte kërkuar nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), kompensimin e dëmit material dhe jo material në shumën prej 1,953,104.00 euro, për shkak të mbajtjes së tij në paraburgim si dhe masave tjera për sigurimin e pranisë së tij.
Një shumë të tillë, ai e kishte kërkuar për shkak të pretendimeve se nga 23 korriku e deri më 23 nëntor 2010 ishte mbajtur në paraburgim, ku pas kësaj atij i ishin shqiptuar edhe masat tjera si dorëzania dhe paraqitja në Stacionin e Policisë deri më 16 shkurt të vitit 2011, ku sipas padisë edhe ishte liruar nga aktakuza me aktvendim nga ish-Gjykata e Qarkut në Prishtinë, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Nga shuma totale prej 1,953,104.00 eurove, që ai kishte kërkuar në emër të dëmit material dhe jo material që i ishin shkaktuar me rastin e arrestimit të tij dhe qëndrimit në paraburgim për katër muaj, si dhe masat tjera, me aktgjykimin e 27 tetorit të këtij viti, Rexhepi do të kompensohet nga shteti në shumën prej 204,307.00 euro.
Më këtë aktgjykim, gjykata pjesërisht e ka aprovuar kërkesëpadinë e paditësit Rexhepi, ashtu që ka detyruar të paditurën, Republikën e Kosovës – Këshillin Gjyqësor të Kosovës, që atij në emër të dëmit jo material t’ia paguaj shumën e përgjithshme prej 45,500.00 euro, me kamatë ligjore si për mjetet e deponuara në banka pa destinim të caktuar, duke u përllogaritur nga data e marrjes së aktgjykimit deri në pagesën definitive, kështu duke e refuzuar pjesën tjetër të kërkesëpadisë sa i përket dëmit jo material.
Gjykata, sipas këtij aktgjykimi, kishte vlerësuar se periudha brenda së cilës palës paditëse i është shkaktuar dëmi moral për shkak të rrënimit të prestigjit, dëmtimit të imazhit dhe reputacionit është periudha prej 172 ditëve.
Po ashtu, gjykata ia kishte falur besimin ekspertizës psikiatrike ku thuhet se paditësi ka përjetuar dhimbje shpirtërore të intensitetit të lartë gjatë periudhës së kufizimit të lirisë për katër muaj, si dhe për periudhën prej 172 ditëve, ku dhimbjet shpirtërore thuhet se kishin qenë të intensitetit të ulët.
Ndërsa, sa i përket dëmit material sipas këtij aktgjykimi gjykata ia ka aprovuar në tërësi si të bazuar kërkesëpadinë e paditësit, duke detyruar të paditurën që në emër të fitimit të humbur nga të ardhurat personale të parealizuara dhe benefitet tjera përcjellëse, duke ia falur besimin ekspertizës financiare me versionin nga periudha kur paditësi është pushuar nga puna më 23 korrik 2010 e deri në skadencën e mandatit të guvernatorit më 26 mars 2013, atij t’ia paguaj shumën prej 109,834.00 euro në emër të pagave neto, ndërsa në emër të kontributit pensional shumën prej 12,864.00 euro, në emër të tatimit në pagë shumën prej 12,204.00 euro, në emër të kursimeve në sigurimin Slloveno-Kosovar, kontributin në shumën prej 15,543.00 euro.
Ndërsa gjykata e ka refuzuar pjesën tjetër të kërkesëpadisë sa i përket periudhës prej skadimit të mandatit të guvernatorit të BQK-së, prej 26 marsit 2013 e deri më 30 nëntor 2019.
Gjithashtu, gjykata i ka aprovuar edhe shpenzimet e procedurës gjyqësore në shumë prej 3,328.00 euro, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Sipas këtij aktgjykimi gjykata në bazë të provave ka vërtetuar se e paditura me vetë ujdinë e propozuar për barazim gjyqësor të KGJK-së më 8 mars 2012, me të cilën nuk ishte pajtuar pala paditëse, e njëjta ka legjitimitet të plotë që paditësit t’ia kompensoj dëmin material, fitimin e munguar dhe dëmin moral të cilin ai e kishte pësuar për shkak të nënshtrimit të procedurave penale, qëndrimit në paraburgim dhe masave tjera.
Në këtë aktgjykim thuhet se gjykata me rastin e aprovimit të pjesërishëm të kërkesëpadisë së paditësit për kompensimin e dëmit material dhe jo material, ka aplikuar dispozitën e nenit 354.1 të KPPK-së, me të cilën parashihet e drejta e paraqitjes së kompensimit të dëmit të pësuar për dënim të paarsyeshëm dhe procedura ligjore të pa drejta, si dhe nenin 200 al.1.1, nenin 155 dhe 277 të LMD-së, për kompensimin e dëmit material dhe jo material me kamat ligjore, si dhe nenin 452.1 të LPK-së, për shpenzimet e krijuara gjyqësore.
Ndryshe, më 6 tetor 2020, përfaqësuesi i paditësit Adnan Pacolli me anë të parashtresës kishte bërë precizimin e kërkesëpadisë, me anë të së cilës paditësi ka kërkuar nga gjykata që të detyrohet e paditura, Republika e Kosovës, përkatësisht KGJK-ja, që atij t’ia kompensojë dëmin jomaterial në shumën e përgjithshme prej 1,630.000.00 euro, si dhe dëmin material dhe fitimin e humbur shumën prej 323,104.00 euro, me kamat ligjore prej 8% nga data 27 mars 2012, si dhe shpenzimet e procedurës kontestimore në shumën prej 3,382.50 euro.
Ndërkaq, në seancën e shqyrtimit kryesor që ishte mbajtur më 9 tetor 2020, ishte dhënë fjala përfundimtare nga palët ndërgjyqëse.
Sipas padisë së ushtruar më 27 mars 2012, paditësi Hashim Rexhepi, po kërkon nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, kompensimin e dëmit material dhe jo material, për qëndrimin e tij në paraburgim për katër muaj si dhe masat tjera si ajo e dorzanisë dhe paraqitjes në Stacionin Policorë gjer më 16 shkurt 2011.
Në padi thuhet se ai gjatë asaj kohe ishte emëruar në detyrën e Drejtorit të Përgjithshëm të Bankës Qëndrore të Kosovës, ku i njëjti këtë detyrë e kishte ushtruar gjer më 23 korrik të vitit 2010, dhe të njëjtit i ishte ndërprerë kjo detyrë pasi që kundër tij ishte caktuar masa e paraburgimit nga kjo datë.
Siç thuhet në padi paraburgimi ndaj paditësit ishte caktuar me arsyetimin se kundër tij është zhvilluar procedurë penale sipas aktakuzës së ngritur nga Prokurori Special i Republikës së Kosovës, për disa vepra të shënuara në këtë aktakuzë.
Gjithnjë sipas padisë, paditësi Rexhepi, në paraburgim ka qëndruar nga 23 korrik deri më 23 nëntor të vitit 2010, pas masës së paraburgimit ndaj paditësit janë shqiptuar edhe masat tjera të sigurisë siç janë dorzania dhe masa e paraqitjes në Stacionin Policor dhe atë deri më 16 shkurt 2011.
Në padi thuhet se paditësi në bazë të vendimit të ish-Gjykatës së Qarkut në Prishtinë të nxjerr më 11 janar 2011, është liruar nga aktakuza dhe nga kjo del përfundimi se ndaj paditësit është zhvilluar procedurë pa bazë ligjore, gjë që përfaqëson bazë ligjore për dëmshpërblim.
Bazuar në padi zhvillimi i procedurës kundër paditësit qëndrimi në paraburgim dhënia e dorëzanisë si dhe masa e paraqitjes në Stacionin Policor, kanë bërë që paditësi të pësoj dëm të konsiderueshëm material dhe moral, ku nga ky dëm atij iu kishte mbyllur karriera si dhe konsiston në humbjen e pagës për punën që ai e bënte ashtu edhe në fitimin e humbur sidomos në pamundësinë që për shkak të këtyre masave është pamundësuar që ai të realizoi të ardhura.
Po ashtu në padi thuhet se KGJK, paditësit i ka bërë ofertë për ujdi jashtëgjyqësore për kompensimin e dëmit material dhe jo material në shumën e përgjithshme prej 15,903.03 euro, ku kjo ofertë ishte konsideruar tejet e ulët nga paditësi dhe marrëveshja nuk ishte arritur.
Me anë të kësaj padie ai po kërkon nga gjykata që të detyrohet KGJK-ja, që atij t’ia kompensoj dëmin material dhe jo material të shkaktuar për shkak të mbajtjes së tij në paraburgim si dhe masave tjera për sigurimin e pranisë së tij. /BetimipërDrejtësi
Diplomatët amerikanë në Siri, për herë të parë pas rënies së...
Numri i serbëve në Kosovë – vetëm sipas vlerësimit
Sikorski: Shqipëria lider në procesin e anëtarësimit
Njohja e pasaportave nga Armenia, Kurti thotë se ky dokument...
Infantino: Kosova jorastësisht në Top 100 të Ranglistës së F...
Sulm me thikë në një shkollë të Zagrebit, vdes një 7 vjeçar