Google ADS

Infektologu jep lajmin e mirë: Disa të prekur me COVID-19 kanë rezultuar negativ në teste e para

19:50 | 2 Prill 2020
L G

Infektologu Valbon Krasniqi ka folur për gjendjen e të infektuarve me coronavirus që janë të shtrirë në Klinikën Infektive.

Krasniqi ka thënë se aktualisht në Klinikën Infektive janë të shtrirë 43 raste që janë të konfirmuar me coronavirus.

“Gjendja e tyre në përgjithësi është e mirë me përjashtim të 6 pacientëve që kanë nevojë kohë pas kohe për oksigjeno terapi”, tha ai për RTV Dukagjinin.

Infektologu ka thënë se në gjendje të rëndë mbetet një paciente e cila po ndodhet në kujdesin intenziv.

Krasniqi ka njoftuar se foshnja pesë muajshe është paraqitur në klinikë bashkë me prindin e saj dhe që të dyja kanë rezultuar pozitive me COVID-19 gjatë ditës së djeshme.

“Gjendja e tyre është stabile. Foshnja nuk ka nevojë për ndonjë trajtim specifik por është nën mbikëqyrje”.

Infektologu ka dhënë detaje edhe për katër infermieret që kanë rezultuar të infektuara me COVID-19. Ai thotë se tri prej tyre janë duke u trajtuar në klinikë ndërsa njëra është në trajtim shtëpiak.

“Të ketër infermieret janë pjesë e stafit tonë dhe pjesë e repartit ku trajtohen personat e prekur me coronavirus. Pra ato janë staf mjekësor që janë në kontakt 24 orë me pacientët e prekur me COVID-19”.

Krasniqi njofton se një numër i pacientëve që janë të infektuar sot kanë rezultuar negativ, por shton se sipas protokollit duhet edhe një test i dytë.

“Ka pacientë që hyjnë në javën e dytë të sëmundjes dhe sipas protokollit ne presim që një pjesë e tyre pasi të rezultojnë negativ të shpallen si të shëruar. Ka pacientë që tashmë nga aspekti klinikë duken në gjendje mjaft të mirë dhe nuk kanë pothuajse asnjë simptomë por ne presim që edhe në mënyrë laboratorike të dalin negativ nga virusi”, tha ndër të tjera Valbon Krasniqi.

Numri zyrtar i të shëruarve nga coronavirusi në Kosovë ka shkuar në dhjetë, ndërsa një rast ka përfunduar me fatalitet./Telegrafi/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme