Presidenti i vendit Hashim Thaçi, pas mbledhjes së Këshillit Kombëtar të Sigurisë të mbajtur mbrëmë, i ka propozuar Kuvendit të Kosovës që të shpallë gjendje të jashtëzakonshme në vend, shkaku i pandemisë së coronavirusit.
E me këtë kërkesë të presidentit nuk është pajtuar kryeministri Albin Kurti.
Madje këtë kërkesë të presidentit po e cilësojnë si lojë të rrezikshme. Kështu ka thënë ish-gjyqtarja e Gjykatës Kushtetuese, Gjylieta Mushkolaj.
Mushkolaj përmes një postimi në Facebook ka shkruar se është tejet shqetësuese që arsyetimit të Presidentit i mungonte pjesa më e rëndësishme, shpjegimi i qartë se çfarë do të bëhej më mirë dhe si do të shpëtonte Kosova nga kjo pandemi, nëse do të shpallej gjendja e jashtëzakonshme.
“Mund ta marrim me mend se si kanë mbetur të shtangur të gjithë me këtë përpjekje të rrezikshme të Presidentit, që do të nënkuptonte rolin kyç të Ushtrisë, institucion ky që bazuar në “letër-këmbimin” e Thaçit me Sekretarin e përgjithshëm të NATOs, nuk do të mund të shtrinte aktivitetin e vet në veri të vendit tonë dhe rrjedhimisht, nuk do të mund ti ndihmonte qytetarët e Kosovës që jetojnë në atë pjesë të Kosovës.
Thënë më qartë, nëse do të shpallej gjendja e jashtëzakonshme dhe ushtria të vihej në ballë të betejës për përballje me virusin COVID-19, integriteti territorial i Kosovës do të cenohej rëndë dhe institucionet e shtetit të Kosovës do të mund të vepronin në mënyrë uniforme vetëm deri te ura e Ibrit. De facto, Kosova do të copëtohej!”,ka shkruar Mushkolaj.
Postimi i plotë:
Loja (e rrezikshme) e përpjekjeve të Presidentit për shpallje të gjendjes së jashtëzakonshme
Në këtë kohë të shqetësimeve të mëdha, përballjes së njerëzimit me rrezikun dhe të panjohurat e pandemisë Covid-19, në kohën e mobilizimit shembullor të qytetarëve të Kosovës me këtë virus, e punës së mahitëshme të mjekëve dhe personelit shëndetësor, punës së koordinuar (së paku në dukje) shkëlqyeshëm të të gjithë resorëve të qeverisë dhe të gjitha institucioneve të tjera të nivelit qendror e komunal, na u shfaq Presidenti i Kosovës në një pamje tragjiko – komike për të “kërkuar” nga Kuvendi GJENDJE TË JASHTËZAKONSHME!
Arësyetimi i vetëm për këtë “kërkesë” ishte gjendja e rrezikshme nga virusi (që vërtetë është tmerrësisht i rrezikshëm dhe jeta e të gjithë neve që jemi në Kosovë, sikundër edhe e gjithë njerëzimit). Megjithatë, është tejet shqetësuese që arësyetimit të Presidentit i mungonte pjesa më e rëndësishme, shpjegimi i qartë se çfarë do të bëhej më mirë dhe si do të shpëtonte Kosova nga kjo pandemi, nëse do të shpallej Gjendja e jashtëzakonshme! Më tutje, “Kërkesa” për miratim të Dekretit, nuk qartësonte se pse qeveria dhe institucionet e tjera kompetente sipas legjislacionit në fuqi, që e rregullon edhe luftimin e pandemive, luftimin dhe parandalimin e fatkeqësive natyrore, si dhe Strategjia dhe plani i veprimit (2016-2020) për zvogëlim të rrezikut nga fatkeqësitë natyrore, nuk janë të mjaftueshme?!
