Në listën e të pranuarve në punë, nga 30 prej tyre, një numër i madh janë zyrtarë të LDK-së, familjarë të tyre e miq të familjarëve të krerëve të kësaj partie.
I pranuar në punë, është Abedin Hoti, kryetar i nëndegës së LDK-së në fshatin Ratkoc të Rahovecit, vendlindjes së ish-ministrit të Financave, Avdullah Hotit.
Aty është edhe Adnan Lahu, kryetar i Rinisë së LDK-së në Vushtrri, gjithashtu kandidat për asamblist për zgjedhjet lokale.
I kontaktuar, Lahu, ka thënë t’u jetë nënshtruar të gjitha procedurave të konkursit, testeve me shkrim e me gojë, dhe ka plotësuar kriteret e kërkuara.
“Nuk ka pas asnjë ndikim partiak, se nuk kam qenë i vetmi që kam konkurruar. Veç jam anëtar i një subjekti politik,” ka thënë Lahu nëpërmjet telefonit.
Anëtari i Kryesisë së LDK-së në Malishevë dhe kryetar i të rinjve të kësaj partie në këtë komunë, Fatmir Ademaj, është gjithashtu i pranuar në këtë konkurs.
Gjithashtu, në këtë konkurs në mesin e të pranuarve si inspektor tatimor është edhe Alban Kupina, djali i Hetem Kupinës, që në vitin 2015 ka qenë kryetar i degës së LDK-së në Bardhosh dhe kandidat për asamblist i kësaj partie.
Vend pune ka siguruar edhe një i afërm i Besnik Mustafës, djalit të kryetarit të LDK-së, Isa Mustafa. Asdren Zahiti, është gjithashtu në mesin e 30 personave që janë pranuar në punë në ATK.
Edhe vajza e kandidatit për deputet të LDK-së, Bajrush Morina, Diana, është në mesin e të pranuarve në punë, e burimet i kanë thënë KTV-së se ajo ishte aty e punësuar për më shumë se 1 vit.Bajrush Morina, i kontaktuar nga KTV-ja, ka hedhur poshtë mundësinë që ajo të mos i ketë plotësuar kriteret, dhe ka mohuar të ketë ndikuar në ndonjë mënyrë në punësimin e vajzës së tij, pasi nuk kishte ndikuar as në shkollim, e as vendet e punës të mëhershme.
“As në fakultet, as në Amerikë, as në Aeroport, as në Bankën Kombëtare Tregtare dhe as në Administratën Tatimore absolutisht nuk e njoh askënd dhe askujt nuk i kam thënë, se nuk kam pasë nevojë”, ka thënë Morina.
Lidhur me këtë konkurs, KTV-ja ka informata edhe për punësime të familjarëve drejtuesve të ATK-së, për çka i janë drejtuar një sërë pyetjesh Zyrës për media të këtij institucioni.
Përveç dyshimeve për punësimin e të afërmeve të tyre nga drejtues të këtij institucioni, burimet kanë treguar se konkursi është përcjellë edhe me parregullsi të tjera, për çka zëdhënësja e ATK-së i ka thënë KTV-së se do të prononcohen në javën e ardhshme.Punësimet e familjarëve nuk janë një fenomen i panjohur për këtë institucion, pasi pak ditë më parë, mediat online raportuan se në mesin e të pranuarve në punë për vozitës, nga 5 sa kërkoheshin, ishte edhe emri i nipit të drejtorit të ATK-së.
Musliu: Urgjentisht të fillojnë hetimet ndaj drejtorit të RT...
Banka Botërore: Shqipëria të investojë 6 miliardë dollarë në...
Abdixhiku shpalos programin për Arsim në Vushtrri, premton m...
Kur do të hapet ura e Ibrit ?
Mbi 1 mijë tenderë njëburimorë raportohet se po hetohen nga ...
Rrahmani: Është viti i pestë që jam këtu, ndihem si një nga ...