Intervistë/ Profesori universitar, Milazim Krasniqi flet për zhvillimet politike në vend

11:05 | 29 Tetor 2022
A. B.

Profesori universitar dhe njohës i çështjeve politike, Milazim Krasniqi, deklaron se vizitat e shpeshta të emisarëve ndërkombëtarë në Kosovë po bëhen me qëllim të arritjes sa më të shpejtë të një marrëveshjeje Kosovë-Serbi.

Sipas tij, ndërkombëtarët po përpiqen që sa më shpejtë të shtyjnë përpara dialogun Kosovë-Serbi dhe të finalizojnë një marrëveshje afatshkurtër, në mënyrë që të parandalohen konfliktet e mundshme, që sipas Krasniqit, janë mjaft reale.

Ish-themeluesi i LDK-së, thotë për arbresh.info se ideja e emisarit të ShBA-ve për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, që të shtyhet afati i ndërrimit të targave ilegale serbe të paktën për 10 muaj, është shumë i qëlluar dhe duhet të bëhet para 31 tetorit.

Në të kundërtën, sipas tij, institucionet paralele serbe dhe organizatat kriminale që operojnë atje do të revoltohen dhe më pas mund të pasojë konflikti dhe sulmet e mundshme të tyre.

“Unë e kam thënë gjithmonë edhe më herët se afati për targat duhet të shtyhet, për të mos prodhuar tensione. Propozimi i Escobar që të shtyhet vendimi për targat është shumë i qëlluar sepse për momentin jemi në faza të rëndësishme të dialogut dhe nuk kemi nevojë për konflikte të reja, marrë parasysh se në veri gjenden shumë organizata kriminale”, thotë Krasniqi.

Ai thekson se kryeministri Kurti me refuzimin për ta shtyrë këtë afat, po bën shumë gabim dhe qëndrimi i tij duket jashtëzakonisht i paqartë se a donë të bëhet përsëri luftë në Kosovë, apo të sigurojë jetë të sigurt për qytetarët.

“Ndërsa Kurti me refuzimin e tij, nuk e di çka ka ndërmend me ba, a po donë përnjëmend luftë a çka është puna e tij. Tjetër shpjegim nuk ka kjo. Ai nuk duhet me i kontribu tensioneve dhe situatave jonormale, por duhet të gjejë zgjidhje për to pa luftë dhe pa tensione”, shprehet  Krasniqi.

Krasniqi ka folur edhe për draftin franko-gjerman.

Sipas tij, ky draft është një dokument ad-hoc, pra i atypëratyshëm, dhe nuk paraqet një zgjidhje përfundimtare në raportet Kosovë-Serbi, por vetëm zgjidhje për një kohë të shkurtër.

Megjithatë, ai pohon se Asociacioni i Komunave serbe, i cili është i përfshirë në draftin franko-gjerman, duhet të krijohet dhe kjo çështje të përmbyllet sa më shpejtë.

Profesori universitar thekson se kryeministri Kurti gjendet në një gjendje shumë të vështirë, marrë parasysh qëndrimin refuzues dhe protestat e shumta që i ka organizuar pikërisht kundër “Zajednicës”, gjithsesi, sa më shumë që i reziston kësaj kërkese,  sipas  tij, aq më problematike do të jetë për të si dhe për pozitën e Kosovës në dialog.

Profesori Krasniqi ka folur edhe për ftesën e Kurtit  dhe refuzimin e liderëve të PDK-së dhe LDK-së për takim.

Ftesat e Kurtit  për takim me liderët e opozitës, Krasniqi i quajti ‘lojërat politike’, sepse sipas tij, kur vije puna te marrëveshjet e ndryshme, është kompetencë ekskluzive e qeverisë që të merr vendim për to, pa pasur nevojë të konsultohet me opozitën.

Andaj, për të, refuzimi i PDK-së dhe LDK-së për pjesëmarrje në takimin e organizuar nga Kurti është i drejtë, ndërsa edhe në të ardhmen ata nuk duhet të pranojnë takim për diçka që nuk kanë kompetencë.

Njohësi i çështjeve politike në vend, ka folur edhe për mundësinë e liberalizimit  të vizave për Kosovë, që është paralajmëruar se mund të ndodh në fillimin e vitit të ardhshëm.

Krasniqi vlerëson se kjo nuk ka të bëjë aspak me të drejtën për lëvizje të lirë, por është lojë e BE-së dhe pretekst i gjetur nga ta me qëllimin e vetëm për ta shtyrë përpara marrëveshjen përfundimtare./arbresh.info/Emir Abduramani/

Intervista e plotë

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme