Isa Mustafa: Çështja e presidentit do të diskutohet më vonë

10:49 | 2 Shkurt 2020
M. A.

Sot është nënshkruar marrëveshja për koalicion ndërmjet LDK’së dhe VV’së. Kreu i LDK’së, Isa Mustafa, tha se me të parin e VV’së, Albin Kurtin, janë dakorduar që çështja e Presidentit të zgjidhet në kohën e duhur

Këto komente Mustafa i bëri në konferencën e mbajtur pas nënshkrimit të marrëveshjes me Kurtin.

“Kemi vendosur që presidenti të mos jetë pjesë e marrëveshjes që sot e kemi nënshkruar por të dakordohemi me Kurtin dhe ta zgjidhim në kohën që është e domosdoshme. Në Këshillin e Përgjithshëm vendosim për kryetar të Kuvendit dhe do të jetë ajo apo ai që është votuar më shumë nga qytetarët”.

Ndërkaq, kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, tha se Glauk Konjufca do të kalojë në ekzekutiv.

Glauk Konjufca është zgjedhur kryetar i Kuvendit më 26 dhjetor. Ani pse e kishte votuar, LDK’ja nuk u pajtua që VV’ja ta ketë kryeparlamentarin.

Kjo shkaktoi edhe vonesa në realizimin e marrëveshjes ndërmjet të dyja partive.

Ndërkaq, VV’ja hoqi dorë nga pozita e kryeparlamentasrit, e këtë e konfirmoi edhe Kurti sot gjatë konferencës.

Ai tha se në seancën e Kuvendit e cila do të mbahet këtë të hënë, VV’ja do ta propozojë zyrtarin e LDK’së për kryetar të Kyvendit.

“Jemi dakorduar që kryetarin e Kuvendit e propozon LVV’ja nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe në këtë mënyre ecim përpara”, tha Kurti./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme