Google ADS

Isa Mustafa kthehet në Kosovë, i rekomandohet vazhdimi i tretmanit mjekësor

21:54 | 8 Prill 2018
M. A.

Liderit të LDK’së, Isa Mustafës i është rekomanduar vazhdimi i terapisë mjekësore edhe për një kohë në Kosovë. Këshilltari i Mustafës, Bajram Gecaj, ka thënë se ish-udhëheqësi i Qeverisë është mirë me shëndet. Mustafa për një kohë kishte qëndruar në Gjermani për shërim për shkak të komplikimeve shëndetësore.

Isa Mustafa është kthyer në Kosovë nga trajtimi mjekësor që kishte kaluar për gati tre muaj për shërbim në Gjermani.

Mirëpo, të shtunën mbrëma, Kryetari i LDK’së është kthyer në Kosovë. Por, i është rekomanduar vazhdimi i tretmanit shëndetësor edhe në Prishtinë.

“Kryeministri Mustafa është kthye dhe është mirë me shëndet. Edhe pse, sipas instruksioneve të mjekut, ka nevojë të vazhdojë tretmanin edhe për një kohë në Kosovë”, ka thënë Bajram Gecaj, për Express, Këshilltar i Isa Mustafës dhe zyrtar i LDK’së.

Mustafa ishte prekur fillimisht nga një grup pastaj edhe nga sindroma GBS, i cili është një çrregullim në të cilin sistemi imunitar i trupit sulmon një pjesë të sistemit nervor periferik.

Simptomat e para të këtij çrregullimi përfshijnë shkallë të ndryshme të dobësisë ose ndjesive. Këto simptoma mund të rriten me intensitet derisa muskuj të caktuar nuk mund të përdoren fare dhe, kur është e rëndë, personi është pothuajse tërësisht i paralizuar.

Gjatë kohës sa Mustafa ka qenë duke u shëruar në Gjermani kanë ndodhur disa zhvillime politike, përfshirë edhe ratifikimi i demarkacionit me Malin e Zi.

Është përmendur se Mustafa në vazhdimësi ka qenë i njoftuar dhe ka marrë vendime partiake nga Gjermania.

Sidoqoftë, në mungesë të Kryetarit të LDK’së, disa prej figurave kryesore politike, kanë nisur të imponohen si lider të ardhshëm të partisë.

Deri më tash, për kandidat për Kryetar të LDK’së janë përmendur: Lutfi Haziri, Fatmir Sejdiu, Agim Veliu, Kujtim Shala, Avdullah Hoti. Ndërkohë, kanë heshtur pothuajse të gjithë nga grupi i të rinjve në LDK për ta synuar pozitën e shefit partiak. Jashtë kësaj gare kanë qëndruar Lumin Abdixhiku e Driton Selamanaj.

LDK, aktualisht, është partia më e madhe në nivel lokal dhe në Kuvendin e Kosovës.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme