Ish-ambasadori kritikon mos punën e Donika Gërvallës: Politika e Jashtme e Kosovës është në vdekje klinike

10:01 | 3 Nëntor 2023
L G

Dështimet në dikastere të tjera mund ta dëmtojnë vendin në aspektin ekonomik, social apo arsimor, por kur dështimi është në diplomaci për Kosovën është vdekje dhe këtë populli i Kosovës nuk do ia falin Vetëvendosjes, që ia ka lënë në dorë Donika Gërvallës, politikën e jashtme.

Kështu thotë ish-ambasadori, Amir Ahmeti në Doha të Katarit një intervistë për mediumin online “Arbresh.info”.

Fakti që asnjë njohje nuk ka ardhur tash e tre vjet kur në krye të Ministrisë së Jashtme është Donika Gërvalla, tregon kryekëput dështimin e ministres në lobimin e njohjeve të reja.

“Politika e Jashtme e Kosovës, fatkeqësisht është në vdekje klinike. Populli i Kosovës ia ka dhënë mandatin qeverisjes së Vetëvendosjes me mbështetjen më të madhe që ndonjë qeveri ndonjëherë e ka fituar dhe është i padiskutueshëm legjitimiteti politik i saj. Nëse të gjithë dikasteret të ishin pa vërejtje, dikasterin e politikës së Jashtme që ia ka lënë në dorë Gervalles, këtë nuk do t’ia falë VV-së populli i Kosovës”, shprehet Ahmeti.

Ai citon një thënie të ish-presidentit amerikan Kennedy për politikën e jashtme “Politikat e brendshme mund vetëm të na mundin, por politika e jashtme mund të na vras”.

Pra, sipas tij, edhe sikur të ketë dështime nëpër dikasteret tjera qeverisëse, ato mund të dëmtojnë vendin nga brenda, në aspektin ekonomik, social apo arsimor, e padyshim se kjo do të ishte një dëm për vendin, por gjithsesi do të ishin të përkohshme. Ndërsa, dështimet në politikën e jashtme janë vdekje për Kosovën.

“Për këtë edhe mendoj se dështimet e njëpasnjëshme të politikës së jashtme do t’i kushtojnë shtrenjtë Kosovës në aspektin afatgjatë. Në kuadër të kësaj edhe çështja e njohjeve të reja, është pjese e këtyre politikave të dështuara”, thotë ai.

Për Ahmetin, institucionet e Kosovës dhe diplomacia duhet të ketë prioritet të parë, të dytë e të tretë, përmbylljen e njohjes së Kosovës, duke e kurorëzuar me ulësen në OKB.

Po ashtu, ish-ambasadori ka dhënë një informacion se MPJD-ja e Kosovës që mbi dy vite është duke bërë punë të shërbimeve inteligjente në identifikimin e diplomatëve në atë ministri se cili është i kësaj apo asaj partie politike dhe duke larguar nga ministria.

“Politika e jashtme e secilit vend ndërtohet në bazë të interesave gjeostrategjike që shtron para vetës ai vend. Jo të gjitha vendet kanë interesa të ngjashme në politikën e jashtme. Kosova duhet ta ketë si prioritet të parë, të dytë e të tretë, përmbylljen e njohjes së Kosovës, duke e kurorëzuar me ulësen në OKB. Ndërkohe, MPJD-ja e Kosovës që mbi dy vite është duke bërë punë të shërbimeve inteligjente në identifikimin e diplomatëve në atë ministri se cili është i kësaj apo asaj partie politike dhe duke larguar nga ministria. Kurse tani gjykatat kanë filluar kthimin e diplomatëve të karrierës të larguar padrejtësisht nga Gervalla. Kjo do t’i kushtojë shtrenjtë edhe materialisht MPJD-së, e mos të flasim për ngecjen në Politikën e jashtme e të njohjeve.

Sipas tij, politika e Jashtme ndërtohet mbi interesa të ndërsjella. Andaj sipas tij, 24 vjet pas luftës, Kosova tashmë nuk është në agjenda ndërkombëtare, marrë parasyshë shumë kriza me të cilat po përballet bota.

“Unë shpesh e përmend një thënie të Churchillit, i cili ka thënë se nuk ka vëllazëri mes shteteve, por ka interesa ekonomike e politike mes shteteve. Sot në botë ka shumë kriza, e Kosova 24 vite pas luftës më nuk është në agjendat e shteteve të tjera. Kështu që ne duhet të jemi ata që duhet të trokasim në dyert e vendeve jo njohëse dhe të kërkojmë njohjen, e mos të presim se dikush vjen e na thotë po ju njohim.

Ish ambasadori Ahmet, që ishte shkarkuar pas ardhjes në krye të ministrisë së Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, nuk tregon se pas shkarkimit a janë marrë masat për të ngritur apo iniciuar ndonjë padi ndaj institucionit apo ministres në fjalë, ai tregon vetëm për dëmet që i janë bërë shtetit të Kosovës.

Ahmeti thotë se për shkarkimin e tij nga pozita e ambasadorit në në Doha të Katarit nuk i ishte dhënë kurrë asnjë arsye nga ana e ministres së Jashtme, Donika Gërvalla.

Madje, ai lirimin e 13 ambasadorëve e quan vetëm hakmarrje politike e Qeverisë së Kosovës, që udhëhiqet nga lideri i Vetëvendosjes.

“Është temë e gjatë kjo dhe po më duket shumë subjektive të trajtohet edhe kjo çështje në këtë format të diskutimit, madje kane folur mjaftë eksperte të kësaj fushe që dy vite vazhdimisht për këtë temë. Sidoqoftë po e them vetëm një fjali. Lirimi nga detyra e 13-te ambasadoreve përnjëherë, gjysma e të cilëve ende pa kaluar as gjysmën e mandatit, ka dëmtuar më së shumti vendin tonë. Me atë rast, nuk janë dëmtuar as ambasadorët e as vendet pritëse por vetëm është shuar etja për hakmarrje politike e qeverisë dhe Kosovës i është dëmtuar imazhi i saj, e njëherit ka humbur edhe seriozitetin e shtetit në politikën e jashtme”, pohon ai.

Diplomacia, sipas tij, është arma më e mirë e një vendi për të ndikuar veprimet e vendeve të tjera në dobi të saj, sidomos për njohje të reja. Ndërsa, qeveria me atë veprim ka bërë regres në atë drejtim, pa përmendur siç thotë ai dëmin material që i është bërë buxhetit te MPJ-se” shprehet Ahmeti./Arbresh.info/Pleurat Salihu/

Të ngjashme