Google ADS

`Inventarizimi Kombëtar i Pyjeve në Kosovë`, prezentohet metodologjia

22:41 | 21 Nëntor 2024
E.G

Sot në Blinajë u prezantua metodologjia e propozuar për realizimin e ciklit të tretë të Inventarizimit Kombëtar të Pyjeve në Kosovë, që do të zhvillohet gjatë periudhës kohore 2024-2025.

Invetarizimi i tretë i pyjeve pason ciklet e mëparshme që janë realizuar në vitet 2002 dhe 2012 dhe synon të paraqesë gjendjen dhe fuqizojë rolin e pyjeve si një burim i rëndësishëm natyror dhe ekonomik për Kosovë.

Në njoftimin për media theksohet se IKP do të sigurojë të dhëna të sakta mbi gjendjen aktuale të resurseve pyjore të Kosovës.

“Ky inventarizim do të luaj një rol të rëndësishëm në krijimin e politikave dhe strategjiive për menaxhimin e qëndrueshëm të pyjeve në të ardhmen”, thuhet në komunikatë.

Përfaqësues të institucioneve dhe partnerëve ndërkombëtar mirëpritën realizimin e këtij aktiviteti dhe theksuan rëndësinë e këtij procesi për krijimin e një baze me të dhëna të sakta që do jetë i favorshëm për sektorin pyjor në Kosovë.

Fidan Dema, udhëheqës i detyrës së kryeshefit të Agjencisë Pyjore të Kosovës, tha që me këtë projekt synohet të realizohet një inventar i detajuar dhe i saktë i pyjeve të Kosovës.

Fatos Mulla, zyrtar i programit në Ambasadën e Suedisë në Kosovë, theksoi rëndësinë e realizimit të inventarizimit të pyjeve përmes së cilit do të mund të adresohen disa prej sfidave me të cilat vazhdon të përballet sektori i pylltarisë.

Ndërsa Naser Krasniqi, udhëheqës vendor i ekipit të FAO-së, tha që përmes këtij aktiviteti do të sigurohet një pasqyrë reale e gjendjes së resurseve pyjore duke ofruar informacione të mjaftueshme dhe të sakta për hartimin e politikave dhe strategjive si dhe projeksioneve për menaxhimin e qëndrueshëm të resurseve pyjore në të ardhmen.

Ky proces mbështetet nga programi “Mbështetje për fuqizimin e menaxhimit të qëndrueshëm dhe shumëqëllimor të pyjeve për të përmirësuar jetesën në vendet rurale dhe për të adresuar ndryshimin klimatik në Kosovë”, financuar nga Bashkimi Evropian dhe Suedia dhe zbatuar nga Organizata për Ushqim dhe Bujqësi e Kombeve të Bashkuara (FAO)./rtk

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme