Google ADS

Isa Mustafa: Pa asnjë hezitim do ta pranojmë mandatin për formimin e Qeverisë

13:08 | 19 Prill 2020
L G

Lideri i LDK’së, Isa Mustafa s’e ka asnjë dilemë se do ta marrë mandatin për të formuar Qeverinë e re posa të mandatohet nga Shefi i Shtetit bazuar në Kushtetutë.

Këtë qëndrim, ish-Kryeministri Mustafa e ka dhënë në kohën kur Vetëvendosje po refuzon të marrë mandatin për formimin e Qeverisë së re dhe Presidenti ka paralajmëruar se do t’ia kalojë partisë së dytë mandatin nëse dështon VV’ja.

“Në momenti që plotësohen kushtet kushtetuese që LDK-së t’i ofrohet mandati dhe të arrijmë pajtim me partnerët për kriteret, LDK pa asnjë hezitim do ta pranojë mandatin për formimin e qeverisë”, ka thënë Mustafa, në një përgjigje me shkrim për Gazetën Express.

Kryetari i LDK-së rikujtoi edhe kohën e VLAN-it të vitit 2014, kur LDK dhe LVV kërkonin që mandati për formimin t’i jipet partisë/grupacionit të dytë.

“Sa u përket kundërshtimeve, mund të rikujtoj opinionin se ishte LVV dhe LDK që në vitin 2014 argumentonin dhe kërkonin që mandati t’i ipet partisë/grupacionit të dytë duke e arsyetuar mbi bazë kushtetuese”, tha Mustafa.

Më shumë se tri javë kanë kaluar prej se Kosova është me Qeveri të shkarkuar pasi 2/3 e deputetëve të Kuvendit ia morën besimin “Koalicionit të Shpresës”.

Në këtë situatë, Isa Mustafa thotë se Shtetit i duhet një Qeveri me mandat për t’u përballur me COVID-19 dhe krizën ekonomike si pasojë e kësaj pandemie.

“Vendi duhet të ketë qeveri me mandat nga Kuvendi për tu përballur me virusin Corona dhe me sfidat e tjera që e presin”, shtoi ai.

Lëvizja Vetëvendosje doli e para në zgjedhjet e fundit me një deputet më shumë se LDK’ja. Këto dy parti lidhën koalicion, të cilin e pagëzuan si “Koalicioni i Shpresës”. Megjithëse negociatat për lidhjen VV-LDK zgjatën disa muaj, qeverisja zgjati vetëm  40 ditë. Kjo pasi VV s’pajtohej me qëndrimin e LDK’së për të hequr taksën pa vendosur reciprocitetin, s’pajtoheshin as për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme. Pastaj, Albin Kurti, vendosi të shkarkonte  Ministrin e Punëve të Brendshme, Agim Veliun, i cili është edhe Nënkryetar i LDK’së me çka i dha edhe fund “koalicionit të shpresës”.

Ndërkohë, ditëve të fundit, janë përmendur edhe protestat nëse Kurti largohet nga ulësja e Kryeministrit.

Por, këto paralajmërime s’i kanë bërë përshtypje Isa Mustafës, i cili ishte përballur me protestat e Vetëvendosjes sa ishte në pozitën e Kryeministrit.

“Sa u përket protestave të paralajmëruara, LDK s’mërzitet fare për atë punë. Bile aq më pak kur për protesta trumbetohet nga mercenarë politik, në emër të internacionales shqiptare. Të tillët s’guxojnë të protestojnë në vendet e tyre, kurse Kosovën e konsiderojnë poligon të pa dhimbshëm”, tha kryetari i LDK-së për Gazetën Express të dielën.

Një zyrtar i VV’së nga Tirana tha të shtunën se do të ketë protesta të shqiptarëve në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni e diasporë nëse Albin Kurti  i shkarkuar me 2/3 e votave të deputetëve, largohet edhe nga ulësja e Kryeministrit.

Për shkak të koronavirusit, Qeveria ka marrë masa policore për të mos lejuar përhapjen e COVID-19.

Edhe Shefi i LDK’së sikurse ish-Zëvendëskryeministri Avdullah Hoti, është pro fillimit të heqjes së masave për të zhbllokuar ekonominë.

Mustafa u shpreh Hoti “me përgjegjësi dhe argumente profesionale inicoi krijimin e kushteve për frymëmarrje ekonomike”

Mustafa tha se askush nuk ka të drejtë që ta shndërrojë Kosovën në burg kolektiv.

“Askush nuk ka të drejtë që, duke e shfrytëzuar pandeminë, ta shndërrojë Kosovën në burg kokektiv. Kjo për fat të keq po ndodhë sot me të gjithë ne në kundërshtim me të drejtat kushtetuese”, u shpreh kryetari i LDK-së.

Ndërkaq të martën, Këshilli i Përgjitshëm i LDK-së me shumicë votash i ka thënë PO një koalicioni me AAK-në, Nismën Socialdemokrate dhe Minoritetet për formimin e qeverisë së re.

Nga 124 anëtarë aktual të Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së janë përgjigjur 114 anëtarë të KP, prej tyre 108 janë shprehur për (po), 6 janë shprehur kundër (jo) dhe 10 nuk janë përgjigjur./GazetaExpress/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme