Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje Ismajl Kurteshi si dhe kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, janë ulur në bankën e të akuzuarve për t’u përballur me akuzat e prokurorisë për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës.
Në seancën fillestare që është mbajtur të martën në Gjykatën Themelore në Prishtinë, i akuzuari Muharremaj ka deklaruar se është e vërtet që ka hedhur gaz lotsjellës dhe i ka shkelur rregullat e Kuvendit, mirëpo ka thënë se nuk e pranon fajësinë.
Edhe i akuzuari tjetër Kurteshi ka thënë se ka hedhur gaz lotsjellës, mirëpo këto veprime sipas tij, i ka bërë për arsye politike.
“Me datën që është e shënuar në aktakuzë unë si deputet e kam hedhur gazin lotsjellës për arsye politike dhe besoj që ka qenë detyrë për ta mbrojtur sovranitetin dhe integritetit të vendit dhe nuk mendoj që me këtë kam bërë faj, por kam përmbushur obligimin si deputet”, ka deklaruar Kurteshi.
Kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Hamdi Ibrahimi, i ka njoftuar të akuzuarit dhe mbrojtësit e tyre se brenda 30 ditësh mund të bëjnë kundërshtimet për hudhjen e aktakuzës dhe të provave.
Kurteshi e Muharremaj akuzohen për përdorim të armës apo mjetit të rrezikshëm, në kohën sa ishin në opozitë në legjislativin e vendit, kur nëpërmjet këtyre formave kundërshtonin dy marrëveshjet e qeverisë, atë për demarkacionin me Malin e Zi si dhe Asociacionin e Komunave me shumicë Serbe.
Aktakuza ndaj tyre është ngritur më 7 qershor të vitit të kaluar. Sipas aktakuzës, më 26 shkurt 2016 në Kuvendin e Kosovës kanë përdorur armën dhe kanë penguar personat zyrtar dhe secili veç e veç ka hedhur gaz lotsjellës.
Ndryshe, Ismajl Kurteshi për veprën e njëjtë penale akuzohet edhe në një rast tjetër së bashku me deputetin e Nismës për Kosovën, Haxhi Shala.
Ditë më parë, Gjykata Themelore në Prishtinë kishte konfirmuar aktakuzën edhe ndaj deputetit tjetër të “Vetëvendosjes”, Fisnik Ismaili, i cili akuzohet për dy vepra penale “pengimi i personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare” dhe “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Kurse, Gjykata Themelore në Prishtinë, për veprat e njëjta penale, më 3 janar 2018, ka shpallur fajtorë deputetët Albin Kurti, Donika Kadaj-Bujupi, Albulena Haxhiu dhe Faton Topalli, të cilët i kishte dënuar me burgim me kusht.
Për hedhjen e gazit në Kuvendin e Kosovës, akuzohen edhe ministri i Infrastrukturës Pal Lekaj, si dhe deputetët Shqipe Pantina, Time Kadrijaj, Glauk Konjufca, Aida Dërguti, dhe Teuta Haxhiu.
Këto veprime ata i kanë bërë gjatë vitit 2015 dhe 2016, me rastin e kundërshtimit të marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi si dhe marrëveshjen për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe. Të akuzuarit ishin pjesë e bllokut opozitar Vetëvendosje, AAK dhe Nisma për Kosovën, derisa ekzekutivi udhëhiqej nga PDK-ja dhe LDK-ja./Betimi për Drejtësi
Osmani: Lidhja e thellë ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë ësht...
Spiropali: Kosova meriton anëtarësimin në BE
Konjufca: Kjo seancë duhet të shihet që Kosova dhe Shqipëria...
Nis seanca e përbashkët plenare mes Kuvendit të Kosovës dhe ...
Llapi-Dukagjini, duel për t’i ikur fundit ta tabelës
Shaip Kamberi merr pjesë në seancën e përbashkët mes Kosovës...