Inspektorati i MINT shqipton gjoba për parregullsi në Gjilan

10:00 | 1 Korrik 2021
L G

Inspektorati i Tregut i Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), bashkë me Agjencinë e Metrologjisë, këtyre ditëve kanë kryer inspektime të mjeteve matëse (peshoreve), si dhe kanë bërë kontrollimin e dokumentacionit të këtyre operatorëve në qytetin e Gjilanit.

Gjatë inspektimit, në tri peshore janë hasur parregullsi që nuk kanë qenë në përputhje me Rregulloren për Peshore Jo-Automatike (nuk kanë miratim të tipit), shkruan arbresh.info.

Këto peshore janë larguar nga përdorimi dhe është kërkuar nga subjektet ekonomike për një afat të caktuar të dhënat nga inspektorët e mbikëqyrjes metrologjike, që të njëjtat duhet të zëvendësohen me peshore në përputhje me Rregulloren për Peshore jo-automatike.

Po ashtu janë kryer matje të bukës nëpër furra për ta verifikuar peshën e tyre në bazë të deklaracionit që e kanë prezantuar. Një furrë është gjobitur, bazuar në normativat ligjore, për shkak të mos përputhjes së peshës së bukës me deklaracionin, që e ka prezantuar për blerësit.


Gjatë inspektimit, Inspektorati i Tregut ka shqiptuar dy gjoba për flamujt e origjinës, që nuk kanë qenë të vendosur në produkte.

Inspektime të tilla janë duke ndodhur në vazhdën e punës së Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë për mbrojtjen e konsumatorit dhe për të krijuar siguri në treg.

Mbrojtja e konsumatorit mbetet prioritet i Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, që qytetarët të sigurohen të marrin aq sa paguajnë./arbresh.info/

Të ngjashme