Zëdhënësi i Dhomave të Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, Michel Doyle në një intervistë për “Arbresh.info”, tha se lirimi i Hysni Gucatit vjen edhe me disa kushte duke përfshirë edhe dhënien e intervistave për media.
Doyle tha se për të dhënë një intervistë, Gucati duhet të kërkojë leje nga Dhomat e Specializuara.
“Atij i është garantuar lirimi dhe kthimi në Kosovë por me disa kushte deri në përfundimin e dënimi të tij. Dhe kjo përfshin edhe atë që përmendët ju, për shembull, ai duhet të përmbahet nga dhënia në mënyrë direkte apo indirekte të deklaratave publike rreth Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorisë Speciale dhe nëse ai do të japë një intervistë, së pari duhet të kërkojë lejen dhe aprovimin nga regjistari sipas procedurës së njëjtë për individët të cilët janë ende të ndaluar nga Dhomat e Specializuara. Pra, rasti i tij është modifikuar por është ende në vend. Ai është liruar provizorisht me disa kushte”, tha ai.
Sipas tij, kjo ndalesë ndaj tij do të zgjasë deri në përfundim të dënimit të tij.
“Ky kusht do të zgjasë derisa dënimi i tij përfundon, kështu që dënimi i tij është për 4 vite dhe 3 muaj kështu që kushti zgjat aq sa edhe dënimi.Pa paragjykuar të ardhmen, ashtu siç thotë vendimi, këto janë kushtet deri në konkluzionin e dënimit të tij. Pa paragjykuar vendimet e mundshme që mund të merren në të ardhmen, kjo është ajo që kemi këtu, këto janë kushtet për pjesën e mbetur të dënimi”, shtoi ai.
I pyetur se çfarë hetime mund të dëmtojë Gucati nëse flet rreth lirimit të tij, zëdhënësi i DhSK-së nuk parapëlqeu të komentojë.
“Të gjithë ata që duan të dinë më shumë për arsyen e Presidentes, ai vendim është në dokument, unë nuk do e interpretoja më shumë vendimin e saj, aty janë ato kushte për kontaktin e tij me media, të cilat janë të njëjta me kushtet të cilat janë të aplikueshme për personat e ndaluar në objektin e paraburgimit, që do të thotë që ai duhet të marrë leje nga regjistri që të bëjë një intervistë. Për arsye specifike nuk mund të komentojë më shumë”, pohoi Doyle.
Duke folur rreth kërkesës së Nasim Haradinaj për lirimin e tij të parakohshëm, ai tha se presidentja e Dhomave të Specializuara ka gjetur ka vërejtur që ai ka një rekord disiplinor në objektin e paraburgimit, prandaj ka kërkuar nga regjitari të dorëzojë një raport mbi sjelljen e tij në periudhën e ardhshme.
“Dënimi i Zotit Haradinaj ka nisur në të njëjtën kohë me zotin Gucati dhe si pjesë e procedurës së njëjte në përfundim të 2/3 të dënimit të tij, ai ishte i përshtatshëm që procesi i rishikimit të fillojë. Në rastin e zotit Haradinaj, presidentja e Dhomave të Specializuara po ashtu ka gjetur një numër faktorësh që mund të anojnë në favor të modifikimit e dënimit por ajo po ashtu ka vërejtur që zoti Haradinaj ka një rekord disiplinor në objektin e paraburgimit, prandaj ka kërkuar nga regjistari të dorëzojë një raport mbi sjelljen e zotit Haradinaj në periudhën e ardhshme, nuk është e specifikuar për saktësisht çfarë periudhe në informacionin që kam, por, regjistarit i është kërkuar që në të ardhmen të bëjë një raport për sjelljen e Haradinajt dhe modifikimi i dënimit do të konsiderohet po ashtu”, theksoi ai
Doyle, nuk komentoi as vendimin e Gjykatës së Apelit të Shqipërisë për refuzimin e ekstradimit të Dritan Goxhajt.
“Nuk mund të komentoj vendimet e Gjykatave të tjera. Siç e dini, një gjykatës i specializuar i Dhomave të Specializuara ka lëshuar një urdhër-arrest një kërkesë për bashkëpunim është bërë me Shqipërinë, kjo është gjithçka që dimë, nuk mund të komentoj çfarë veprimesh mund të merren apo nuk mund të merren në të ardhmen e as vendimin e Gjykatës së Shqipërisë, është një gjykatë tjetër”, tha zëdhënësi i Dhomave të Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, Michel Doyle.
I pyetur rreth kohëzgjatjes së gjykimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Doyle theksoi se Prokurorët kanë vlerësuar një periudhë dy vjeçare që dëshmitarët që ata janë duke i thirrur të japin dëshmitë e tyre, por që siç tha ai, numri i dëshmitarëve mund të reduktohet.
“Më herët në këtë vit, Prokurori ka vlerësuar se do të duhen dy vite, deri në Prill të vitit 2025 që dëshmitarët që ata janë duke i thirrur të japin dëshmitë e tyre dhe të pyeten nga të gjitha palët, ky vlerësim mund të ndryshojë ashtu si edhe dinamika e procedurës ec përpara, numri i dëshmitarëve mund të reduktohet, por vlerësimi që kemi nga Prokuroria është që atyre do i duhen 2 vite për të prezantuar çështjen e tyre. Pas kësaj, mbrojtja ka rastin që të kërkojë zhbërjen e të gjitha akuzave dhe nëse e bëjnë këtë, kjo duhet të konsiderohet nga Gjykata. Nëse akuzat nuk bien atëherë mbrojtja do të paraqesë dëshmitarët e saj, që natyrisht merr kohë, kështu që është që të jepet një vlerësim të përgjithshëm se sa kohë do të marrë. Çka dimë tani është që Prokuroria ka thënë dy vite për dëshmitarët e saj”, tha ai për Arbresh.info.
E kur jemi te dëshmitarët, Doyle theksoi se prioritet i Dhomave të Specializuara është mbrojta e dëshmitarëve, duke thënë që deri më tani 30 dëshmitarë kanë dëshmuar në mënyrë të sigurt.
“Dhomat e Specializuara kanë një njësi dedikuar mbrojtjes së dëshmitarëve, ky ka mbështetjen dhe është një prioritet i Dhomave të Specializuara që nga fillimi dhe nga ajo që keni parë në procedurë, gjykatësit kanë mundësinë që të urdhërojnë një mbrojtje të veçantë që të fshehin identitetin e dëshmitarëve të mbrojtur për të mbrojtur identitetin e tyre dhe ky njësit punon që të ofrojë sigurinë para, përgjatë dhe pas dhënies së dëshmisë, në rastin e Thaçit dhe të tjerëve kanë qenë 30 dëshmitarë të cilët kanë ardhur dhe në mënyrë të sigurt kanë dhënë dëshmitë e tyre”, tha ai. /Arbresh.info/Erolinda Gashi/
Parashqevi Simaku dërgon mesazh të paharrueshëm nga New York...
Parashikimi i motit në Shqipëri, si do variojnë temperaturat...
Australi, lëshohen urdhra të evakuimit në shtetin Victoria p...
Aksident i rëndë në magjistralen Prishtinë – Ferizaj
Xheneta, Gjestit: Kam thyer premtimin më të madh të familjes...
Juria profesionale zgjedh 15 këngët finaliste të Fest 63