Ish-deputeti dënohet me 9 muaj burgim me kusht

19:19 | 23 Qershor 2017
M. A.

Gjykata Themelore në Prishtinë të premten e ka dënuar me 9 muaj burgim me kusht ish-deputetin e Republikës së Kosovës, Sasha Djokiq.

Djokiq, e kishte pranuar se ka penguar zyrtarët policor të Graçanicës që ta kryenin detyrën e tyre, duke mos lejuar t’ia bënin testin e alkoolit dhe duke mos pranuar të shoqërohet në Stacionin Policor.

Gjyqtari Agim Kuqi, për “Betimi për Drejtësi”, bëri të ditur se kjo gjykatë po ashtu i shqiptoi atij një dënim unik prej 600 eurosh për dy veprat penale “kanosje” dhe “sulm”, të cilat Djokiq i kishte kryer ndaj të dëmtuarve, Shpend Hoti dhe Ejup Zeneli.

Djokiq kishte përdorur qenin e tij për t’i frikësuar Hotin dhe Zenelin, të cilët kishin qenë në lokalin e tyre.I njëjti, duke u thirrur në imunitetin e deputetit kishte kërcënuar me jetë të dëmtuarin Hoti.

Këto kërcënime kishin ardhur pasi Hoti në vetëmbrojtje kishte kapur një sëpatë për ta frikësuar qenin e tashmë të dënuarit Djokiq. Ky rast ishte paraqitur në polici, ku edhe kishte ardhur deri te përplasja e Djokiq me pjesëtarët policor të Republikës së Kosovës.

Kjo ngjarje kishte ndodhur në tetor të vitit 2013, ndërsa aktakuza ndaj tij ishte ngritur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë në prill të vitit 2015.

I kontaktuar nga “Betimi për Drejtësi”, mbrojtësi i të pandehurit Sasha Djokiq, avokati Ramë Gashi tha se gjykata ka vlerësuar gatishmërinë e të mbrojturit të tij për ta pranuar fajësinë.

E nëse do të atakohet ky vendim i gjykatës, avokati Gashi tha se ende nuk kanë marrë ndonjë vendim me të mbrojturin e tij.“Ende nuk kemi vendosur se a do ta bëjmë ankesë”, tha përmes telefonit avokati Gashi.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme