Sapo kishte zbardhur mëngjesi i 23 korrikut të vitit 2010, oficerët e Policisë së Kosovës bashkë me ata të EULEX-it që ishin pjesë e “Task Force” Kundër Korrupsionit kishin mësyrë shtatë lokacione, zyrat e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) , duke përfunduar tek arrestimi i Guvernatorit të atëhershëm të BQK-së, Hashim Rexhepi, shkruan arbresh.info.
Për të përcjell nga afër arrestimin spektakular të ish-guvernatorit Hashim Rexhepi, organet e ndjekjes ishin kujdesur edhe për prezencën e mediave.
Ish-guvernatori i BQK-së, ishte arrestuar nën dyshimin për kryerjen e pesë veprave penale, që kanë të bëjnë me shpërdorim të detyrës zyrtare, mashtrimit dhe ushtrimit të ndikimit.
Katër muaj pas qëndrimit të tij në paraburgim, Rexhepi kishte paguar kaucion në vlerë 20 mijë eurosh për tu mbrojtur në liri.
Një vit më vonë, Gjykata e Qarkut në Prishtinë kishte hedhur poshtë si të pabazuar aktakuzën ndaj ish-guvernatorit Rexhepi.
Pas lirimit të tij nga të gjitha akuzat, Rexhepi kishte kërkuar dëmshpërblim për kohën e kaluar në paraburgim, përballje me gjykim të padrejtë, shpenzimet e mbrojtës së tij si dhe linçimit publik që i ishte bërë.
Por edhe shtatë vjet nga koha kur Rexhepi kishte dorëzuar padinë e tij kundër Këshillit Gjyqësori të Kosovës (KGJK), Gjykata Themelore në Prishtinë ende nuk ka caktuar asnjë seancë rreth padisë dhe kërkesës së tij për dëmshpërblim.
Rexhepi: Nuk ka para që mund ta kompensoj dëmin që më është shkaktuar
Në një prononcim për arbresh.info, ish- guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Hashim Rexhepi thotë se asnjëherë deri tash nuk është ftuar nga gjykata për këtë çështje.
“Që 7 vjet lënda është në gjykatë, mirëpo ende asgjë nuk ka ndodhur, as një seancë nuk është mbajtur”, ka thënë ai.
Ai thotë se nuk ka shumë të parave që mund ta kompensoj dëmin që i është shkaktuar në atë kohë, përfshirë dhimbjen, linçimin dhe gjykimin e padrejtë që i ishin bërë në vitin 2010.
“Është normale që të kompensohem sepse dëmi që më është shkaktuar nuk ka shumë e parave që e kompenson, mirëpo të paktën një përkrahje morale”, është shprehur Rexhepi.
Gashi: Kjo lëndë i është dorëzuar gjyqtarit në dhjetor të vitit 2018
Derisa Gjykata Themelore në Prishtinë është kompetentë për trajtimin e kësaj padie, zyrtarë të kësaj gjykate pohojnë se kjo lëndë i është dorëzuar gjyqtarit të rastit në dhjetor të vitit 2018.
Zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi ka pohuar se seanca gjyqësore në këtë çështje pritet të caktohet shumë shpejtë.
“Ju njoftojmë se lëndën në fjalë gjyqtari i çështjes e ka pranuar me datë 10.12.2018. Seanca gjyqësore lidhur me këtë lëndë pritet që të caktohet së shpejti”, ka thënë Gashi.
Ish guvernatorit Hashim Rexhepi ka kërkuar rreth 2 milion euro kompensim të dëmit që i është shkaktuar nga gjithë procesi gjyqësor ndaj tij.
Zyrtarë të Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK) pohojnë se i gjithë buxheti i Gjyqësorit për vitin 2019 është 29 milion euro (29,404,466.00 euro).
Drejtori i Departamenti Ligjor dhe Sekretariatit të KGJK-së, Astrit Hoti ka thënë për arbresh.info se Kuvendi i Kosovës për buxhetin e vitit 2019 ka ndarë vetëm 500.000 euro, për këtë kategori.
Ai ka pohuar se shuma që i ishte ofruar Rexhepit si kompensim nga KGJK ishte mbi 15 mijë euro.
“Hashim Rexhepi në kërkesën e datës 07.02.2012 ka kërkuar që ti kompensohet shuma prej 567.000 euro në emër të dëmit material (Pagat për 144 muaj), 500.000 euro në emër të prestigjit të humbur, 300.000 në emër të cenimit të të drejtave, 300.00 për rehabilitimin e tij ndërsa KGJK ja ka ofruar shumen prej 15.903.00 euro”, ka thënë Hoti.
Përkundër buxhetit të limituar të gjyqësorit, Hoti thotë se nëse padia e Rexhepit dhe padi të tjera që janë bërë kundër KGJK-së, prapë se prapë paratë duhet paguar nga buxheti i KGJK-së.
Avokati Rrecaj: Gjyqtarët që mos të caktojnë paraburgim vend e pavend
Përveç ish-guvernatorit Hashim Rexhepi, janë edhe disa zyrtarë të lartë të cilët pas përballjes me gjykim dhe shpalljes së tyre të pafajshëm kanë kërkuar kompensim nga KGJK.
Mbrojtësi i ish ministrit të Transportit dhe Post-Telekomit (MTPT), tashmë zëvendëskryeministrit të Kosovës. Fatmir Limaj, avokati Tahir Rrecaj se edhe pse janë bërë thuajse dy vjet nga dorëzimi i padisë në gjykatë, ende asnjë seancë nuk është caktuar.
“Jo nuk është caktuar seanca ende, duhet me prit për seancën e parë diku tri vjet. Kjo është e tmerrshme, por gjykatat janë joefikase në këtë drejtim, nuk e di ku është problemi, mirëpo para tri vjetëve nga momenti kur dorëzohet padia nuk merret në punë për herë të parë”, ka thënë Rrecaj.
Sipas Rrecajt, problemi i Këshillit Gjyqësor nuk është problem i palëve, pasi këshilli sipas tij duhet t’i vetëdijësoj gjyqtarët që mos të caktojnë masa të paraburgimit vend e pavend, sepse pala që padrejtësisht është paraburgosur ka të drejtën e kompensimit material dhe jo material.
Rrecaj ka thënë se KGJK i ka disa tarifa shumë të ulëta gjë me të cilën sipas tij palët nuk janë pajtuar dhe nuk pajtohen.
“Për rastin MTPT ende nuk e kemi marrë aktgjykimin nga Gjykata e Apelit, mirëpo do të shohim ende nuk kemi vendosur rreth kësaj nëse do të bëjmë padi për kompensim apo jo. Në korrik të këtij viti bëhen 2 vjet nga koha kur e kemi dorëzuar padinë në Gjykatë për rastin Kleçka, mirëpo ne nuk presim që këtë vit gjykata të caktoj ndonjë seancë për këtë rast”, është shprehur avokati Rrecaj.
Megjithatë sipas tij, KGJK duhet ti hap sytë të merret me gjyqtarë që jo çdo propozim të prokurorit për caktim të masës së sigurisë, sepse kjo masë sipas tij mund të shqiptohet më e lehtë jo vetëm të futen njerëzit në burgje.
“Duhet me pas kujdes këshilli, për shkak se privimi i kundërligjshëm i lirisë krijon të drejtën për kompensim të dëmit. Vetëm në raste ekstreme kur pritet mu shpall fajtor, kur ka prova të mjaftueshme, e jo kap e rras njerëzit në burg e tash mos u merr me ta”, ka thënë ai.
Ndryshe, përveç këtij rasti, padi për kompensim kundër KGJK-së kanë bërë edhe disa zyrtarë, përfshirë Fatmir Limajn, i cili ka kërkuar kompensim për rastin Kleçka, Sami Lushtaku për rastin Drenica, si dhe rasti më i fundit ai i Teuta, Artina dhe Erna Sopa, familjarë të ish-zyrtarit të qeverisë, Hamdi Sopa, të cilat më 22.shkurt 2019 kanë dorëzuar padi kundër Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK) për mbajtje në paraburgim në mënyrë të padrejtë.
Ato kanë kërkuar hiq më pak se 25 milion euro dëmshpërblim për arrestimin, mbajtjen në mënyrë të padrejtë në paraburgim nën dyshimet për vrasjen e familjarit të tyre, bashkëshortit respektivisht babait të tyre, Hamdi Sopa në vitin 2013.
Fatmir Limaj për përballjen e tij me procesin gjyqësor në rastin “Kleçka” ka kërkuar shumën prej 6,987.549 euro, ndërsa KGJK i ka ofruar shumën prej 5760 euro në emër të arrestit shtëpiak, si dhe 1425 euro për paraburgim. Ndërkaq ish-kreu i komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku për përballjen e tij me rastin “Drenica” ka kërkuar shumen prej 1,446.890./Arbresh.info
Pjesëtarët e FSK-së trajnohen për përdorimin e mortajave në ...
Prokuroria Speciale ia përsërit ftesën kryeministrit Kurti p...
Mbledhja e përbashkët e dy kuvendeve, Kosovë – Shqipëri mbyl...
Nënshkruhet marrëveshja ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë për ...
Hoxha: Policia vazhdon të mbetet ndër institucionet më të be...
Dyshime të keqpërdorimit të detyrës zyrtare, Prokuroria Them...