IPK arrestoi një të dyshuar për manipulim me prova

19:47 | 8 Tetor 2020
Arbresh.info

Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) respektivisht hetuesit e Departamentit të Hetimeve kanë arrestuar sot një të dyshuar (zyrtar policor), me dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale “manipulim me prova”.

Hetuesit e IPK-së i kishin pranuar informacionet e para lidhur me këtë rast rreth një muaj më parë nga Policia e Kosovës – Drejtoria Rajonale Prishtinë.
Pas marrjes së informacioneve nga IPK janë ndërmarrë një varg veprimesh hetimore me dyshimin se është kryer vepra penale “manipulim me prova” lidhur me një rast të “lëndimit trupor” që kishte ndodhur në Prishtinë dhe ishte raportuar në Policinë e Kosovës muaj më herët.

Zyrtari policor tashmë i arrestuar dyshohet se u ka dhënë udhëzime palëve të përfshira në rastin e lëndimit trupor se çfarë të deklarojnë ata lidhur me rastin si dhe ti fshijnë video incizimet nga kamerat të cilat kanë mundur të filmojnë momentin e incidentit ndërmjet qytetarëve.

Lidhur me veprimet hetimore të IPK-së është konsultuar edhe prokurori kompetent dhe të dyshuarit në këtë rast me vendim të prokurorit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.

Lidhur me rastin e njëjtë, si pjesë e procedurave administrative dhe hetimore, zyrtari policor është suspenduar./arbresh.info

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme