Infermierët dhe mamitë mirëpresin anulimin e Ligjit për Paga: Ishte diskriminues

13:25 | 1 Korrik 2020
L G

Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese e cila e ka shpallur të pavlefshëm Ligjin e Pagave, Sindikata e Infermierëve, Mamive dhe profesionistëve të tjerë shëndetësor thonë se ky vendim ka treguar se në këtë ligj ata kanë qenë të diskriminuar si komunitet.

Kryetari i kësaj sindikate, Fitim Havolli tha se e respektojnë në plotëni vendimin e Kushtetueses për anulimin e Ligjit për Paga, pasi që konsiderojnë se nuk ka qenë i duhuri.

“Vendimi është i tillë ne si komunitet e respektojmë plotësisht vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Nuk jemi këtu për të komentuar por jemi t’iu bëjmë thirrje dhe apel të gjitha institucioneve relevante Ministrisë së Shëndetësisë, kryeministrit të vendit dhe gjithë atyre që me kohë nuk punuan si duhet për mos me ardhur deri tek ky vendim. Ata që patën mandat si sponsorizues të ligjit dhe ligjvënësit e legjislaturës së kaluar nuk i morën parasysh shqetësimet që tash po del që me të drejtë jemi ankuar për mos kategorizimin sipas ligjit apo sipas nenit katër për rregullimin e ligjit të këtyre kategorive… Ankesa jonë ka qenë të trajtohet vetëm komuniteti jonë i cili ka qenë tmerrësisht nënçmues, dhe ofendues nga të gjithë ata që na përfaqësuan”, tha ai.

Ai tha se kërkesa e tyre ka qenë që koeficienti i pagës për infermierë dhe mami të jetë 3.2 e jo siç ishte paraparë në ligjin e pagave 2.25.

Havolli tha se në këtë kohë pandemie si komunitet do të jenë pranë pacientëve, por pas pandemisë ka paralajmëruar greva dhe protesta deri në arritjen e qëllimit të tyre.

“Në këtë kohë pandemie ne do jemi me popullin pranë tij pa asnjë ankesë nëse edhe krejt këtë pagë do na e ndalojnë ne do jemi pranë tyre sepse ata kanë nevojë… Jam shumë i bindur që ne më nuk do lejojmë kemi format legjitime të organizimit sindikal që do i përdorim…. këta janë mësuar në të kaluarën të bëjnë greva dhe protesta ose bojkotim të punës dhe të mos arrisin asgjë. Po iu garantoj se në momentin që do plotësohen kushtet për të mbajtur grevë për një kërkesë tonë legjitime të jeni të bindur që ne më nuk do lejojmë kemi forma legjitime të mbi organizimit që do i përdorim”, theksoi ai.

Derisa thotë se nuk ka ndonjë shifër të infermierëve që janë të prekur me COVID-19, kryesindikalisti i këtij komuniteti thotë se janë të pajisur me masat mbrojtëse.

“Deri më sot kemi pasur pajisje të mjaftueshme unë punoj në Klinikën Infektive kemi pasur të mjaftueshme por ka vende të tjera të shërbimit primar sekondar që nuk kanë pasur mjaftueshëm masa mbrojtëse për t’u ruajtur nga COVID-19, por deri më sot kemi masa mbrojtëse”, tha ai.

Dje, Gjykata Kushtetuese e ka shpallur të pavlefshëm Ligjin e Pagave i cili u votua nga legjislatura s kaluar. Ankesa të shumta ka pasur për këtë ligj të cilin në Gjykatën Kushtetuese e dërgoi Avokati i Popullit. /KP/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme