Google ADS

IPK nis hetimet ndaj zyrtarit policor, i cili qëlloi me armë zjarri një të ndaluar në Stacionin Policor të Graçanicës

20:30 | 22 Dhjetor 2020
L G

Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) respektivisht hetuesit e Departamentit të Hetimeve kanë pranuar informacione sot pas orës 17:00 përmes Linjës së Kaltër (080003333) nga Policia e Kosovës për një zyrtar policor që ka përdorur armën e zjarrit.

Hetuesit e IPK-së me të pranuar informacionin nga Policia e Kosovës lidhur me incidentin kanë dalë në vendngjarje ku kanë ndërmarrë një mori veprimesh hetimore me njësit relevante për rastin në fjalë, njofton IPK raporton arbresh.info.

“Në bazë të mandatit ligjor të IPK-së rasti do të trajtohet nga IPK në koordinim edhe me prokurorin kujdestar i cili ka dalë në vendin e ngjarjes. Bazuar në informacionet nga hetimet paraprake deri më tani dyshohet se zyrtari policor ka shtënë me armë zjarri në drejtim të një të dyshuari i cili ka qenë i ndaluar në Stacionin Policor të Graçanicës e që i njëjti ka ikur me ndihmën e një të dyshuari tjetër i cili ka qenë duke pritur me një automjet aty afër”, thuhet në njoftim.

Gjatë përdorimit të armës së zjarrit është qëlluar shoferi i makinës, cili më vonë ka shkaktuar aksident gjatë ikjes.

Personi i qëlluar me armë zjarri është dërguar nga policia për trajtim mjekësor në QKUK në Prishtinë.

Hetuesit e IPK-së së bashku me njësitë tjera relevante dhe institucionet përkatëse janë duke punuar drejt ndriçimit të rrethanave të këtij rasti dhe rreth asaj se a janë plotësuar kushtet ligjore për përdorimin e armës zyrtare.

Zyrtari policor (i stacionit policor të Graçanicës) është dërguar në objektin e IPK-së për t’u intervistuar në cilësinë e të dyshuarit me dyshimin për veprën penale “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”.

Hetuesit e IPK-së në koordinim të plotë me Prokurorinë do të vazhdojnë të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore drejt ndriçimit të plotë të të gjitha rrethanave që ndërlidhen me këtë rast./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme