Në shqyrtimin gjyqësor që po zhvillohet në Gjykatën e Ferizajt, të akuzuarit Safete Tolaj, Fisnik Tolaj dhe Granit Shehaj dolën para trupit gjykues dhe u deklaruan të pafajshëm ndaj akuzave të Prokurorisë.
Në fjalën hyrëse, prokurori Rasim Maloku, që po përfaqëson lëndën pas aktvendimit të Prokurorisë së Apelit, theksoi se do të provohet aktakuza ndaj tre të akuzuarve.
“Pas administrimit të provave dhe dëgjimit të dëshmitarëve do të provohet aktakuza ndaj Fisnik Tolajt, Safete Tolajt dhe Granit Shehajt”, tha prokurori i rastit, Rasim Maloku.
Ndërkaq, mbrojtësi i Fisnik Tolajt, Gzim Kollçaku, deklaroi se pas shqyrtimit gjyqësor do të vërtetohet që klienti i tij nuk ka kryer veprat për të cilat ngarkohet. Madje ai shtoi se Fisnik Tolaj nuk ka marrë 2 mijë euro për të cilat akuzohet.
“I mbrojturi im fare nuk i ka marrë 2 mijë euro. Dhe parcela është 3 ari e jo 5 ari siç pretendohet nga Prokuroria”, tha avokati i Fisnik Tolajt, Gzim Kollçaku.
Vërejtje të shumta në lidhje me Prokurorinë dhe provat e administruara pati mbrojtësi i ish-gjyqtares Safete Tolaj, Kujtim Kërveshi. Ai tha se aktakuza është e kundërligjshme sepse bazohet në prova të kundërligjshme.
“Të tre dispozitivët për tri veprat penale për të cilat ngarkohet zonja Tolaj bazohen në përshkrime kuturu të Prokurorisë, e cila shënjestër nuk ka pasur zbulimin e veprës penale por hetimin e personit”, tha Kërveshi para trupit gjykues.
Madje Kërveshi e cilësoi ‘brutale’ mënyrën se si ka vepruar Prokuroria Themelore e Pejës.
E mbrojtura ime ka qenë ish-gjyqtare e gjykatës themelore. Ajo është marrë në përgjegjësi penale nga Prokuroria që ka përfaqësuar lëndë para të njëjtës gjykatë ku ka shërbyer gjyqtare e mbrojtura ime edhe si anëtare e kolegjit.
Kërveshi akuzoi prokuroren që kishte zhvilluar hetimin për mungesë njohurie në lidhje me arkivimin e dokumenteve zyrtare.
“Në lidhje me dispozitivin 2, sikur ishte dhënë vëmendje e mjaftueshme e argumenteve të mbrojtjes, kuptohet se Prokuroria nuk ka njohuri elementare për arkivimin e dokumenteve”, shtoi mbrojtësi i të akuzuarës Safete Tolaj.
Në fund, Kërveshi vlerësoi se Prokuroria kishte zbatuar gabimisht një urdhëresë të Gjykatës në Ferizaj në lidhje me monitorimin e fshehtë të të akuzuarve dhe kërkoi nga Gjykata t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese.
“Kërkojmë që sipas detyrës zyrtare, kjo Gjykatë t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese në lidhje me shkeljen e Kushtetutës dhe privatësisë së të pandehurve në këtë procedurë”, tha avokati.
Sipas aktakuzës, e pandehura në Gjykatën Themelore në Pejë – Dega në Deçan, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për tjetrin, përkatësisht për të pandehurin Fisnik Tolaj, keqpërdori autoritetin zyrtar në atë mënyrë që pasi ajo më 02.01.2017 e kishte caktuar paraburgimin për një të pandehur, derisa i pandehuri Fisnik Tolaj dhe Granit Shehaj ishin takuar dhe ky i fundit duke shfrytëzuar detyrën zyrtare tejkaloi kompetencat e tij dhe i dha shumën prej 1.900 euro të pandehurit Fisnik Tolaj për të ndikuar tek e pandehura Safete Tolaj, e cila më pas më 10.01.2017 masën e paraburgimit e zëvendësoi me masën e dorëzanisë.
Gjithashtu, sipas aktakuzës, e pandehura Tolaj deri më 13.01.2017 ka fshehur materialet arkivore të Gjykatës Themelore në Pejë, dega në Deçan, ashtu që në shtëpinë e së njëjtës janë gjetur dosje origjinale të kësaj Gjykate, e të cilat e kishin vendin në arkivin e Gjykatës.
Tutje, në përshkrimin e aktakuzës thuhet se pandehura Safete Tolaj deri më 13.01.2017 në Gjykatën e lartcekur i ka mundësuar të pandehurit Fisnik Tolaj përpilimin e dokumenteve dhe shkresave zyrtare ashtu që i pandehuri Fisnik Tolaj duke shfrytëzuar pozitën e të pandehurës dhe me dijeninë e saj përdor vulën dhe shkresat zyrtare në të cilat fut përmbajtje të rreme.
“Të lartcekurit me veprimet e tyre, kanë kryer veprat penale të përshkruara sikur më lart, për çka prokurori i çështjes i ka propozuar Gjykatës që të njëjtit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit për veprat penale të cilat u vihen në barrë”, thuhet në komunikatën e Prokurorisë së Shtetit.
Aktakuza ndaj Tolajt dhe djalit të saj ishte ngritur pas transmetimit të Emisionit “Drejtësia në Kosovë”./Kallxo.com
Dhimbja që “udhëton” nga shpatulla në bërryl shkaktohet zako...
Ismajli gati për hapin e madh në karrierë, ai refuzon rinovi...
Mbappe: Bilbao më bëri mirë, mund të bëj shumë më tepër
“Duhet të luftojmë”, Zelensky tregon çfarë i duhet Ukrainës ...
Të paktën 28 të vrarë nga sulmet në Gaza
Kurti mërgatës: Paramendojeni çfarë bëjmë 37 mijë votat ju m...