Legjislacioni ynë për situata të këtilla të përballjes me pandemi i jep mandat qeverisë që t’i shfrytëzojë dhe ti mobilizojë sipas nevojës të gjitha resurset e shtetit, përfshirë edhe ushtrinë. “Kërkesa” për miratim të Dekretit, do të duhej të tregojë se cfarë duhet bërë më shumë dhe ku qëndrojnë mangësitë e legjislacionit tonë, për të arësyetuar nevojën e shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme. Një “kërkesë” e tillë e pa arësyetuar, që na e komunikoi Presidenti drejtëpërdrejtë në TV, është jo vetëm e padenjë që ti dërgohet Kuvendit të Kosovës, institucionit të vetëm qendror që ne qytetarët e Kosovës drejtëpërdrejtë e votojmë, por është edhe në kundërshtim me konceptin e sundimit të ligjit dhe të drejtës tonë si qytetarëve të kosovës, për “të ditur”se çfarë bën Presidenti, e çfarë e nxitë Presidentin për një “kërkesë” të tillë, apo më mirë thënë, për një sjellje të tillë. Deri këtu, “nuk është asgjë e re,” ende jemi duke e “mësuar” demokracinë dhe të drejtat tona individuale. Jemi ende demokraci kushtetuese e re dhe ne si qytetarë duhet më shpejt ti mësojmë mekanizmat e trysnisë kushtetuese dhe ligjore për të ndikuar që institucionet e shtetit të sillen në mënyrë të përgjegjëshme.
Është e sigurtë se “Këkresa” e Presidentit që Kuvendi ta miratojë Dekretin e tij për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme i ka lënë (si zakonisht) gojëhapur shtetet mike, me përkrahjen e koordinuar të të cilave e kemi shpallur pavarësinë dhe të cilat na kanë ndihmuar që të ndërtojmë legjislacionin në bazë të së cilit sot qeveria po përballet me rrezikun e COVID-19. Mund ta marrim me mend se si kanë mbetur të shtangur të gjithë me këtë përpjekje të rrezikshme të Presidentit, që do të nënkuptonte rolin kyç të Ushtrisë, institucion ky që bazuar në “letër-këmbimin” e Thacit me Sekretarin e përgjithëshëm të NATOs, nuk do të mund të shtrinte aktivitetin e vet në veri të vendit tonë dhe rrjedhimisht, nuk do të mund ti ndihmonte qytetarët e Kosovës që jetojnë në atë pjeë të Kosovës.
Thënë më qartë, nëse do të shpallej gjendja e jashtëzakonshme dhe ushtria të vëhej në ballë të betejës për përballje me virusin COVID-19, integriteti territorial i Kosovës do të cënohej rëndë dhe institucionet e shtetit të Kosovës do të mund të vepronin në mënyrë uniforme vetëm deri te ura e Ibrit. De facto, Kosova do të coptohej!
Jemi me fat që me gjithë problemet e shumta që i ka, Kushtetuta e Kosovës është Kushtetutë demokratike, e vendimet e mëdha, megjithatë nuk mund ti merr vet Presidenti.
Fillimisht, PA KRYEMINISTRIN, PRESIDENTI NUK MUND TA SHPALLË FARE GJENDJEN E JASHTËZAKONSHME. Madje, edhe nëse me ndonjë akrobacion e bën ndonjë manovrim drejt realizimit të qëllimit për gjendje të jashtëzakonshme, Kuvendi (brenda afatit prej 48 orësh) me dy të tretat e votave të deputetëve të pranishëm, e që votojnë mund ta japin pëlqimin për të (për DEKRET, e jo për kërkesë).
Përkundër aventurave të kohëpaskohëshme të Presidentit, Kuvendi megjithë përplasjet normale politike e partiake, është megjithatë i përgjegjëshëm dhe në këtë kohë të dhimbjes e frikës për jetën e qytetarëve nuk do të lejojë që Kosova të trazohet edhe me marrëzi të këtilla të rrezikshme.
Presidenti Thaçi nënshkruan dekretin për gjendje të jashtëzakonshme
Gazetari Vullnet Krasniqi, e pranon në Big Brother VIP Kosov...
Të shtëna në Bulqizë, atentat ndaj një personi që po dilte n...
Arsenali po synon shkëmbimin e lojtarëve me Milanin për ta m...
Zelensky: Ushtarët e Koresë së Veriut po dërgohen në betejë ...
Gjendet pa shenja jete një 27 vjeçare në Zhur të Prizrenit
Vëllai i Madh me ofertë për Laurentin dhe Fitimin, njërin do...