“Infrakosi” kërkon nga Qeveria 1.8 milion euro në vit

23:42 | 27 Gusht 2017
Arbresh.info

Ndërmarrja publike për menaxhimin e hekurudhave “Infrakos” kërkon edhe 1.8 milion euro në vit, që të mund të operojë.

Kryeshefi i “Infrakosit”, Agron Thaçi, ka thënë për Ekonomia Online se Qeveria e Kosovës në bazë të Ligjit për Hekurudhat është e obliguar që t’i mbulojë ndërmarrjes pagesat që lindin nga kostot direkte.

Vetëm 600 mijë euro i janë alokuar kësaj ndërmarrjeje nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik (MZhE).

Mjetet e ndara nga kjo ministri nuk po i përmbushin nevojat e ndërmarrjes që menaxhon hekurudhat e Kosovës.

Sipas Thaçit, Qeveria jo që nuk i ka paguar obligimet për pesë vitet e fundit, por ajo edhe çdo vit ka shkurtuar buxhetin për ta.

“Qeveria e Kosovës nuk i ka kryer obligimet e veta. Qeveria na detyrohet 1.8 milion euro në vit që i bie që në këto pesë vite nuk i ka kryer obligimet, i ka kryer shumë pak obligime dhe sidomos në këto dy vitet e fundit 2016 dhe 2017. Këto dy vite kanë qenë vite shumë të rënda për neve sepse Qeveria, respektivisht ministritë e linjave, jo që nuk i kanë kryer obligimet ligjore por edhe kanë shkurtuar më tutje buxhetin”.

“Ne marrim mjete vetëm nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik që janë 600 mijë euro në vit subvencion në emër të pagesave. Vlera është 2.2 deri 2.3 milionë dhe kur kësaj i zbritet vlera 600 mijë që i kemi marrë del që sipas ligjit na takojnë dhe 1.8 milionë euro. Ligji e thotë qartë se Qeveria obligohet që t’i bëjë pagesat e mungesës së mjeteve që lindin nga kostot direkte dhe kjo kosto direkte nuk është që ne e krijojmë atë, kjo bëhet sipas udhëzimeve administrative”, theksoi Thaçi.

Që nga fillimi i këtij muaji është ndalur qarkullimi i trenave për transport të udhëtarëve. Vendimi për këtë e ka marr vetë ndërmarrja për menaxhimin e trenave “Trainkos”.

Sipas kompanisë ndërprerja ka ndodhur për shkak të mungesës së mjeteve për të operuar. Ndalja e operimit të trenave e ka zhytur në krizë edhe ndërmarrjen.

Thaçi ka thënë për Ekonomia Online se nga ndalja e qarkullimit të trenave për çdo muaj po humbin rreth 25 mijë euro.

Ai ka thënë se kjo krizë e ka vënë “Infrakosin” në një situatë aq të vështirë sa edhe pagat për 332 punëtorët nuk do të mund t’i paguajnë për muajin gusht.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme