Çështja e Trustit, më saktë tërheqja e parave nga Trusti është bërë prapë temë diskutimi në skenën politike. Kjo për arsye të krizës ekonomike, e cila u krijua për shkak të rritjes së çmimeve, përfshirë këtu rritjen e çmimeve të produkteve esenciale por edhe të energjisë elektrike.
Një krah i politikës, kryesisht partitë opozitare, si Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, e kanë përkrahur një tjetër tërheqje të parave nga Trusti,
Ndërsa krahu tjetër, ai i partisë në pushtet, pra Lëvizja Vetëvendosje, ka dalë kundër kësaj ideje.
Kjo çështje, ka qenë arsye e një debati që është bërë mes këtyre dy poleve, ku sot gjatë mbledhjes së Komisionit për Buxhet, Punë dhe Trasnfere, ka pasur debat mes deputetëve të opozitës dhe pozitës.
Në fund të mbledhjes në këtë komision, nuk ka arritur të kalojë iniciativa që ua lejon qytetarëve të tërheqin një pjesë të parave nga Trusti. Një ndër votat “kundër” ka qenë pikërisht ajo e VV-së.
Mustafa në prononcimin e tij tha se “Trusti është një investim për të ardhmen dhe nuk është kursim sot për nesër”.
“Njerëzit kursejnë për të pasur një siguri për kohën kur do të pensionohen, kur ata nuk mund të punojnë. Nuk kursejnë sot për nesër. Në këtë kuptim, Trusti është një investim për të ardhmen nga çdo i punësuar. Një herë është shfrytëzuar mundësia e tërheqjes së mjeteve nga Trusti për shkak të pandemisë, ka qenë situatë e rëndë, bllokadë ekonomike”, ka thënë Mustafa.
Tutje ai shtoi se, vendimi për tërheqje të parave nga Trusti lidhet me garancinë e Qeverisë për të rimbursuar qytetarët për paratë që kanë tërhequr. Kësisoj, sipas Mustafës, nëse qeveria nuk ka kapacitet për rimbursim atëherë tërheqja është problematike.
“Vendimi për tërheqje ndërlidhet me garancionet e qeverisë për të rimbursuar paratë që tërhiqen, që do të thotë se varet se a ka qeveria kapacitete për të subvencionuar konsumin e qytetarëve. Nëse qeveria nuk ka kapacitet për rimbursim, tërheqja është shumë problematike, sepse sot duket se i ndihmojmë qytetarët (kur ata punojnë dhe kanë paga çfarëdo qofshin ato) e nesër kur të dalin në pension shohin se i kanë konsumuar kursimet e tyre para kohe me vendime politike të këtyre deputetëve”, shtoi ish-kryeministri.
Më tej ai vijoi duke thënë se edhe pse e kupton opozitën që zhvillon luftë politike, megjithatë Mustafa, konsideron që opozita nuk e ka gjetur mënyrën adekuate për tu ndihmuar qytetarëve.
“Unë e kuptoj opozitën që zhvillon luftë politike, por nuk konsideroj se e kanë gjetur mënyrën më adekuate për tu ndihmuar qytetarëve duke prekur Trustin Pensional. Do të jetë praktikë shumë e keqe dhe e rrezikshme të bëhet politikë me kursimet pensionale, qoftë nga Qeveria apo nga opozita”, përfundoi Mustafa.
Kujtojmë se kohë me parë, qytetarëve të Kosovës, u është dhënë mundësia që të tërheqin një pjesë të parave nga Trusti. Diçka e tillë ishte bërë për shkak të krizës ekonomike e cila ishte pasojë e pandemisë COVID-19.
Sa i përket iniciativës së këtyre ditëve, pra tërheqjes së dytë nga Trusti, kjo çështje do të dërgohet në Parlamentin e Kosovës, ku do të vendoset përfundimisht se a do tu lejohet qytetarëve që ta tërheqin edhe një pjesë tjetër nga kursimet e tyre në Trust./lajmi.net/
Mbi një orë pritje te Dheu i Bardhë për të hyrë në Kosovë
Juventusi rikthehet tek fitorja në Serie A, triumfon ndaj Mo...
Njerëzit që duhet të tregojnë më shumë kujdes kur moti është...
Kulla e Vashës, ishulli i vogël që lidh dy kontinente prej 2...
Çfarë ndodh nëse e mbani klimën lëshuar gjatë gjithë ditës?
OpenAI zbulon modele të reja me Inteligjencë Artificiale