Irinej: Zoti na e ka lënë Kosovën përjetësisht, është Jerusalemi ynë

12:15 | 5 Janar 2018
Arbresh.info

Kreu i Kishës Ortodokse Serbe, patriarku Irinej, ka uruar Krishtlindjen Ortodokse duke e përmendur Kosovën. duke kujtuar historinë e saj të cilën ai e quan serbe dhe Jerusalem të Serbisë.

Në këtë urim, kryepari i kishës serbe, nuk përmend fare shumicën shqiptare që jeton me shekuj dhe para serbëve në këto hapësira, ndërsa ka ftuar besimtarët e vet të lindin më shumë fëmijë te ka kërkuar nga ta të bëhen “me popullin që e ruan dhe e mbron Kosovën ”.

“Kosova e Metohia janë Jerusalemi ynë, vendi ynë i shenjtë, të bëhem një me popullin që e ruan dhe e mbron”, ka thënë Irinej në urimin e Krishtlindjes Ortodokse duke shtuar se “asgjë nuk na duhet as shteti, as përparimi ekonomik nëse vdesim më shumë se sa që lindim, sepse do të zhdukemi si popull”, e përcjell tanjug urimin e kreut të Kishës Ortodoske Serbe.

“I ftoj besimtarët që sidomos në këtë natë të qetë, me zemër e me shpirt të jemi një me popullin e shumëvuajtur ortodoks serb i cili me besnikëri e ruan dhe e mbron çdo cep të vendit të shenjtë të Kosovës er Metohisë, të cilin, mos ta harrojmë, na e ka dhuruar përgjithmonë Zoti”, ka thënë Irinej.

Ai ka shtuar se “kohë të stuhishme kanë ardhur e kanë shkuar, por gjatë gjithë këtyre kohërave, të parët tanë në zemrat e veta i kanë bartur të pa fshira Patrikanën e Pejës, Graçanicën, Vigjëreshën e Levishkës, Banjskën, Deçanin. Arkangjelët e Shenjtë dhe mijëra shenjtore e altarë nxërë gjithë Kosovës”.

Sipas fjalëve të patriarkut, “të parët tanë e dinë se kush që nga shekulli 7 është rritur në atë vend të shenjtë, kush i ka hapur shkollat e para në manastire, kush ka shkruar libra, kush i ka krijuar freskat e ikonat, kush i ka hapur spitalet e para, kush i ka shkruar librat sllave”.

“E dimë se në Kosovë ka mbetur populli ynë i vuajtur për të treguar martirizimin e vet për kishën dhe fenë e shenjtë ortodokse që të dëshmojnë me trimëri emrin e vet serb”, ka thënë Irinej duke parafrazuar fjalët e Davidit për Jerusalemin “nëse të harroj ty Kosovë, më harroftë dora ime e djathtë”.

 

Të ngjashme