Intervistohen disa persona për rastin e 3-vjeçarit, Policia po shqyrton raportet mjekësore dhe pamjet

15:42 | 19 Shtator 2023
E.G

Policia e Kosovës ka dhënë informata shtesë lidhur me rastin e 3-vjeçarit i cili dyshohet se u dhunua në kopshtin “Gëzimi ynë” nga dy edukatore dhe një kuzhiniere.

Sipas Policisë, pas publikimit të pamjeve, janë marrë seriozisht pretendimet e ngritura dhe menjëherë ka filluar hetimi preliminar për çështjen, shkruan Arbresh.info.

“Drejtoria Rajonale e Policisë së Prishtinës është informuar lidhur me shqetësimet e ngritura në publik pas pamjeve të publikuara ndërlidhur me pretendimet për sjellje të papërshtatshme, në kundërshtim me etiken, apo me nuanca dhune, nga ana e disa edukatoreve në një kopsht fëmijësh në Fushë Kosovë. Pas publikimit të pamjeve të tilla ne kemi marrë seriozisht pretendimet e ngritura dhe menjëherë kemi filluar një hetim preliminar për çështjen”, thuhet në njoftim.

Fëmija 3 vjeç rrahet brutalisht e ngrehet zvarrë në një çerdhe shtetërore në Fushë Kosovë

Tutje bëhet e ditur se aktualisht zyrtarët policor po vijojnë punën për mbledhjen e të gjitha provave që janë të arritshme, intervistimin e personave që në çfarëdo rrethane dhe çfarëdo cilësie kanë mundur të jenë të implikuar në rast, po shqyrtohen raportet mjekësore, pamjet e publikuara si dhe po analizohen ato.

Po ashtu, veprimet policore janë në koordinim me prokurorin e shtetit si dhe po bashkëpunohet ngushtë me të gjitha agjencitë për mbrojtjen e fëmijëve dhe autoritet e tjera përkatëse.

“Ndonëse e kuptojmë interesin e publikut për çështjen, si dhe shqetësimin e komunitetit e veçmas prindërve dhe kujdestarëve, ne duhet të jemi të vëmendshëm për të balancuar nevojën për transparencë me nevojën për të mbrojtur integritetin e hetimit.”, ka njoftuar Policia.

“Për ne siguria dhe mirëqenia e fëmijëve është ndër prioritetet kryesore por njëkohësisht jemi të përkushtuar për të kryer një hetim profesional dhe të paanshëm, për të zbardhur të vërtetën dhe për të ndërmarrë veprimet e duhura bazuar në gjetjet e hetimit.”, bën të ditur njoftimi./Arbresh.info

Të ngjashme