Infektologu: Delta Plus ndryshon në strukturën gjenetike, ardhja e mërgimtarëve nuk përbën rrezik për rritjen e rasteve

12:15 | 13 Nëntor 2021
L G

Kosova, sikur edhe vendet e tjera po përballen me variante të ndryshme të COVID-19, i fundit me të cilin u ballafaqua është Delta Plus.

Por, sa i përket karakteristikave të këtij varianti, në aspektin klinik është i njëjtë me variantet e tjerë, por që dallon tek aspekti i shpejtësisë së përhapjes.

Kështu thotë në një intervistë për arbresh.info, Ilir Tolaj Infektolog dhe profesor i sëmundjeve infektive.

Sipas tij, nuk ka vend për panik nëse vazhdojnë masat anti-COVID-19, siç është grumbullimi i njerëzve në ambiente të mbyllura.

“Variantin Delta Plus nuk e dallon diçka e veçantë prej varianteve tjera janë disa ndryshime ne strukturën gjenetike të cilat sigurojnë një përhapje më të lehtë përreth deri në 90% në krahasim më variantin delta të deritanishëm. Varianti i ri përcjellët pak më lehtë gjë që mund të ketë një ndikim minimal në situatën epidemiologjike të secilit vend ku shfaqet duke përfshirë edhe Kosovën. Është e vështir me parashikuar në mënyrë të saktë, por më gjasë nuk ka vend për panik, mund të ketë një rritje të numrit të rasteve të reja por kjo në një ecuri të pandemisë ndodh gjithmonë deri sa të arrihet fundi i pandemisë”.

Ai thotë se ardhja e mërgimtarëve për fundvit nuk ndikon në rritjen e infeksioneve në Kosovë.

“Mërgimtarët gjatë gjithë ecurisë me pandeminë COVID-19 nuk janë shquar si faktor vendimtar në shfaqjen e çfarë do vale të pandemisë në Kosovë. Kanë qenë kryesisht veprimet tona aktivitetet tona të cilat kanë rezultuar më valë të reja siç ishte ajo vala pas zgjedhjeve të përgjithshme në Kosovë apo siç ishte vala gjatë verës, vala e pestë e pandemisë ku për shkak të punës së klubeve të natës dhe dasmave e të kafiterive në numër të pakontrolluar më muzikë të gjallë u krijuan kushtet për tu përhapur infeksioni në mënyrë të pa kontrolluar”.

Tolaj thotë se gripi sezonal dhe COVID-19 në aspektin kronik kanë shumë ngjashmëri, dhe një përqindje shumë e madhe mund ta përjashtojnë COVID-in si shkaktar të simptomave dhe të orientohemi në diçka tjetër.

“Gripi sezonal dhe COVID-19 në aspektin kronik kanë shumë ngjashmëri mund të manifestohet me shenja klinika dhe simptoma të një COVID-i për këtë vijën në ndihmë pastaj analizat laboratorike është shumë më lehtë nëse personat janë të vaksinuar ose janë të konfirmuar që e kanë kaluar COVID-in meqenëse një përqindje shumë e madhe mund ta përjashtojnë COVID-in si shkaktar të atyre simptomave dhe të orientohemi në diçka tjetër”.

Sipas tij, në mënyrë që Kosova të jetë e mbrojtur nga një valë e re e infeksionit, dhe të fitohet imuniteti hibrit duhet të vaksinohen 85 për qind e popullsisë.

“Masa tjetër të cilën autoritet shëndetësore duhet me bë është që duhet me promovuar edhe më shumë vaksinimin duke përfshirë edhe ato grup moshat të cilat deri më tani nuk kanë qenë të përfshira në vaksinim. Imuniteti ‘hibrit’ duhet të arrihet në 85% në mënyrë që të themi se Kosova potencialisht është e mbrojtur nga një vale e re e infeksionit”.

Megjithatë, ai thotë se, Kosova duhet të fillojë me aplikimin e dozës së tretë të vaksinës.

“Sipas të dhënave vaksina ka mjaftueshëm dhe numri është relativisht i ulët, dhe sa më shpjet që është e mundur duhet të mundohet që njerëzit të vaksinohen edhe me dozën e tretë për ata që janë të interesuar për një gjë të tillë”.

Tolaj thotë se, nëse Kosova furnizohet me ilaçin Pfizer kundër COVID-19, do ta ndihmonte shumë përpjekjen për ta luftuar pandeminë, duke zvogëluar numrin e pacienteve, eventualisht që mund të përfundojnë në spital apo atyre që vdesin.

“Ilaçi i Pfizer ende është në procedurat e licencimit, cili do ilaç që mund të vinte në Kosovë mund ta ndihmonte shumë përpjekjen tonë për ta luftuar pandeminë që të zvogëlonte efektet negative, dhe duke zvogëluar numrin e pacienteve, eventualisht që mund të përfundojnë në spital apo atyre që vdesin. Por do të jetë pikëpyetje se sa do të jetë çmimi i këtij ilaçi, por në qoftë se aksesi në këto ilaçe do të jetë i lehtë, dhe plotësisht i arritshëm për ti blerë këto iliqe padyshim qe do të kishte një ndikim shumë të madh në ecurinë e pandemisë”.

Ai mendon që disa nga masat anti-COVID-19 të cilat janë fuqi janë të pa arsyeshme të mbahen, siç është maska dhe ora policore.

“Pengimi i grumbullimit të pakontrolluar të shumë njerëzve në ambiente të mbyllura për një kohë të gjatë duhet të pengohet, disa të tjera janë të pa arsyeshme siç është maska në ambient të hapur dhe ora policore nuk besoj që kanë ndonjë rendësi shumë të madhe, autoritetet duhet të jenë shumë azhure në modifikimin e masave”.

Në fund Tolaj bëri një apel për të gjithë qytetarët në mënyrë që të vaksinohen pasi që është arma e vetme në luftën kudër COVID-19.

“Apeli im për të gjithë qytetarët është që mos të hezitojnë që të vaksinohen meqenëse vaksina tani për tani është e vetmja armë në luftën kundër COVID-19”, thotë Tolaj për arbresh.info

Kujtojmë se Kosova është duke u përballur me pandeminë COVID-19, tash e më shumë se një vit.

Në Kosovë prej fillimit të vaksinimit në të gjitha qytetet e Kosovës janë dhënë 1.589.739 doza të vaksinës, dhe deri më sot 746.232 qytetarë janë vaksinuar me dozën e dytë.

Ndërsa, në total numri i rasteve aktive me COVID-19 në Kosovë është 429 raste./A.ZEKA./arbresh.info/

Të ngjashme