Kryetari i Aleancës Kosova e Re (AKR) si dhe deputet i kësaj partie në Kuvendin e Kosovës, Behgjet Pacolli, në një intervistë për portalin “Arbresh.info” ka folur për disa çështje aktuale në vend.
Pacolli thotë se plani franko – gjerman, i cili u është dërguar dy vendeve, Kosovës dhe Serbisë, ka elemente të cilat duhet të merren për bazë. Por, sipas tij, ky plan ka edhe mos përputhje dhe dialogu rreth këtij dokumenti, do të jetë jo i shkurtër.
Megjithatë, ai është optimist se në fillim të vitit 2024 do përmbyllen diskutimet rreth këtij dokumenti.
“Unë besoj se si drafti i parë, ashtu edhe i dyti është një dokument, i cili është dërguar edhe në Serbi edhe këtu në Kosovë dhe palët janë duke e studiuar. Unë besojë se aty ka elemente të cilat mund të merren si bazë për diskutim, mirëpo dokumenti, si i tillë ka aq shumë diskrepanca që vetëm hap diskursin mes palëve dhe ky diskutim, ky dialog rreth këtij dokumenti, do të jetë jo i shkurtër, do të jetë i gjatë. Unë mendojë se i tërë viti do të kalojë duke diskutuar rreth këtij dokumenti dhe nëse përmbyllet, fatmirësisht duhet të mbyllet diku, pra unë e parashohë diku kah fillimi i vitit 2024”, shprehet Pacolli.
Por, i pyetur nëse do të duhej të përfshihej Asociacioni në planin franko-gjerman, Pacolli pohon se për temat që janë nënshkruar në vitin 2013 do të diskutohet pas marrëveshjes finale.
“Ka ekzistuar njëfarë marrëveshje e pashkruar në heshtje që të punohet me dokumentin final, në marrëveshjen finale, dhe gjitha dokumentet e nënshkruara, gjitha marrëveshjet e nënshkruara nga viti 2013 e këndej duhet të shërbejnë si dokumente, të cilat kanë karakterin teknik dhe ato të jenë pjesë e marrëveshjes finale. Do të thotë që për to të diskutohet mbas marrëveshjes finale”, thotë kreu i AKR-së.
Pacolli thotë se Qeveria Kurti ishte ngutur me veprimin e reciprocitetit rreth targave, gjë e cila dërgoi deri në largimin e serbëve nga të gjitha institucionet e vendit.
“Fatkeqësisht këtu tek ne u ngutën pak me disa veprime dhe ato çuan deri te rebelimi i palës serbe, të cilët u tërhoqën edhe nga qeveria dhe nga institucionet e Kosovës. Reciprociteti për targat siç e patë nuk funksionoi ashtu si duhet dhe qeveria jonë ishte e obliguar që të legalizoj targat të cilat ishin ilegale në atë kohë dhe këto targa tani i sheh kudo në Kosovë”, thekson Pacolli.
Ai shprehet i frikësuar se çështja e Asociacionit mund të diskutohet para marrëveshjes finale mes Kosovës dhe Serbisë.
“Dhe këto mosmarrëveshje shkuan deri aty që unë po kam frikë, që nuk do të diskutohet për marrëveshjet finale, por do të diskutohet së pari për Asociacionin. Është shumë e vërtetë që Asociacioni është një pikë që ka renditjen e vetë, siç e quan Kryeministri pika e 10’të, por unë po frikohem, ajo nuk është dëshira ime që Republika e Kosovë do të diskutojë këtë Asociacion para çdo dokumenti tjetër dhe do të merren vesh për Asociacionin para marrëveshjes finale”, shprehet Pacolli.
Ai thotë se ekziston rreziku që kthimi i serbëve në institucionet vendore dhe marrëveshja e Asociacionit, të bëhen kushte për tu arritur një marrëveshje finale mes Kosovës dhe Serbisë.
“Dhe këtu si po e shohë ka njëfarë kushtëzimi që kthimi i serbëve në institucione do të kushtëzohet me nënshkrimin e marrëveshjes për Asociacion. Pas kësaj marrëveshje mund të vazhdohet të punohet për marrëveshje finale, por kur do të mbaron ajo, siç e thash është një kohë e pa limituar dhe mund të zgjatë shumë”, pohon kreu i AKR-së.
A prit Pacolli marrëveshje finale me këtë Qeveri?
Ish-ministri i Jashtëm i Kosovës beson shumë që Qeveria Kurti do jetë ajo qeveri e cila do ta përmbyll marrëveshjen finale me Serbinë.
