Google ADS

Inkurajohet stafi i Ministrisë së Drejtësisë për raportimin e parregullsive dhe shkeljeve eventuale ligjore

17:48 | 3 Gusht 2021
Përparim Bublaku

Ministria e Drejtësisë organizoi sot sesion informues për zyrtarët e Ministrisë lidhur me sinjalizimin dhe mbrojtjen e sinjalizuesve.

Takimin e hapi zv. Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Drejtësisë, Ardian Bajraktari, i cili theksoi para të pranishmëve punën që është bërë në drejtim të rregullimit të legjislacionit që garanton mbrojte të sinjalizuesve.

” Kosova tashmë ka legjislacion mjaftë të avancuar në fushën e sinjalizimit dhe i cili është në harmoni me standardet më të mira ndërkombëtare. Sot, po fillojmë prej shtëpisë sonë për të njoftuar për të drejtat dhe mbrojtjen e sinjalizuesve. Sinjalizimi është raportimi i shkeljeve që ndodhin apo mund të ndodhin, andaj në kuadër të kësaj inkurajoj gjithë stafin e Ministrisë t’i raportojnë ato”, theksoi zv. sekretari, Ardian Bajraktari.

Fjalë hyrëse gjatë këtij sesioni prezantoi edhe zv. Ministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu, i cili tha se lufta kundër korrupsionit është prioritet i Ministrisë së Drejtësisë dhe i Qeverisë së Republikës së Kosovës, dhe në këtë drejtim theksoi se zbatimi i legjislacionit për mbrojtjen e sinjalizuesve është mjet i fuqishëm në këtë drejtim.

” Të gjitha rastet që mund të kenë dyshime për korrupsion brenda Ministrisë së Drejtësisë, ju lutem t’i raportoni. Bashkëpunimi i të gjithëve karshi kësaj dukurie kaq të egër ka shumë rëndësi në luftimin e korrupsionit”, tha zv. Ministri, z. Sallahu.

Në një format tjetër, në sesionin informues, prezantuan ekspertet e fushës së sinjalizimit, përkatësisht, znj. Feride Podvorica dhe znj. Noliana Kusari, kjo e fundit njëherësh edhe zyrtare përgjegjëse për pranimi dhe trajtimin e rasteve të sinjalizimit në Ministrinë e Drejtësisë.

Në këtë drejtim, stafi i Ministrisë së Drejtësisë u njoftuan me të drejtat e sinjalizuesit, mbrojtjen që i ofrohet atij, procedurën e pranimit dhe trajtimit të rasteve të sinjalizimit si dhe mekanizmat gjegjës.

Ministria e Drejtësisë, krahas fushatës sensibilizuese ka përgatitur dhe vendosur në objektet e Ministrisë edhe afishe informative lidhur me sinjalizimin./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme