Imami Simnica: Namazi i Bajramit nuk falet nesër, lutje në xhami s’do të ketë deri më 10 gusht

18:27 | 30 Korrik 2020
L G

Përfaqësuesi i Bashkësisë Islame, hoxha Ekrem Simnica, tregoi se si ata po e përjetojnë pamundësinë e faljes së namazit si rregullisht.

“Kurrë nuk e kemi përjetuar një gjë të tillë, por as nuk është menduar. Në kohën e luftës nuk ka pasur mundësi sepse s’kishte siguri. Por tash është njejtë, vetëm siguria ndryshon nivel pasi qe tash nuk e shohim armikun. Covid 19 është ende më i rrezikshëm, pasi që është i padukshëm”, tha ai në emisionin “Frontal” në T7.

Simnica tregoi se nesër nuk do të ketë falje të namazit të Bajramit.

Sipas tij, ezani do të thirret por nuk do të ketë ceremoni fetare deri me 10 gusht, sipas vendimit të qeverisë.

“Nesër festa e Bajramit fillon nga 6 e pak minuta, pasi qe falet Bajrami. Festa fillon prej atëherë. Nëpër të gjitha xhamitë do të thirret ezani, por janë pezulluar te gjitha ritet e ceremonitë deri me 10 gusht. Edhe nesër në atë kohë do të thirret, por s’do të ketë falës të namazit”, tha ai.

Ndërkohë, hoxha Ekrem Simnica foli edhe për ndërtimin e xhamisë së madhe afër Telekomit.

Ai komentoi edhe protestën që u zhvillua afër vendit ku do të ndërtohet xhamia, për të cilën tha se ishte protestë për arkitekturën dhe financimin e xhamisë.

“Ky është gzim i madh për shumicën absolute. Ne duhet ti gëzohemi të gjithë. Por edhe ata që kanë dalur në protesta, nuk besoj se janë kundër ndërtimit te xhamisë. Ata i kane arsyet për arkitekture apo per financim, por jo kundër ndërtimit te xhamisë. Ne nuk duhet te jemi kundër ndërtimit te objekteve fetare, xhamive kishave e te tjera”, tha ai.

Ndryshe, për propozimin e kryetarit të Komunës së Mitrovicës, Agim Bahitir, për faljen e namazit të Bajramit në sheshet e qytetit, ai tha se janë kompetenca të qeverisë e jo të BIK-ut./GazetaExpress/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme