Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, në një intervistë për arbresh.info flet për procesin e vetingut, hetimet në lidhje me korrupsionin në të gjitha nivelet, vdekjet ende të dyshimta të Astrit Deharit e Agon Musliut.
Në këtë intervistë ai flet edhe për mundësinë e kthimit të Elez Blakaj, hetimet në lidhje me veteranët “e rrejshëm”, ndërhyrjet e mundshme në dhomën e përgjimeve dhe punësimet në Telekom.
Aleksandër Lumezi e cilëson si “shumë popullore” të thuhet se ka nevojë për një veting të drejtësisë ku përfshihet Prokuroria.
Sipas tij, sistemi i drejtësisë ka nevojë për reformë, e cila duhet të fokusohet në rritjen e llogaridhënies dhe të forcohet mbikëqyrja e prokurorëve, dhe gjatë vlerësimit të performancës, personat që nuk tregojnë efikasitet, përmes një komisioni profesional të forcohet puna e tyre e përditshme.
“Ka nevojë të bëhet ndonjë reformë brenda sistemit të drejtësisë, por ajo reformë të bëhet ekskluzivisht nga bartësit e funksioneve prokuroriale dhe gjyqësore, në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë, me Ambasadën Amerikane dhe ambasadat tjera, Komisionin Evropian dhe shoqërinë civile”.
Sipas tij, duhet të ketë ndryshime ligjore dhe kushtetuese, dhe gjithë ato verifikime që duhet të bëhen thotë se marrin një kohë të gjatë.
“Vetingu do të duhej të përfundojë brenda tre viteve për të mos dëmtuar efikasitetin e gjykatave dhe prokurorive.”
Në këtë intervistë, Lumezi ka dhënë detaje edhe për rastin e aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosjes, Astrit Dehari, që vdiq më 5 nëntor 2016, në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, në rrethana ende të pa sqaruara.
Lumezi për rastin Dehari: Pandemia pamundësoi ardhjen e ekspertëve nga Instituti i Llozanës
“Jemi duke pritur ardhjen e ekspertëve nga Instituti i Llozanës dhe pas dëgjimit të tyre në cilësinë e dëshmitarëve të vazhdojmë me procedurën penale. Pandemia deri më tani e ka pamundësuar ardhjen e tyre.”
Rasti i Agon Musliut, ende nuk dihet nëse ishte vetëvrasje apo shtytje në vrasje
Ai ka folur edhe për rastin e Agon Musliut që humbi jetën më 3 maj të këtij viti në Qendrën e Studentëve derisa po mbahej në karantinë, pas ardhje nga Gjermania.
“Ende nuk kemi identifikuar ndonjë person përgjegjës për kryerjen e kësaj vepre, sepse nuk kemi informacione të sakta nëse është vetëvrasje, apo shtytje në vrasje”, është shprehur Lumezi.
Pa dhënë shumë detaje, ai ka folur edhe për rastin e hetimit të veteranëve të rrejshëm.
Lumezi, flet për hetimet rreth mundësisë së ndërhyrjes në dhomën e përgjimeve nga Kurti dhe Sveçla
Prokuroria e Shtetit është duke hetuar dhe deklarimet publike se ka patur ndërhyrje në dhomën e përgjimeve.
Kryeprokurori i Shtetit, Aleksander Lumezi, në një intervistë për arbresh.info ka bërë të ditur se Prokuroria është duke mbledhur informacione nga dëshmitarët, për të vërtetuar nëse ka pasur ndërhyrje në dhomën e përgjimeve.
“Ne, ende nuk kemi informacionet të sakta se kush ka qenë në dhomën e përgjimeve, apo a ka qenë dikush në dhomën e përgjimeve. Ne jemi duke mbledhur dhe grumbulluar informacione nga dëshmitarët për të vërtetuar se a ka pas ndërhyrje në dhomën e përgjimeve. Nëse sigurojmë informacione se persona të paautorizuar kanë hyrë në dhomën e përgjimeve, sigurisht që do t’i ndjekim dhe do të kërkojmë llogaridhënie nga ta dhe përgjegjësi penale”, tha Lumezi.