“Po, kjo qeveri është dashtë ta përmbyll marrëveshjen finale me Serbinë, për arsye se është Qeveria e parë prej vitit 2008 e këndej që diskuton në mënyrë të hapur me Serbinë. Nuk ka pas asnjëherë takime të drejtpërdrejta me Serbinë si kjo qeveri, do të thotë ekziston përbërësit që kjo qeveri ta përmbyll këtë marrëveshje. Dëshiroj që ajo të përmbyllet drejtësisht dhe Kosova nuk do të humb asgjë”, thotë ai.
Pacolli tregon se si e vlerëson punën dyvjeçare të Qeverisë Kurti.
“Unë po frikësohem se ajo që është me rëndësi, siç është zhvillimi ekonomik, po neglizhohet dhe po të kishte pasur zhvillim ekonomik do ishte shumë lehtë të diskutohej për dialogun. Mendimi ime ishte që zgjidhja në veri nuk është zgjidhje politike, pasi çdo zgjidhje politike bëhet në dëm të dikujt, të Kosovës, të banorëve atje, apo të Serbisë. Prandaj, një zgjidhje politike e dëmton njërën palë më tepër sesa tjetrën”, shprehet Pacolli.
Pacolli tregon cila do ishte zgjidhja e problemit në veri të vendit dhe pse
Sa i përket zgjidhjes së problemit në veri të vendit, Pacolli thotë se një zonë e lirë ekonomike do ishte zgjidhje e të gjitha problemeve në atë pjesë për të gjitha etnitetet që jetojnë atje.
Po ashtu, sipas tij, ajo zonë do duhej të udhëhiqej nga një shtet i tretë, as nga Kosova e as nga Serbia.
“Kurse zgjidhja ime që unë e kam nënvizuar gjithmonë dhe e them edhe sot, është se jam i bindur më tepër se zgjidhja është ajo ekonomike, krijimi i një zone të lirë ekonomike, me territor të Serbisë dhe Kosovës. Si pjesë përbërëse e asaj zone të lirë ekonomike, do ishte veriu i Kosovës, kurse një pjesë përbërëse e territorit të Serbisë në këtë zonë ekonomike do ishte një pjesë e Novipazarit, diku në Rashkë. Kjo zonë e lirë ekonomike do të udhëhiqej prej një entiteti krejtësisht të tretë, pra, jo nga Kosova e Serbia. Kjo zonë ekonomike do të krijonte mundësi marramendëse për qytetarët atje, do kishte një politikë të taksave krejtësisht ndryshe dhe kjo do të ishte shumë tërheqëse për shumë investitorë që do të vinin, por jo investitorë që do të vinin e t’i bënin favor Kosovës apo Serbisë. Por, investitorë që do të vinin për interesat e tyre, për shkak të taksave”, shprehet Pacolli.
Sipas tij, kjo zonë ekonomike brenda 5 vjetëve do të punësonte mbi 100 mijë persona.
“Unë mendoj se një zonë e lirë ekonomike e një lloji të tillë, do të angazhonte në pesë vitet e para diku rreth 100 deri në 150 mijë të punësuar dhe aty do të vinin edhe më tepër ndërmarrje nga jashtë dhe kjo do ishte zgjidhja”, tregon Pacolli.
Ai thotë se për ekonominë e vendi nuk është bërë asgjë deri tash dhe është i bindur se edhe viti 2023 do jetë i njëjtë.
“Unë them se për ekonominë nuk është bërë asgjë, këtu më vjen keq ta kundërshtoj edhe Kryeministrin këtu kur thotë se kemi pasur rritje. Ne nuk kemi pasur rritje ekonomike fare. Nuk kemi as vit me të cilin mund ta krahasojmë. Viti 2020 ka qenë viti i pandemisë totale, ku çdo gjë ka stagnuar dhe nëse vitin 2021 e cilësojmë si vit të rritje të eksportit, apo rritje të investimeve të huaja në Kosovë, në gabojmë sepse nuk ka asnjë krahasim”, përfundon Pacolli./Arbresh.info/Pleurat Salihu/
Intervista e plotë
Rama me magjinë e rrugës për në Kolonjë, uron një ditë të mb...
Guterres: Bombardimet e Izraelit në Jemen janë jashtëzakonis...
Hasani e thotë me bindje: Shqipëria do jetë anëtare e BE-së ...
Real Madridi ndryshon emrin e stadiumit Santiago Bernabeu pë...
BE kërcënon Rusinë me sanksione
Gara me jahte në Australi, humbin jetën dy persona