Pas raportimit që lajmi.net bërë të shtunën se në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, gjegjësisht në Klinikën e Nefrologjisë u janë dhënë pacientëve insulina me afat të skaduar, ka reaguar inspektorati i Ministrisë së Shëndetësisë.
Kryeinspektorja e Ministrisë së Shëndetësisë, Ardita Baraku ka nisur hetimet për rastin që e publikoi lajmi.net nga ankesa e qytetares nga Ferizaj, e cila ishte më nënën e saj në Klinikën në fjalë.
D.K. (emër i njohur për redaksinë) ka rënë në kontakt me kryeinspektoren Baraku dhe tani ky rast ka kaluar në fazën tjetër.
Kujtojmë se D.K. tha se gjatë qëndrimit me nënën e saj klinikën e sëmundjeve të brendshme ka parë në frigorifer insulina me afat të skaduar dhe pretendonte duke insistuar vazhdimisht se ato insulina u janë dhënë pacientëve.
“Jam tmerru, jam anku çdo ditë për neglizhencën dhe keqtrajtimin ndaj pacientëve, por kur e kam parë që insulinat u janë dhënë të sëmurëve pa afat, ai ka qenë skandal”, ishte shprehur zonja në fjalë për lajmi.net.
Bile, ajo kishte bërë edhe foto ku thotë se insulina ishin të dala afati prej tre muajve, por askush nuk i ka kontrolluar, derisa ka alarmuar për rastin.
Të martën edhe televizioni T7 tha se kishte pranuar informacione se në Spitalin e Mitrovicës, ka pacientë që për sëmundjen e diabetit janë mjekuar me insulina, afati i të cilave kishte skaduar.
Klinika e Nefrologjisë pati reaguar ndaj shkrimit të lajmi.net duke thënë se në gjashtë mujorin e parë të këtij viti nuk kanë qenë të furnizuar me insulinë dhe se në këtë periudhë kohore pacientët e kanë siguruar vetë insulinën.
Ndryshe, ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, ka njoftuar ditë më parë për masa të tjera shtesë që janë marrë ndaj personelit mjekësorë dhe stafit të administratës në QKUK, të cilët nuk e kanë respektuar orarin e punës. Bëhet fjalë për rreth 200 personel dhe staf të administratës, të cilët kanë keqpërdorur kartelat hyrëse në punë.
Ministri Ismaili ka thënë se janë zhgënjyese ndonjëherë lajmet që vijnë nga spitalet tona, edhe pse bëhet fjalë për një numër të vogël, ku profesionistët shëndetësorë nuk e respektojnë orarin e tyre të punës.
“Një nga prioritetet e mia kur kam marrë detyrën e Ministrit të Shëndetësisë, përveç blerjes së pajisjeve të reja mjekësore dhe rinovimit të spitaleve e klinikave, ka qenë kthimi i dinjitetit të personelit mjekësor.
Rritjen e pagave për kujdestari tashmë e kemi realizuar, ndërsa po punojmë intensivisht që t’i arrijmë rezultatet më të mira të mundshme që në Ligjin për Paga – profesionistëve tanë shëndetësorë t’u sigurojmë paga meritore.
Ky mision që kemi nisur është për të gjithë, për qytetarët dhe stafin mjekësor. Prandaj, kemi nevojë edhe për bashkëpunimin e tyre.
Janë zhgënjyese ndonjëherë lajmet që vijnë nga spitalet tona, edhe pse bëhet fjalë për një numër të vogël, ku profesionistët shëndetësorë nuk e respektojnë orarin e tyre të punës.
Së fundi, në QKUK, kanë ndodhur keqpërdorime të tjera të kartelave personale për verifikimin në punë. Rreth 200 mjekë, infermierë dhe staf i administratës, i kanë keqpërdorur ato. Të gjithë do të sanksionohen sipas procedurave ligjore në fuqi.
Kemi nisur me QKUK-në dhe do të vazhdojmë me të gjitha institucionet tjera publike shëndetësore për rritjen e disiplinës në punë. Nuk do të ndalemi në misionin për përmirësimin e sektorit shëndetësor. Bashkë mund ta bëjmë këtë” ishin fjalët e ministrit të Shëndetësisë. /Lajmi.net/