Lumezi: Nuk ka ministra nën hetime nga Qeveria aktuale, nën hetime kemi ministra në qeveritë e kaluara
412 raste të korrupsionit janë trajtuar vitin e kaluar, ku janë të përfshirë shumë zyrtarë shtetërorë, ministra e deri tek zyrtarë komunalë.
Gjatë këtij viti, sipas kryeprokurorit Aleksandër Lumezi, ka patur aktakuzë për dy gjyqtarë, një polic, dhe një aktakuzë tjetër ndaj 32 policëve dhe personave tjerë të pjesës veriore.
“Jemi duke treguar vullnet për tu ballafaquar me të gjitha lëndët e korrupsionit, pavarësisht se cilët janë personat që kanë kryer vepra penale”, thotë Lumezi.
Lumezi konfirmon se në fazë të hetimeve ka ministra, deputetë, policë.
“Faktikisht përpara as që është imagjinuar mund të preken këta persona, dhe sot presim gjykime të suksesshme në gjykata. Të qeverisë aktuale nuk kemi asnjë ministër në fazën e hetimeve, por kemi raste të hetimeve të ministrave në qeveritë e kaluara.”
Vazhdojnë hetimet në Telekom, Komisioni Parlamentar asnjëherë nuk dorëzoi gjetjet
Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, në intervistën për arbresh.info bënë të ditur se kanë filluar hetimet edhe për punësimet në Telekom, edhe në këtë rast janë duke mbledhur informacione dhe duke shikuar dokumentacionin e punësimit të këtyre personave.
Për më tepër ai konfirmon se nuk kanë marrë asnjë informacion nga hetimi i Komisionit Parlamentar të legjislaturës së kaluar, në lidhje me hetimin për Telekomin.
“Dhe, nëse sigurohen prova të mjaftueshme që personat që kanë qenë në rekrutimin e këtyre personave e kanë shkelur ligjin, do të ketë edhe akte akuzuese të bazuara në prova. Nuk kam marrë asgjë nga Komisioni Parlamentar, por jemi duke hetuar mbi bazën e asaj që është raportuar në medie.”
Ku do të shkojë Lumezi pas përfundimit të mandatit, dhe si mund të vijë Elezi?
Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, në intervistën për arbresh.info thotë se pas përfundimit të mandatit të tij do të vazhdojë të jetë në zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit.
“ Do të mbes në sistemin prokurorial dhe në zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit”, deklaron Lumezi.
Ai sqaron edhe mundësinë e kthimit të ish-prokurorit Elez Blakaj, në sistemin e drejtësisë.
Blakaj ishte dorëhequr pasi kishte dorëzuar fakte në lidhje me keqpërdorimet në listat e veteranëve.
“Me zotin Elezi nuk kam biseduar prej kur ka dhënë dorëheqje nga pozita e prokurorit special, por kthimi i tij është i mundshëm, por duhet të rekrutohet dhe konkurrojë në stadin fillestar, do të thotë në Prokurori Themelore, dhe nëse gjatë procesit të intervistimit i parasheh të gjitha fazat, mund të kthehet, por jo në pozitën në të cilën ka qenë para se të jap dorëheqje. Ka mundësi të konkurrojë dhe të fillojë si fillestar dhe mandej të zhvillohet në karrierë brenda sistemit prokurorial.”/Gita Lushi/arbresh.info/
INTERVISTA E PLOTË:
Studimi: Qëndrimi ulur për orë të gjata mund të dëmtojë shën...
Edi për Xhenetën, nuk e mohon se mund të ketë diçka
Gjashtë lëndë ushqyese që ndihmojnë në ndërtimin e muskujve ...
Harta e akneve në fytyrë, mesazhet e fshehura të shëndetit
Bitcoin nuk di të ndalet, i afrohet nivelit të 100 mijë doll...
Katër shenjat e horoskopit janë të motivuara veçanërisht për...