Gjatë ditës së sotme, Kosova dështoi të jetë pjesë e organizatës më të madhe në botë të policisë, asaj të INTERPOL-it.
Për tetë herë radhazi, Kosova provoi të hyjë në INTERPOL, por nuk arriti, kjo për arsye të ndryshme.
Edhe pse u nda një buxhet i majmë nga ana e qeverisë së Kosovës, që të lobohet për anëtarësim, kjo nuk funksionoi pasi që Kosova nuk arriti të marr votat edhe pse në dy raunde, të hyjë në organizatën ndërkombëtare.
Eksperti i sigurisë, Behar Selimi për KALLXO.com ka treguar pengesat që nuk lejuan Kosovën të hyjë në INTERPOL dhe se si duhet të veprohet më tutje.
Sipas Selimit, procesi i lobimit nuk ka pasur gabime ndërsa tregon se problemi qëndroi tek çështjet vullnetare dhe individuale të shteteve anëtare në INTERPOL.
“Unë nuk shoh ndonjë të metë ose gabim, sa i përket procesit të lobimit. Mendoj se organizata jonë policor i ka përmbushur kriteret shumë vite më parë dhe është shumë më kompetente se gjysma e organizatave policore të shteteve anëtare të Interpolit. Nuk shoh të meta në proces, është punuar, kanë lobuar por është çështje e vullneteve individuale e shteteve anëtare”, tha Selimi në një bisedë telefonikë për KALLXO.com.
Qeveria e Kosovës ka ndarë një buxhet prej 1.2 milion eurove në lidhje me lobimin për anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL.
“Gazeta Jeta në Kosovë” kishte kërkuar nga ana e Kryeministrit Ramush Haradinaj të dijë se për çfarë do të përdoreshin mjetet e ndara.
Haradinaj nuk kishte preferuar të fliste, duke thënë se për buxhetin e ndarë do të flitet ‘kur të vjen koha’.
Sipas ekspertit të sigurisë Behar Selimit, çështja e lobimit ka qenë jo transparente.
“Lobimi dhe transparenca nuk shkojnë bashk. Do të duhej tash me qenë transparent në ato shpenzime, pavarësisht sa kanë qenë shpenzimet. Lobimi kushton, dhe lobimi nuk garanton sukses në këto raste, nuk shoh ndonjë të keqe këtu. E keqja kish me qenë nëse nuk deklarohen shpenzimet tash, gjatë procesit deklarimi i shpenzimeve i delegacioneve tona, për lobim dhe transparenca pas saj ka mujt me kushtu në të gjitha instancat. Ne jemi përballur me një ofensivë diplomatike dhe të miqve të saj kundër anëtarësimit. Mënyrat e lobimit kanë qenë të tilla që është dashtë me mbet të fshehta por tash do duhej të kishte transparencë”, tha Selimi për KALLXO.com.
Selimi tregon se sa janë të gatshëm delegacioni kosovar të lobojë në lidhje me anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare.
“Në këtë fushë nuk na mungon kompetenca as profesionale as organizative, edhe për INTERPOL edhe për organizatat tjera, duhet të kenë parasysh (INTERPOL-i) që nuk po respektohen kriteret profesionale teknike por ato politike, prej të cilave nuk po mundemi me pas sukses”, shtoi ai.
Ai thotë se edhe INTERPOL edhe shtetet anëtare në të nuk kanë pasur arsye për kundërshtim, por kanë dëgjuar në fund fjalën e palës kundërshtuese.
Selimi thotë se premtimet e dhëna në lidhje me shumë çështje të cilat po japin shpresë në fund po kthehen në humbje shprese.
“Është karakteristike e diskursit politik tash e ca vite, ku jepen data të ndryshme edhe për liberalizim edhe për sene të tjera dhe jemi plot shpresa. Mendoj se në disa organizata nuk duhet të premtohet shumë, më shumë duhet punë pa llafe, me bërë gjëra konkrete në këtë rast edhe për INTERPOL, por edhe për organizatat tjera”, tha ai për KALLXO.com.
Sipas Selimit, diskursi kosovar publik e politik, ndonjëherë është edhe në dëm të proceseve pasi që ne në këtë mënyrë japin transparencë edhe tek kundërshtarët.
“Tash e sa kohë Policia ka bashkëpunu me Interpol-in. Policia jonë në aspektin teknik e profesional i përmbush të gjitha kriteret dhe në raport me policinë tonë, edhe sot Interpol-i ka humb pasi që nuk ka bërë pjesë të kësaj organizatë policinë e Kosovës e cila do t`i ndihmonte Interpol-it për luftimin e krimit ndërkombëtar dhe terrorizmit. Ata kanë humb shumë përfshirjen e një organizatë që ka profesionalitet dhe standarde të larta”, shtoi Selimi.
Selimi tregon se si duhet të veprohet tani e tutje.
“Ne ndoshta duket me shiku bashkëpunimin me INTERPOL-in, ndoshta duhet të jemi selektiv në kërkesat e tyre e sidomos me i kuptu nëse kërkesat përmes Interpol-it vijnë nga ato shtete që e kanë kundërshtu anëtarësimin tonë. Me qenë edhe ne selektiv që ato shtete ta mendojnë në të ardhmen dy herë votën e tyre, sidomos ato shtete të cilat i shfrytëzojnë shërbimet nga ne. Me këtë refuzim, në një mënyrë INTERPOL-i dhe të gjitha shtetet që e kanë përkrah refuzimin, i kanë bërë thirrje kriminelëve që mësynja Kosovës sepse nuk do të ndiqeni atje”, tha Selimi për KALLXO.com.
Gjithashtu sipas Selimit, Policia e Kosovës ka kapacitete shumë dhe se nga refuzimi për anëtarësim në INTERPOL nuk dëmtohet në luftimin e krimit.
Selimi tregon edhe se kush duhet ta marr përsipër fajin.
“Drejtuesit tanë politik duhet me marrë përsipër përgjegjësinë dhe me qenë selektiv në bashkëpunim me INTERPOL-in”, tha Selimi.
Në fund, Selimi ritheksoi se deri sa Kosova realizon interesat e vendeve anëtare në INTERPOL të cilët refuzuan anëtarësimin e Kosovës në po të njëjtën organizatë, rasti i sotëm mund të vazhdoj të përsëritet edhe në të ardhmen.
T’i mbijetosh dimrit me vitaminën D
Tiranë/ Policia operacion kundër lojërave të fatit, kapen di...
OKB: Viti 2024 më vdekjeprurësi për punonjësit e ndihmave hu...
Deklaratat befasuese të Oltës dhe Milaimit rreth afërsisë me...
KEK-u deklaron se performanca e këtij viti është dukshëm më ...
Sara apo Edi: Cili nga këta dy banorë e ngjalli Drilonin në ...