Në përditshmëri raportohen raste të shkeljeve të të drejtave të punëtorëve. Problemet më të mëdha kanë të bëjnë me ndërtimin e marrëdhënies së punës.
Ligji i Punës, ndër të tjera, ka paraparë rregullimin e marrëdhënies së punës ndërmjet punëdhënësit dhe punëmarrësit në të dyja sektorët, atë publik dhe privat, duke paraparë kështu të drejtat dhe obligimet e palëve në një marrëdhënie pune.
Për të monitoruar këto raste është pikërisht Inspektorati i Punës dhe inspektorët e këtij institucioni, të cilët në të shumtën e rasteve nuk e kryejnë punën siç duhet. Të gjitha këto shkelje janë duke ndodhur derisa ekziston ky institucion, i cili është trupë ekzekutive dhe funksionon në kuadër të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale. Në Inspektoratin e Punës janë të punësuar 50 inspektorë, të cilët kanë obligim të bëjnë inspektime të rregullta në baza ditore, por edhe inspektime sipas kërkesave.
Duke marrë parasysh numrin e vogël të inspektorëve dhe dinamikën e tyre të punës, shumë rrallë këta inspektorë iu trokasin në derë punëdhënësve për t’i inspektuar. Por edhe për ato inspektime që ka bërë ky inspektorat, janë ngritur akuza, pakënaqësi dhe dyshime se ka pasur favorizime të disa punëdhënësve dhe rrjedhimisht vendime jo të drejta të inspektoratit.
Inspektorët nuk i trajtojnë rastet si duhet
Qendra për Politika dhe Avokim (QPA) bën monitorimin e Ligjit të Punës që nga viti 2011. Sipas kësaj organizate gjatë tërë këtyre viteve monitorim, kanë ardhur në përfundim se Inspektorati i Punës nuk është efikas sa duhet në inspektimin e punëdhënësve.
Në raportet e kësaj organizate janë ngritur shqetësime se ka qenë metodologjia e inspektimeve, se si inspektorati i targeton ato biznese që ka për t’i inspektuar. Kjo ka rëndësi për faktin se ka biznese që janë inspektuar deri në tri herë brenda një viti, ndërsa ka biznese të mëdha që nuk janë inspektuar asnjëherë deri në katër vite.
“Ne kemi kërkuar që të kemi qasje në listën e bizneseve që janë inspektuar, por nuk na është lejuar qasje”, thuhet në raportet e kësaj organizate. Në disa raste palët janë të pakënaqur me vendimet e Inspektoratit të Punës dhe i drejtohen gjykatave për t’i trajtuar këto raste. Sipas të dhënave në Avokaturën Shtetërore të Kosovës, e cila funksionon në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë, ka pasur disa raste kur kjo avokaturë ka mbrojtur inspektoratin e punës në gjykata.
Sipas shënimeve te avokatëve shtetëror, gjatë periudhës 2014-2016, Inspektorati i Punës, ishte palë në procedura gjyqësore në 93 raste, prej tyre në 48 raste gjykatat i kane vendosur ne favor të këtij institucioni, 35 raste janë në procedurë, tri padi janë te tërhequra, gjashte janë në rivendosje, ndërsa një rast është i humbur.
Ndërkohë, në shtator të vitit 2016 Policia e Kosovës kishte arrestuar koordinatorin e Inspektoratit të Punës për rajonin e Prishtinës Muhamet Binaku.
Ndaj tij ishte ngritur aktakuzë për marrje ryshfeti. Ai kishte kërkuar para si kusht për të mos shqiptuar gjobë për shkelje të Ligjit të Punës që ai i kishte konstatuar gjatë inspektimit në kompaninë “All Zone”. Sipas aktakuzës, ai për kryerjen e këtij shërbimi kishte marrë ryshfet dhjetë mijë euro.
Lidhjet politike të inspektorëve
Sikur në të gjitha institucionet tjera publike, edhe tek Inspektorati i Punës siç duket partitë politike i kanë futur duart. Duke marrë parasysh detyrën specifike të tyre, inspektimi në disa raste mund ta vë në dyshim objektivitetin e tyre.
Nga numri total prej 50 inspektorëve, 9 prej tyre kanë lidhje me partitë politike. Katër me PDK-në dhe katër me AAK-në, ndërsa një inspektore ka lidhje me një parti serbe. Disa kanë qenë konkurrent në zgjedhjet lokale, disa janë parë duke bërë fushatë për partitë politike, ndërsa disa të tjerë kanë shprehur hapur përkatësinë e tyre partiake përmes rrjeteve sociale.
Nebil Mjeku është nga Komuna e Obiliqit. Ai ishte zgjedhur asamblist nga radhët e PDK-së në vitin 2009. Ndërkohë, në qershor të vitit 2011 ai është punësuar si inspektor i punës. Ai ka mbajtur dy postet njëkohësisht. Gjithashtu ai ka konkurruar edhe në zgjedhjet lokale të vitit 2013 për asamblist nga radhët e PDK-së.
Vesel Zhinipotoku nga Komuna e Ferizajt, ka lidhje me PDK-në. Ai ka qenë drejtori i Administratës dhe Personelit në Komunën e Ferizajt në kohën kur kryetar ishte Bajrush Xhemajli, ndërsa në mandatin e kryetarit Agim Aliu ishte Drejtori i Drejtorisë për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale. Të dyja këto poste politike. Nexhat Fazliu nga Komuna e Drenasit, del të jetë i lidhur me PDK-në. Ai këtë e ka shprehur hapur në profilin e tij në facebook, ku ka publikuar fotografi me zyrtarë të lartë të PDK-së. Ndërkaq ka qenë aktiv edhe në zgjedhjet e fundit lokale në Drenas, ku ka përkrahur gjatë fushatës kandidatin e PDK-së Ramiz Lladrovci.
Florim Krasniqi nga Komuna e Prizrenit është simpatizant i PDK–së. Ai në profilin e tij në Facebook, ka shprehur publikisht përkrahjen për këtë parti. Halil Hasani nga Komuna e Ferizajt, ka qenë kandidat për asamble komunale në Ferizaj nga radhët e AAK-së në zgjedhjet lokale të vitit 2007 dhe 2009. Musa Lufaj nga Komuna e Deçanit, ka lidhje me strukturat e AAK-së në këtë komunë. Në një njoftim të kësaj partie në gusht të vitit 2015, thuhet se ai është zgjedhur anëtar i kryesisë së degës së AAK-së në Deçan.
Basri Zejnullahu koordinator regjional i Inspektoratit të Punës në Gjilan ka lidhje me AAK-në. Ai është parë në takimet e kësaj partie. Gjithashtu ai shihet në një foto të publikuar në shtator të vitit 2013, ku ka qenë pjesëmarrës në takimin e kandidatëve për këshilltarë komunal. Edhe gruaja e tij është asambleiste e AAK-së në Komunën e Gjilanit.
Murat Vokshi është zëvendës inspektor i punës që nga viti 2006. Është i afërt me degën e AAK-së në Deçan. Ai ka fotografi publike në Kuvendin Zgjedhor të AAK-së në maj të vitit 2013 si dhe ka marrë pjesë në një mbledhje të kryesisë së degës së AAK-së në Deçan në dhjetor të vitit 2004.
Andrijana Zdravkoviç nga Komuna e Shtërpcës është inspektore e punës. Ajo ka konkurruar në zgjedhjet lokale të vitit 2009 për asambleiste në këtë komunë nga radhët e partisë Jedinstvena Sirinička Župa – JSŽ.
Inspektoratet e dëmtuara nga akuzat për korrupsion
Përfshirjen e krerëve më të lartë të inspektorateve në afera korruptive e ka vuajtur mbase më shumë se të gjitha inspektoratet e tjera, Inspektorati Shëndetësor. Dyshimeve se ky inspektorat nuk e kryente punën e vetë siç duhej pasi në opinion dilnin skandale të mëdha të cilat ndodhnin në sistemin shëndetësor, iu vu vula kur ish-kryeinspektori shëndetësor Zef Komani u zu duke marrë ryshfet. Rasti i tij ka ndodhur në vitin 2011. Ai është dënuar me burgim prej 1 viti e gjysmë në vitin 2012.
Pas largimit të Komanit nga pozita e kryeinspektorit shëndetësor bazuar edhe në raportet e ISH-së performanca e këtij institucioni ka ndryshuar për të mirë. Vetëm një vit pas arrestimit të Zef Komanit numri i inspektimeve nga Inspektorati Shëndetësor gati është dyfishuar.
Përfshirja sidomos e krerëve më të lartë të dy inspektorateve atij shëndetësor dhe farmaceutik në afera korruptive ka ndikuar në prishjen edhe më shumë të imazhit që opinioni e ka në përgjithësi për sistemin shëndetësor në Kosovë. Pas rastit të Komanit, Inspektorati Shëndetësor nuk është ballafaquar me raste të tjera të kësaj natyre. Së paku zyrtarisht nuk na është konfirmuar që ndonjëri prej inspektorëve të jetë përfshirë në korrupsion.
Emri i kryeinspektores farmaceutike Remzije Thaqit përveç këtij rasti për të cilin është pezulluar është përmendur së paku edhe njëherë që ndaj saj janë zhvilluar hetime për favorizimin e kompanive që merren me prodhimin e barnave në Kosovë.
Në vitin 2013 këtë rast e patën konfirmuar edhe zyrtarë të Agjencisë Kosovare për Produkte Medicinale, pjesë e të cilit ishte Inspektorati Farmaceutik./Arbresh.info
Flet ministri Çeku: Serbia shkeli Marrëveshjen e Brukselit
Asfiksohen nga rrjedhja e gazit, dy të vdekur në Tiranë
Putin shpreh gadishmëri për negociata, por përsërit kërkesat...
Kryeministri Kurti mirëpriti një delegacion të bizneseve nga...
Therje me thikë ne Lipjan
LDK nesër pret në takim 150 bizneset më të mëdha në vend, Ru...