Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bashkë me ministren e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, morën pjesë në inaugurimin e fillimit të punimeve për ndërtimin e Parkut Industrial në Drenas.
Kurti, me këtë rast tha se, ajo çfarë po angazhohemi me fokus të posacëm, është të bëjmë kalimin nga zonat ekonomike të pafunksionalizuara, drejt parqeve industriale të specializuara, parqeve industriale të gjelbra dhe parqeve të teknologjisë e të inovacionit, shkruan Arbresh.info.
Gjithashtu ai tha se këto parqe industriale janë dëshmi, që ne, edhe besojmë në konkurrencën e lirë midis bizneseve, por gjithashtu mundësojmë edhe bashkëpunimin midis bizneseve për vlerë të shtuar.
Sipas njoftimit, Parku Drenas 2, pritet të jetë sa më shumë i gjelbër, me qasje në energji të ripërtërishme, me objekte të menaxhimit të mbeturinave e të ngjashme dhe do të jetë në shërbim të bizneseve tona me veprimtari inovative për të rritur riciklimin në prodhim dhe për të kontribuar në zhvillimin e industrisë së gjelbër.
I iniciuar nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, si dhe nga agjencia KIESA, ky park do të ketë një sipërfaqe prej 36.5 hektarësh, do të jetë në pronësi të Qeverisë, do të ketë një investim prej 7,7 milionë euro, e hapësirë për 50 biznese prodhuese duke përfshirë ato me veprimtari inovative që do të kontribuojnë dhe përfitojnë nga ekonomia qarkore.
Në këtë ngjarje, të pranishëm ishin edhe Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci dhe deputeti i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Enver Dugolli.
Fjala e plotë e Kryeministrit Kurti:
I nderuari Kryetar i Komunës së Drenasit, z. Ramiz Lladrovci,
E nderuara Ministre e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, znj Rozeta Hajdari,
I nderuari deputet i Kuvendit të Republikës, z. Enver Dugolli,
Të nderuar përfaqësues të bizneseve dhe shoqatave të bizneseve,
Të nderuar punonjës të Ministrisë e posaçërisht të KIESA-s,
Zonja dhe zotërinj,
Këtë javë po e nisim mbarë dhe me punë të tjera në dobi të qytetarëve dhe të shtetit. Sapo erdhëm nga Izvori, nga Zveçani, ku vendosëm gurthemelin e nënstacionit të ri policor, e tash gjendemi këtu në Drenas, teksa inaugurojmë fillimin e ndërtimit të Parkut Industrial 2 të Përgjithshëm, në kilometrin e 22-të përgjatë magjistrales Prishtinë – Pejë, në fshatin Korreticë e Epërme dhe përballë Parkut ekzistues të Biznesit në këtë komunë.
Në mbledhjen e 208-të të Qeverisë së Republikës së Kosovës, më 13 qershor 2024, miratuam themelimin e këtij parku, i cili siç e tha Zefi, do të ketë një sipërfaqe prej 36.5 hektarësh dhe do të jetë në pronësi të Qeverisë. Me një investim prej 7,7 milionë euro, po zgjerojmë hapësirën edhe për 50 biznese prodhuese dhe përfituese, përfshirë bizneset me veprimtari inovative që do të kontribuojnë dhe përfitojnë nga ekonomia qarkore. Ky projekt i rëndësishëm u iniciua dhe u propozua nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, si dhe nga agjencia KIESA dhe është ndër projektet e zonave ekonomike të zbatuara që sjell aspekte pozitive edhe për nga vlera e investimit por edhe për nga rëndësia e këtij parku.
Me qeverisjen e mirë dhe politika zhvillimore, po e fuqizojmë ekonominë e vendit dhe po e mbështesim sektorin e prodhimit, për të shpalosur potencialin e tij të plotë e për të kontribuar në mënyrë më efektive për zhvillimin e qëndrueshëm dhe gjithëpërfshirës për qytetarët e vendin tonë. Pra, një zhvillim, i cili i qëndron kohës dhe një zhvillim, i cili nuk e lë askënd mbrapa.
