Numri i serbëve të interesuar për t’iu bashkuar Policisë së Kosovës mbetet i pandryshuar, thanë zyrtarët, pavarësisht raporteve që serbët kanë kërkuar të lënë Forcën e Sigurisë së Kosovës për shkak të tensioneve politike.
Policia e Kosovës tha për BIRN se në vitin 2014, mbi 5 për qind e aplikuesve ishin serbë, ndërsa këtë vit ka pasur rreth 5 për qind (4.91 për qind).
“Bazuar në statistikat dhe përqindjen e aplikuesve nga komuniteti serb vërehet një interes konsistent i këtij komuniteti për t’iu bashkuar Policisë së Kosovës”, tha Policia.
“Interesimi [për të iu bashkangjitur forcës] ka qenë pothuajse proporcional” me numrin e serbëve që jetojnë në Kosovë si përqindje e popullsisë së përgjithshme”, insistoi Policia.
Forca ka mbi 8,600 anëtarë, duke përfshirë stafin me uniformë dhe atë administrativ.
“Pjesëmarrja e komunitetit serb në Policinë e Kosovës është mbi 11 për qind”, tha Policia e Kosovës.
Por Mentor Vrajolli, një studiues i lartë në Qendrën e Kosovës për Studimet e Sigurisë, sugjeroi se shumë serbë i janë bashkuar Policisë se Kosovës nga një marrëveshje mes Beogradit dhe Prishtinës për të zhbërë strukturat paralele të sigurisë të kontrolluara nga serbët që ekzistuan më parë në Kosovë.
“Një numër i madh i tyre janë rekrutuar në bazë të zbatimit të marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë për të zhbërë strukturat paralele kur anëtarët e këtyre strukturave u bashkuan me Policinë e Kosovës”, tha Vrajolli për BIRN.
Vrajolli tha se institucionet e Kosovës kanë dështuar të punojnë në drejtimin e përmirësimit të imazhit të serbëve që shërbejnë në Policinë e Kosovës.
“Veçanërisht në pjesën veriore të Kosovës, unë kam vërejtur se pjesëtarët serbë të Policisë së Kosovës janë fyer nga shoqëria [lokale]; ata shihen si njerëz që nuk punojnë për interesat e bashkësisë [serbe]”, tha Vrajolli.
“Rrjedhimisht, nuk ka entuziazëm midis këtyre anëtarëve [të forcës], ata punojnë më shumë për pagat sesa për të ofruar shërbime si anëtarë të Policisë së Kosovës”, shtoi ai.
Mediat në Kosovë dhe Serbi kohët e fundit kanë raportuar se disa anëtarë serbë të Forcës multi-etnike të Sigurisë së Kosovës e kanë lënë punën, ndërsa politikanët e Kosovës fajësojnë Beogradin për presupozimin e presionit të serbëve për t’u larguar.
Ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Rrustem Berisha, konfirmoi në korrik se forca kishte marrë kërkesa nga disa anëtarë serbë për t’u larguar.
“Sipas vlerësimeve të ministrisë, këto kërkesa vijnë si pasojë e sulmeve të qëllimta ndaj Forcës së Sigurisë së Kosovës, pjesëtarët e komunitetit serb po përpiqen të dëmtojnë arritjet dhe zhvillimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, si dhe imazhin e saj si forca më e besueshme e sigurisë në vend për vite”, tha Berisha në një konferencë shtypi.
Vrajolli sugjeroi që Forca e Sigurisë së Kosovës të shikohet nga Beogradi më tepër si një institucion shtetëror dhe për këtë arsye “presioni ndaj pjesëtarëve serbë të FSK-së është më i madh se sa ndaj pjesëtarëve të Policisë së Kosovës”.
Ai u kërkoi gjithashtu institucioneve të Kosovës të bëjnë më shumë përpjekje për të fituar mbi pakicat etnike të vendit.
“Duhet të ketë investime në inkurajimin e integrimit të komuniteteve”, tha ai.
“Nuk mund të jetë surprizë nëse anëtarët serbë largohen, pasi qeveria nuk po punon në përmirësimin e imazhit të tyre brenda komunitetit të tyre”, shtoi ai. /kallxo.com
Nisin pushimet për punonjësit e shtetit, ky është kalendari ...
PSG dhe West Ham në negociata për transferimin e Soler në Pa...
Kurti: Përfshirja e fëmijëve në edukim, mundësi për punësim ...
Sekuestrohen 12 armë zjarri në rajonin e Prishtinës
Ngritet aktakuzë ndaj një ish-pjesëtari të forcave serbe për...
Xheneta- Gjestit: A të kujtohet puthja jonë e parë?