Ish-ambasadori i Kosovës në SHBA, Akan Ismaili kishte miliona franga zvicerane të fshehura në një llogari sekrete në Credit Suisse, të cilën ai nuk e deklaroi siç kërkohet me ligj, sipas të dhënave bankare të zbuluara.
Ish manjati i telekomunikacionit, Akan Ismaili u emërua ambasador në vitin 2012, katër vjet pasi Kosova shpalli pavarësinë e saj nga Serbia pas një lufte brutale në vitet e 90-ta dhe një periudhe tranzicioni të mbikëqyrur nga Kombet e Bashkuara.
Duke qenë ambasador deri në vitin 2015, Ismaili ishte i detyruar ligjërisht të deklaronte pasurinë e tij në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit.
Ai raportoi posedime duke përfshirë prona, kursime në para dhe kompani, por Ismaili nuk i njoftoi autoritetet për llogarinë e tij në Credit Suisse, e cila kishte vlerë pothuajse 3.9 milionë franga zvicerane në qershor të 2014-tës.
Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit i tha Preportr dhe OCCRP-së se ka të ngjarë të jetë e vështirë të hetohen pasuritë e Ismailit në Zvicër.
“Ne do të shikonim mundësitë për verifikim dhe hetim edhe pse verifikimi i gjendjes së llogarive bankare të mbajtura jashtë vendit është i vështirë, dhe shpesh rezulton pa sukses për shkak të legjislacionit të vendeve ku mbahen llogaritë bankare, u përgjigj Agjencia në një email.
Ismaili nuk iu përgjigj kërkesave të dërguara me email për koment.
Sipas legjislacionit të Kosovës, zyrtarët e lartë publikë që fshehin pasuritë e tyre ose bëjnë deklarata të rreme mund të gjobiten dhe të burgosen deri në pesë vjet.
Ismaili u hodh në sektorin e teknologjisë menjëherë pas bombardimeve që NATO i bëri caqeve të Serbisë në Serbi dhe Kosovë në vitin 1999, e që i dha fund luftës, duke bashkë themeluar Projektin jofitimprurës të Internetit në Kosovë (IPKO Fondation).
Më pas ai kaloi në sektorin privat me IPKO Telecommunications, e cila u bë ofruesi i dytë më i madh i shërbimeve, telefonisë celulare, internetit dhe televizionit kabllor në Kosovë.
Preportr raportoi në vitin 2015 për përpjekjet e autoriteteve të Kosovës për të gjetur asetet e mbajtura nga zyrtarët publikë jashtë vendit.
Kreu i Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit në atë kohë u tha gazetarëve se “ka pasur një problem në zbatim” me vende si Shqipëria dhe Mali i Zi, të cilat kanë nënshkruar marrëveshje për të ndihmuar në gjurmimin e aseteve.
Hulumtimi mbi këtë storie është siguruar nga OCCRP ID. Ekspertiza e të dhënave është siguruar nga Ekipi i të Dhënave i OCCRP-së.
Kontrolli i fakteve u sigurua nga Zyra e Kontrollit të Fakteve e OCCRP-së, thuhet në komunikatën për media, transmeton arbresh.info.
Kasanof takim me Ramën: Mbështetje Shqipërisë për çështje ky...
Nëntë filma të shfaqur në DokuFest në listë të gjatë për Çmi...
Sinani thotë se autoritetet serbe ia ndaluan ministrit Çeku ...
Për çfarë arsye do ndahej Lela nga Leo?
Polonia regjistron më shumë migrantë në kufi me Bjellorusinë
Sot nis Fest 63 – Për 4 net, 30 artistë në garë