Mbështetja e krijimit të parqeve moderne industriale me karakteristika të përshtatshme edhe për mbrojtje të mjedisit, është një nga masat tona qeveritare në kuadër të Politikës Industriale 2030 me objektiva kryesore për zgjerimin e prodhimit industrial, lehtësimin e industrisë qarkore dhe të gjelbër, gjenerimin e punësimit më të mirë dhe inkluziv, rritjen e pjesëmarrjes së inputeve, burimeve vendore në prodhim dhe reduktimin e deficit tregtar industrial.
Parku Drenas 2, pritet të jetë sa më shumë i gjelbër, me qasje në energji të ripërtërishme, me objekte të menaxhimit të mbeturinave e të ngjashme. Të gjitha këto të domosdoshme për prodhimin e produkteve neutrale ndaj karbonit, sepse eksportet tona janë duke u shtuar dhe do të paguhet gjithnjë e më shumë kjo taksa, e cila më pastaj e rrit koston e prodhimit.
Do të jetë ky park në shërbim të bizneseve tona me veprimtari inovative për të rritur riciklimin në prodhim dhe për të kontribuar në zhvillimin e industrisë së gjelbër, ashtu që prodhimet e Kosovës t’i përmbushin standardet evropiane dhe për tregun evropian, që është tregu ynë kryesor i jashtëm, të kemi gjithnjë e më shumë produkte, të cilat e kanë edhe cilësinë, por edhe standardizimin e asaj cilësie.
E për më shumë se kaq, ky park do të kontribuojë në nxitjen dhe mbështetjen e investimeve të qëndrueshme vendore dhe të huaja, pra edhe të investojnë biznesmenët vendas këtu, ta riinvestojnë fitimin e tyre, por edhe ata të huaj, e dihet që investimet e huaja direkte janë rritur për 134 për qind tri vitet e fundit, me veprimtari të ndryshme të tyre prodhuese e përpunuese, e gjithashtu edhe në punësimin dhe aftësimin e fuqisë punëtore, nxitjen dhe transferimin e teknologjisë së avancuar, pastaj lehtësimin e bashkëpunimit ndërmjet bizneseve, nxitjen e një ekosistemi inovativ, rritjen e konkurrueshmërisë dhe sigurisht mbështetjen e eksportit.
Këto parqe industriale janë dëshmi që ne, edhe besojmë në konkurrencën e lirë midis bizneseve, por gjithashtu mundësojmë edhe bashkëpunimin midis bizneseve për vlerë të shtuar.
Me reformën përmes Ligjit të Ri për Parqet Industriale e Teknologjike, me udhëzimet administrative të reja e përkatëse dhe me një buxhet në kornizë 3 vjeçare prej 30 milionë euro investime kapitale, ne po i ndërtojmë dhe sjellim në funksion të gjitha zonat ekonomike të themeluara, me synim që t’i shndërrojmë të gjitha zonat ekonomike, në parqe efektive industriale dhe parqe efektive teknologjike.
Pra, ajo çfarë po angazhohemi me fokus të posaçëm, është të bëjmë kalimin nga zonat ekonomike të pafunksionalizuara ose zonat ekonomike me shumë aktivitete, por pa menaxhim të mirëfilltë, drejt parqeve industriale të specializuara, parqeve industriale të gjelbra dhe parqeve të teknologjisë e të inovacionit.
Të gjitha këto reforma dhe ky progres në mbështetje të sektorit privat, janë dëshmi se Qeveria është e angazhuar maksimalisht për mbështetjen e bizneseve me orientim në prodhim dhe inovacion dhe krijimin e mundësive të reja për punësimin e të rinjve tanë.
Andaj, për jetësimin e vizionit tonë sa inovativ aq edhe zhvillimor, ju uroj fillim të mbarë të punimeve dhe finalizim të “Ndërtimit të Infrastrukturës në Parkun Industrial 2 – Parku i Përgjithshëm në Drenas”.
Përgëzime e ju faleminderit!/Arbresh.info/
Osmani takon mërgimtarët në Kanada: Kudo, një copëz Kosove &...
GJKKO dënon me 2 vjet e 8 muaj burg ish-kryebashkiakun e Dur...
Murati – Bajramit: Hykmete, s’paske mësu as sot, ulu njësh
Hamza u bënë thirrje mërgimtarëve në Gjermani që të regjistr...
Të premten bëhet tërheqja e shortit për Kupën e Kosovës
Haradinaj: Kosova nuk duron qeveri që humbjet i mbulon me de...