Ish-ministri i Mbrojtjes, tashmë deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Anton Quni konsideron se sulmi terrorist serb në veri të vendit, nuk do të jetë i fundit.
Sipas tij, sulmi në Banjskë nuk do të jetë përpjekja e fundit e Serbisë kundër Kosovës.
Në një intervistë për Arbresh.info, deputeti Quni flet për ngjarjet e fundit në veri, sigurinë, Qeverinë Kurti dhe zgjedhjet e brendshme të LDK-së.
Sipas Qunit, tashmë dihet haptas që organizime të tilla ushtarake siç ishin në Banjskë, nuk mund t’i organizojë një grup i thjeshtë, apo disa terroristë, pa e pasur një hierarki ushtarake që merret me trajnimin dhe përgatitjet për luftë, e të cilën, sipas tij, mund ta mundësojë vetëm përfshirja e Serbisë, që tashmë është faktuar.
Ushtrimet në territorin e Serbisë që i ka kryer ky grup terrorist për Qunin si ish-ministër i Mbrojtjes, shihet qartë që kanë pasur mbështetje të fuqishme ushtarake serbe, duke filluar nga presidenti i tyre, Aleksandar Vuçiq, ushtarake e policore, e deri te ato të inteligjente.
Quni, shtjellon se çka duhet, si organizohet, kush duhet të përfshihet, ekspertët, trajnimet dhe kush mund ta përgatisë një grup terrorist që me vete kishte armatim në vlerë mbi 5 milionë euro për të luftuar me Policinë e Kosovës.
Por, a ka dështuar hallka e inteligjencës kosovare të identifikojë këtë grup, t’ju bije në gjurmë apo në bashkëpunim me instancat e tjera të sigurisë të parandalojë?
“Ndoshta ka pasur edhe informata paraprake, por ndoshta është vlerësuar edhe momenti i reagimit. Mirëpo, që në momentin që ky grup u dekonspirua me vrasjen e rreshterit Afrim Bunjaku, në bashkëpunim me partnerët tanë, në veçanti me KFOR-in, kanë filluar të veprojnë që këtë grup edhe ta neutralizojnë”, thotë Quni për Arbresh.info.
Për deputetin Quni, reagimi, monitorimi, skenari dhe intervenimi nga ana e Njësisë Speciale në kuadër të Policisë është model që do të duhej të merrej si shembull nga shtetet e rajonit dhe ato evropiane se si duhet të veprohet në situata specifike.
Deputeti i LDK-së sulmin terroristë në Banjskë e sheh si plan më i gjerë nga Serbia, duke paralajmëruar se do të ketë edhe të tjera sulme, por të sofistikuara dhe të kujdesshme.
“Unë nuk e besoj se kjo është përpjekja e fundit, duke e pasur në konsideratë përpjekjen e Beogradit që të minojë procesin e dialogut edhe të krijojë favore politike në tavolinën e bisedimeve. Jam i bindur që do të ketë vazhdim të përpjekjeve të tilla, por në përmasa më të sofistikuara dhe më të kujdesshme”, pohon Quni.
Ai ka folur edhe për qeverisjen e deritashme të Albin Kurtit, dikur shefit të tij në Qeverinë e Kosovës.
Quni e quan Qeverinë Kurti të dështuar dhe larg pritjeve të qytetarëve që i ka krijuar gjatë qëndrimit në opozitë dhe ofertës që e ka bërë gjatë zgjedhjeve.
Në fund ai ka treguar se përkrahja e tij në zgjedhjet e brendshme të LDK-së për zgjedhjen e strukturave të reja, do të shkojë për kryetarin aktual të kësaj partie, Lumir Abdixhikur, që i është futur garës edhe për një mandat shtesë në drejtimin e partisë. /Arbresh.info/Pleurat Salihu/
INTERVISTA E PLOTË
Osmani takoi Komisioneren për Zgjerim, theksoi rëndësinë e a...
Xheneta, Drilonit: Me qenë ti vëllai im, do më kishte ardhur...
Kasanof takim me Ramën: Mbështetje Shqipërisë për çështje ky...
Nëntë filma të shfaqur në DokuFest në listë të gjatë për Çmi...
Sinani thotë se autoritetet serbe ia ndaluan ministrit Çeku ...
Për çfarë arsye do ndahej Lela nga Leo?