Institutit i Shëndetësisë: Nuk ka asnjë rast të dyshuar për coronavirus te udhëtarët e linjës Veronë-Prishtinë

18:04 | 27 Shkurt 2020
Arbresh.info

Drejtor i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, Naser Ramadani, ka qenë i pranishëm në kontrollet që i janë bërë të gjithë udhëtarëve që kanë ardhur pasditen e sotme nga Italia në Prishtinë.

Aeroplani i linjës Veronë-Prishtinë ka mbërritur rreth orës 15:50 minuta, ndërsa udhëtarët i janë nënshtruar kontrolleve nga ekipet mjekësore. Sipas Ramadanit, janë gjithsej 5 ekipe mjekësore të cilat janë në ndihmë të Aeroportit “Adem Jashari”.

Ramadani tha se udhëtarët nuk kanë pasur shenja të koronavirusit, megjithatë një raport më i zgjeruar do të bëhet pasi të kryhen të gjitha kontrollet.

Ai tha se të njëjtit po këshillohen se si duhet të sillen në rast se shfaqin shenja të dyshimta në ditët në vijim.

“Ne si Institut Kombëtar faktikisht kemi dalë këtu bashkë me ekipet mjekësore të aeroportit dhe ekipet mjekësore të Qendrave Kryesore të Mjekësisë Familjare, gjegjësisht janë katër ekipe mjekësore dhe një ekip i Institutit Kombëtar në përcjellje dhe ndihmë të vazhdueshme të aeroportit dhe ekipeve mjekësore. Kështu që kemi ardhur këtu për të parë nga afër faktikisht kontrollin e rregullt të të gjithë pasagjerëve të cilët udhëtojnë përmes Aeroportit të Prishtinës dhe në veçanti gjendemi pas kontrollit të udhëtarëve të cilët vijnë në linjën Prishtinë-Veronë. Duke pasur parasysh se kontrolli i mjekëve ka filluar dhe është në fluks të punës mund të themi se përshtypjet e para janë impresionuese dhe nuk ka asnjë person të dyshimtë. Pra për momentin, duke pasur parasysh se jemi në vizitë e sipër, do të përfundojmë vizitën dhe në fund do të bëjmë bilancin të gjithë personave duke i rekomanduar ata si të sillen në rast se kanë shenja eventuale”, deklaroi ai për kp.

Ndryshe, Italia është shndërruar në vatër të koronavirusit në Evropë pasi është vendi më i prekur nga virusi vdekjeprurës ku janë regjistruar 456 raste me të infektuar dhe të paktën 12 të vdekur.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme