Vetëm 34 për qind e rekomandimeve të Avokatit të Popullit, të lëshuara vitin e kaluar, janë përfillur nga institucionet shtetërore.
Kështu tha për Radio Kosovën Avokati i Popullit, Hilmi Jashari, i cili theksoi se institucionet e drejtësisë prijnë në moszbatimin e tyre. E deputeti i Vetëvendosjes, Sami Kurteshi, thotë se për zgjidhjen e këtij problemi, duhet të krijohet një komisioni ad hok në Kuvendin e Kosovës.
Me qëllim të mbrojtjes së të drejtave të njeriut, Avokati i Popullit, në fund të vitit të kaluar, ka nxjerrë një varg rekomandimesh për institucionet shtetërore. Por pjesa më e madhe e tyre nuk po merren parasysh nga institucionet e vendit. Avokati i Popullit, Hilmi Jashari, tregoi për Radio Kosovën se sa ka qenë numri i rekomandimeve të adresuara për institucionet shtetërore dhe sa prej tyre janë plotësuar.
“Gjatë vitit 2016, kemi adresuar gjithsej 173 rekomandime për institucionet publike. Nga këto rekomandime 59 rekomandime apo 34 për qind janë zbatuar. 29 rekomandime kanë mbetur pa u zbatuar dhe 85 janë në pritje për zbatim”, theksoi Jashari.
Sipas Avokatit të Popullit, gjysma e rekomandimeve kanë qenë për institucionet e drejtësisë, të cilave u rekomandohet mbrojtja e të drejtave të njeriut.
Radio Kosova ka pyetur Këshillin Gjyqësor të Kosovës se sa rekomandime kanë marrë dhe sa nga to i kanë zbatuar. KGJK, nëpërmjet e-mailit, ka konfirmuar se kanë pranuar pesë rekomandime, tre prej të cilave deri tash janë zbatuar.
Për Jasharin, është shqetësuese mospërfillja e rekomandimeve të Institucionit të Avokatit të Popullit, edhe pse këto janë detyruese.
“Po, janë detyruese. Dhe kushtetuta ua jep një karakter të tillë. Është paradoksale të thuhet që nuk kanë fuqi, kur institucioni i Avokatit të Popullit është parashikuar me kushtetutën e vendit, si mekanizëm i pavarur që mbikëqyr dhe mbron të drejtat e njeriut”, tha ai.
Por, me qëllim që rekomandimet të zbatohen, ditë më parë, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, ish Avokati i Popullit, Sami Kurteshi, tha se do të kërkojë krijimin e një komisioni ad hok, që do të monitoronte zbatimin e rekomandimeve nga ana e institucioneve dhe do ndëshkonte të gjitha ata që rekomandimet nuk i përfillin./Radio Kosova
Schnetzer: Austria vazhdon të jetë investitori i pestë më i ...
Putin: Jemi gati për “duel” raketor me SHBA
Cana: UEFA nuk duhet të na linte në grup me Serbinë
Kumbaro: Rritëm sipërfaqen e zonave të mbrojtura në 21,5% të...
Xheneta kritikon ashpër Gjestin, ky i fundit fillon të qajë
Zelensky: Macron po na ndihmon në konsultimet lidhur me misi...