Isa Mustafa: LDK s’e dëshironte Gjykatën Speciale, por rrëzimi i saj do ta rrënonte Kosovën

13:44 | 24 Dhjetor 2017
Arbresh.info

Ish kryeministri i Kosovës dhe një herë kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa ka disa fjalë  rreth Gjykatës Speciale dhe ngjarjet e fundit në Kuvend, raporton arbresh.info.

Ai ka thënë se kjo Gjykatë është themeluar në seli jashtë vendit dhe në Kosovë si pasojë e pasigurisë së dëshmitarëve.

Sipas tij është themeluar, jo si vullnet dhe dëshirë e instutcioneve të Kosovës por me insistimin e qartë të faktorit ndërkombëtar, të SHBA-së dhe BE-së.

Po ashtu ai ka thënë se ka tendenca që ti përshkruhet Lidhjes Demokratike të Kosovës se dëshiron  Gjykatën Speciale.

Ky është shkrimi i  plotë të Mustafës:

Disa fjalë për Gjykatën Speciale dhe ngjarjet e fundit në Kuvend

Ka tendenca që ti përshkruhet Lidhjes Demokratike të Kosovës se e dëshiron Gjykatën Speciale.

Kjo është e pavërtetë!

Kjo gjykatë është themeluar me seli jashtë vendit dhe në Kosovë si pasojë e pasigurisë së dëshmitarëve. Është themeluar, jo si vullnet dhe dëshirë e institucioneve të Kosovës por me insistimin e qartë të faktorit ndërkombëtar, të SHBA-së dhe BE-së, se nëse Kosova nuk e themelon këtë gjykatë me ndryshime kushtetuese dhe pastaj me lig, atëherë atë do ta themelojë Këshilli i Sigurimit i OKB-së mbi bazën e Rezolutës 1244. Nga përfaqësuesit e SHBA na është thënë qartë, se nëse Kosova nuk e merr përgjegjësinë për themelimin e kësaj Gjykate dhe zbardhjen e të gjitha dyshimeve për krime, atëherë SHBA nuk kanë asnjë arsye të pengojnë themelimin e saj nga Këshilli i Sigurimit. Me kalimin e kësaj gjykate me vendim të KS të OKB-së do të fuqizohej roli i Rusisë dhe Kinës, kurse mandati i saj do të ishte i pa limituar dhe në vullnetin vendeve që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

Qëndrimi i LDK-së për tentimet e fundit për shfuqizimin e Ligjit mbi Dhomat e Veçanta të Gjykatës Speciale dhe Prokurorinë e veçantë, nuk kanë të bëjnë me dëshirën që njerëzit tanë të gjykohen jashtë vendit. Por, me përgjegjësitë të cilat shteti ynë i ka marrë me ndryshimet kushtetuese dhe me Ligji. Janë detyrime ndërkombëtare, të cilat nuk mund të zhbëhen me nënshkrime të deputetëve në një mbrëmje. Veçmas kur gjykata është funksionalizuar, kur vendet e BE-së dhe SHBA kanë ndarë buxhetet dhe kanë filluar implementimin. Si pasojë prapë do të kishim një ndërhyrje të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe rifuqizim të Rezolutës 1244 dhe të rolit të Rusisë në vendin tonë. Do të kishim izolimin e Kosovës.

Kjo gjykatë nuk është themeluar me destinim të trajtojë vrasjet e veprimtarëve të LDK-së. Do të trajtojë të gjitha krimet për periudhën për të cilën është mandat i saj. Këto krime është dashur ti trajtojnë me kohë organet e drejtësisë që veprojnë në Kosovë, që kanë qenë në përgjegjësi të UNMIK-ut, të EULEX-t dhe tani në përgjegjësi vendore, por për fat të keq nuk i kanë trajtuar.

Edhe prolongimi i pakuptimt i veprimit të Gjykatës Speciale, pas aprovimit të ligjit, ka krijuar hapësirë për frustrime, për manipulime me emra dhe personalitete të niveleve të ndryshme nga individ të papërgjegjshëm. Në këtë rast përgjegjësia bie mbi instuticionet shumë byrokratike të BE-së.

Gjykata Speciale nuk do ti zgjidhë të gjitha krimet në Kosovë, ajo do të trajtojë një pjesë të tyre. Kosova dhe institucionet e Kosovës duhet të marrin guximin, jo të propozojnë zhbërjen e Gjykatës Speciale përmes shfuqizimit të Ligjit, por të marrin përgjegjësinë për trajtimin e krimeve, vrasjeve e torturave që kanë ndodhur në vendin tonë.

Kryerësit e krimeve janë individë; nuk janë shqiptarët, UÇK-ja dhe Kosova!

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme