Si shkak i gripit sezonal këtë dimër, thuajse të gjitha Qendrat Familjare në Kosovë ishin mbushur me pacientë.
Megjithatë, infektologu Hamdi Ramadani paralajmëron se gripi mund të zgjas deri në muajin mars dhe mund të kalojë në pandemi nëse vaksinimi s’është masiv.
Ramadani për Arbresh.info thotë se kjo rritje e rasteve ka qenë e pritshme për shkak të dimrit dhe imunitetit të dobët të njerëzve.
Si arsye e rritjes së numrit të të prekurve me grip sezonal, Ramadani thekson edhe vonesën e vaksinimit kundër gripit sezonal.
Sipas tij, kjo vaksinë duhej të merrej në muajin tetor dhe nëntor.
“Shumica e pacientëve për fat jo të mirë nuk e kanë marrë me kohë vaksinën kundër gripit sezonal, vaksina që është dashur të jepet në muajin tetor dhe në muajin nëntor që është më idealja e marrjes së vaksinës për mbrojtjen, për ta fituar imunitetin trupi i personit në fjalë”, tha Ramadani duke e konsideruar si një veprim jo të mirë.
Infektologu thotë se sipas njoftimit të IKSHPK-së, numri i të sëmurëve me grip sezonal ka kaluar shifrën 31 mijë.
Ai thotë se këtë vaksinë është mirë ta marrin personat mbi moshën 60 vjeçare, personeli shëndetësor, policia dhe personat me sëmundje kronike.
Infektologu Ramadani, thekson se virusi qëndron në temperatura të ftohta gjatë.
Ai thotë se simptomat paraqiten me temperatura të larta deri në 39 gradë Celsius, dhimbje e kokës, dhimbje të nyejve, të eshtrave, të muskujve dhe të sëmurët, Ramadani thotë se janë të lodhur.
Simptomat sipas Ramadanit, zgjasin 2-3 ditë eventualisht katër ditë.
“Ditën e tretë ose të katërt, nëse situata e personit që preket nga gripi sezonal është e mirë me kondicion, me imunitet, me mbrojtje në mënyrë natyrore, jo me vaksinë sepse të vaksinuarit sëmuren pak ose nuk sëmuren fare me një simptomatologji të vogël”, tha ai.
“Në ditën e katërt ose të pestë ulen këto shenja, temperatura bien, tërhiqen dhimbjet e muskujve, nyejve, sepse edhe apetiti këtu është i zvogëluar dhe fillon ajo faza e dytë te gripi sezonal që quhet faza respiratorike, hundët fillojnë të shkojnë, sytë janë të skuqur, pastaj fyti është tepër i skuqur dhe kollitja e cila është ngacmuese. Për personat që e konsumojnë duhanin, kollitja mund të jetë edhe produktive”, shprehet infektologu.
Në kushte normale, Ramadani thotë se gripi duhet të kalojë në ditën e katërt.
Ramadani potencoi se në disa raste të sëmundjeve kronike, komplikimet mund të jenë serioze .
“Në disa raste, te sëmurët kronikë, me sëmundje të zemrës, të mushkërive, kancerogjene, sëmundja mund të ketë një ecuri edhe më të rëndë edhe më të gjatë dhe komplikimet mund të jenë më serioze, edhe në zemër”, pohon ai.
Ramadani thotë se gripi sezonal është vështirë të ndalet por mund të korrigjohet me anë të masave mbrojtëse.
“Mos të kalojmë shumë kohë në vende të mbyllura, sa më shumë të ketë lëngje, çaja, personat e kondicionuar të ikin këtyre ambienteve të mbyllura me të sëmurë dhe ajo që e thashë e vetmja dhe që është arma që shumë ndihmon, shumë mbron është tepër e dobishme dhe që është e rekomandueshme është marrja e vaksinës”, shprehet Ramadani.
Vaksina, sipas tij, krijon mbrojtje të organizmit për aq sa zgjat epidemia e gripit sezonal.
Ai shton se gripi sezonal do të zgjas edhe deri në muajin mars.
Ramadani për Arbresh.info thekson se bora mund të ulë virulencën e këtij virusi.
“Bora që tash është e pranishme duket se mund ta ulë atë virulencën e këtij virusi, por sado kudo nuk e mbyt”, thotë Ramadani.
Infektologu Ramadani pohon se në raste ekstreme mund të eskalojë në situatë të rëndë me një rrezik të mundshëm për jetën apo shëndetin e personit apo pacientit.
Infektologu paralajmëron se gripi sezonal në një periudhë shtatë apo tetëvjeçare mund të shpërthejë në formë të një pandemie si ajo e COVID-19 në qoftë se vaksinimi dhe imunizimi nuk është në përmasa të mëdha.
Sipas tij, aparati i sistemit shëndetësor duhet të fuqizohet që të promovohet vaksinimi kundër gripit sezonal.
Në fund ai rithekson rëndësinë e vaksinimit, teksa u ka bërë thirrje qytetarëve që të marrin vaksinën kundër gripit sezonal./Arbresh.info/Erolinda Gashi/
OKB dënon sulmet e Rusisë ndaj infrastrukturës energjitike t...
Moti sot në Shqipëri
Institucioni i Avokatit të Popullit diskuton sot për shëndet...
Moti sot i vranët dhe intervale me diell
Sot mbahet mbledhja e përbashkët e Qeverisë së Kosovës dhe M...
Vazhdon procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së